Lajmet

​HANDIKOS lanson kampanjën “Ngom mu!”

Kampanja ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe shoqërisë rreth llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së fëmijëve.

Published

on

“Ngom mu!” quhet kampanja që HANDIKOS ka lansuar sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku fëmijët me aftësi të kufizuara promovojnë avancimin e tyre, pjesëmarrjen dhe intervenimet që janë realizuar falë iniciativave dhe ngritjes së zërit të tyre.

Kampanja ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe shoqërisë rreth llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së fëmijëve.

Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hëna”, tha se për realizimin e të drejtave themelore të fëmijëve kanë avokuar tek institucionet përgjegjëse dhe kanë ngritur zërin për ato që ju takojnë. Ai tha se si grup kanë kontribuar edhe te procesi i Fletënotimit Komunitar i realizuar nga HANDIKOS në sektorë të ndryshëm si në edukim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Pjesëmarrja e tyre në këto procese, ai tha se ka prodhuar rezultate konkrete.

“Si rrjedhojë e pjesëmarrjes tonë në këtë proces kemi arritur disa rezultate madhore si, shndërrimi i dy klasave të bashkangjitura në klasa burimore në Ferizaj dhe në Gjakovë, si dhe mbështetja e krijimit të klasës burimore në shkollën Hilmi Rakovica në Prishtinë, duke kontribuar kështu direkt që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë më gjithëpërfshirës në shoqëri. Po ashtu ne e kemi krijuar edhe liftin e qasshëm në QKMF në Gjakovë dhe në Prishtinë, po ashtu kemi bërë një tualet të qasshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollën Ismail Qemaili në Prishtinë…Të gjitha këto rezultate ne kemi arritur duke na u dhënë mundësia që t’i shprehim shqetësimet tona dhe mendimet tona, që këto janë marrë parasysh. Kjo tregon fuqinë që mund ta ketë zëri ynë nëse ai dëgjohet, kështu që ‘ngom mu’”, tha ai.

Ndërkaq, Valid Zhubi, përfaqësues i Save the Children, u shpreh se në vazhdimësi punojnë për fëmijët që janë më të prekur nga pabarazitë dhe diskriminimet. Ai potencoi se fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre vazhdojnë të përballen me probleme të shumta.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë në punën tonë për fëmijët që janë më të prekur nga pabarazitë dhe diskriminimet dhe rregullisht adresojmë në nivele të ndryshme. Megjithatë, fatkeqësisht fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe fëmijët e prindërve me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbeten prapa. Ne punojmë për të siguruar që politik-bërësit dhe ofruesit e shërbimeve për të drejtat e fëmijëve në nivel lokal në Kosovë dhe organizatat e shoqërisë civile të jenë të vetëdijshëm për situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të veprojnë me sinergji për të përmirësuar situatën e tyre”, tha ai.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, u prezantuan edhe të gjeturat e raportit vlerësues mbi punën pesëvjeçare të HANDIKOS lidhur me llogaridhënien sociale dhe pjesëmarrjen e fëmijëve, në kuadër të projektit “Promovimi i parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në të gjitha mjediset”.

Artë Halimi nga HANDIKOS, tha se përmes këtij projekti kanë arritur rezultate konkrete, të cilat kanë ndikuar në fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Është një projekt, i cili ka prodhuar ndryshime të mëdha në fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara edhe komunitetit në përgjithësi, po në të njëjtën kohë ka promovuar bashkëpunimin midis ofruesve të shërbimeve dhe vetë fëmijëve me aftësi të kufizuara si urë lidhëse për bashkëpunime të mëtutjeshme dhe për përmirësim të mëtutjeshëm të shërbimeve për fëmijët…Procesi i Fletënotimit Komunitar është proces përmes të cilit përgjatë pesë viteve është iniciuar shtatë herë me gjithsej 15 institucione. Në sektorin e arsimit janë gjithsej tetë shkolla të cilat kanë përfituar prej procesit të Fletënotimit Komunitar në katër komuna target… Në arsim janë arritur disa rezultate kyçe, të cilat po dëshirojmë t’i ndajmë me ju, fillimisht janë shndërruar dy klasa të bashkangjitura në klasa burimore në Ferizaj dhe në Gjakovë, rezultat ky i cili më të vërtetë e pasqyron një sukses shumë të madh për shkak që me automatizëm e ka lehtësuar gjithëpërfshirjen e fëmijëve”, tha ajo.

Si suksese ajo përmendi edhe sigurimin e transportit për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet mësuesve të rregullt dhe atyre mbështetës. 

Lajmet

25 vjet nga 11 Shtatori, Haxhiu dhe Kurti: Kosova gjithmonë qëndron përkrah Amerikës

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 25-vjetorin e sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, Haxhiu dhe Kurti kanë vënë në pah solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin amerikan, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej ‘Amerikë jemi me ty’. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se shteti i Kosovës gjithmonë do qëndrojë krah Amerikës.

“Mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite. Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2 mijë e 977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja. Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-ve, jo vetëm se SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë janë për ti mbrojtur këto vlera”, tha ai. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nuk tregon nëse do të marrë pjesë në marshin për ish-krerët

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka treguar se a do të merr pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së, e cila do mbahet të shtunën.

Ai tha se më vonë do ketë përgjigje për çështje, që nuk kanë të bëjnë me 25-vjetorin e 11 shtatorit, raporton KosovaPress.

“Më vonë përgjigjemi për çështje të tjera, këtu jemi për 25-vjetorin e 11 Shtatorit”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë.

Sipas raportit policor, më 10 shtator janë kontrolluar pesë shtëpi të personave të dyshuar në rrugën “Shala e Bajgorës”, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi që ndërlidhen me rastin.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste me narkotikë në Prishtinë, konfiskohen mbi 300 gramë marihuanë dhe kokainë

Published

on

Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara