Lajmet

​Gazetarja ukrainase: Situata në Ukrainë e rrezikshme, rusët do të dënohen në gjykatat ndërkombëtare

Gazetarja ukrainase thotë se situata është e rrezikshme dhe se pak po raportohet nga mediat ndërkombëtare.

Published

on

“Ata do të kenë dënim në gjykatat penale ndërkombëtare pas shumë vitesh”, thotë gazetarja ukrainase për rusët të cilët kanë pushtuar vendlindjen e saj. Olena Solodovnikova tregon se ka numër të madh të grave e vajzave të cilat po dhunohen seksualisht, për çka uron që një ditë të vendoset drejtësia. Në intervistën për KosovaPress ajo flet për njëvjetorin e pushtimit të Ukrainës dhe luftën e tmerrshme që vazhdon. Tashmë ajo po qëndron në Kosovë bashkë me vajzën e saj dhe tregon për mikpritjen që i është ofruar gjatë kësaj kohe. Po ashtu, ajo pret gjatë këtij viti Ukraina të njeh pavarësinë e Kosovës.

Edhe pas 12 muajsh prej kur nisi agresioni rus në vendlindjen e saj, gazetarja ukrainase thotë se situata është e rrezikshme dhe se pak po raportohet nga mediat ndërkombëtare.

“Situata në Ukrainë vazhdon të jetë shumë e rrezikshme për të gjithë ne. Sepse është e paparashikueshme se kur fashistët rus do fillojnë të bombardojnë qytetin tonë, çdo qytet është në rrezik të vazhdueshëm, dhe për shembull një nga kolegët e mi shkoi në qytetin Kherson në jug të Ukrainës, i cili ishte i pushtuar, dhe tani është plotësisht i lirë, por ata vazhdojnë të bombardojnë qytetin çdo herë, dhe tani sulmet ajrore vazhdojnë atje çdo ditë. Por për fat të keq, në mediat ndërkombëtare tani Ukraina, që lufta ukrainas-ruse, është si diçka si “Oh, në rregull, ne e dimë për këtë, ajo po vazhdon dhe ne nuk e vërejmë këtë luftë edhe pse po vazhdon”, dhe kjo është diçka shumë e keqe, sepse tani, çdo ditë ne humbasim ushtarët tanë, njerëzit tanë, popullin ukrainas gjatë kësaj lufte, dhe njerëzit po mësohen me këtë. Këtë nuk mund ta imagjinoja kurrë se bota e vjetër mund të përdoret për luftë në vendin tim”, tregon ajo.

Derisa flet për gjenocidin që po bëhet në Ukrainë, ajo thotë se është e rëndësishme që e vërteta të jehojë kudo në botë. Ajo shpreson se për krimet e kryera në vendlindjen e saj, pas disa vjetësh do të merren edhe gjykatat penale ndërkombëtare.

“Ata vazhdojnë ta rinovojnë këtë qytet dhe nuk flasin për viktimat e këtij qyteti dhe kjo është e paparashikueshme, sa njerëz, sa gra do të abuzohen seksualisht atje dhe në Ukrainë tani, sepse shumë njerëz, dhe shumë gra, që ju vjen shumë turp për këtë, dhe nuk flasin zyrtarisht për këtë. Por dikush do flasë për këtë, dhe mendoj se do të kalojnë shumë vite më vonë, ashtu si në Kosovë dhe do të zbulojmë të vërtetën për numrin vërtet të madh të grave dhe njerëzve që luftuan dhe që u abuzuan seksualisht gjatë luftës ruso-ukrainase. Sepse rusët, siç e dini, abuzimi seksual është një nga armët e tyre. Ata donin t’i frikësonin gratë tona në këtë mënyrë. Ata janë si kafshët, rusët janë si kafshët, shumë prej tyre kanë dashur ta bëjnë këtë, dhe mendojnë “nuk kemi dënim për këtë, sepse nuk do dënohemi”. Por ata do të kenë dënim në gjykatat penale ndërkombëtare pas shumë vitesh”, shtoi ajo.

Gazetarja ukrainase u strehua në Kosovë fillimisht vet, meqë rrëfen se kishte frikë për shkak të propagandës ruse. Ajo tashmë po qëndron këtu bashkë me vajzën e saj, e cila vijon mësimin në gjuhën shqipe.

“Po, jemi këtu bashkë (me vajzën). Paraprakisht kam ardhur vetë sepse kam pasur dyshime për këtë vend dhe për situatën në kufi, do të thotë situatën nga kufiri i Serbisë, dhe kam bërë intervistë para një muaji me Albin Kurtin dhe kemi biseduar për atë situatë, dhe kjo është shumë, shumë keq sepse të gjitha rrënjët e situatës në Kosovë tani, në kufi, dhe të gjitha trazirat, ato janë plotësisht të lidhura me rusët, jo vetëm me serbët, por me rusët, njëjtë si në Ukrainë. Pra, e gjithë propaganda, e bazuar në të njëjtat pika si në Ukrainë, dhe në Serbi. Kështu që unë kisha pak frikë nga situata, por tani, kur erdha në fillim dhe isha e sigurt se ky është një vend i sigurt, erdha me vajzën time dhe tani ajo është në një shkollë në Kosovë, mëson anglisht dhe shqip, ajo ka bërë shumë miq këtu, dhe ajo është plotësisht e kënaqur me gjithë këtë”, shprehet ajo.

Kosova për Olenën ishte një vend krejtësisht i ri, por ajo tashmë ka shumë çfarë të tregojë për jetën që po e bën tash e më pak se një vit. Si pasojë e propagandës dhe dezinformimit, gazetarja ukrainase thekson se kishte pasur krejt bindje tjera për Kosovën, porse është befasuar me tolerancën dhe socializimin e kosovarëve.

“Kjo është shumë qesharake sepse më parë, kur nuk kam qenë kurrë këtu, mendoja se është një vend plotësisht mysliman, një vend ku gratë janë me mbulesë dhe ato janë shumë të mbyllura, të shtrënguara dhe të lidhura, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Sepse njerëzit janë shumë të hapur, dhe sa herë që kam ardhur këtu, p.sh., dje, kam ardhur me vajzën time në një kafene, ku kemi ngrënë një darkë të mirë këtu, dhe pronari më thotë: ‘Në rregull, mos paguani këtu, ju jeni nga Ukraina, mos paguani sepse ju jeni miqtë tanë’. Kështu, dhe për shembull, kjo është e paparashikueshme, kjo është çiltërsi dhe miqësi, dhe janë shumë të hapur me ne, sepse kur shkojmë me vajzën time gjashtëvjeçare në një vend, njerëzit, kosovarët, ata i afrohen vajzës time dhe përpiqen ta përqafojnë, asaj i pëlqen kjo. Por për mua, kjo ishte diçka shumë e çuditshme. Ëoë, kjo është diçka e dyshimtë. Pse këta njerëz janë kaq të hapur dhe miqësorë me fëmijën tim. Por pastaj e kuptova se është mentaliteti”, potencon Solodovnikova.

Pas agresionit rus, ajo humbi edhe bashkëshortin e saj, i cili ishte gazetar i njohur ukrainas. Ai nuk arriti të marrë tretmanin e duhur në spitalin ku jetonte për shkak të luftës. Siç tregon Olena, ai vdiq në dhjetor të vitit të kaluar.

“Familja ime, të afërmit e mi, disa nga të afërmit e mi kanë ardhur në Evropë, në Gjermani, sepse ata janë nga jugu i Ukrainës, nga Kharkiv. Dhe ai ishte një vend shumë i rrezikshëm në kufirin me Federatën Ruse. Unë isha e martuar, por fatkeqësisht në dhjetor, burri vdiq, ai ishte një gazetar i famshëm ukrainas, ai merrej me sektorin e të drejtave të njeriut, organizatën nacionaliste ukrainase, ai vdiq kur ishte vetëm 41 vjeç, për shkak të problemeve me stomakun. Sepse tani në Ukrainë, është shumë e vështirë të marrësh trajtim të mirë në spitale, dhe nuk dukej se ishte një problem i madh. Ai nuk ishte ushtar, por ishte në vijën e fronit si media në Ukrainë, dhe ai vdiq për shkak të luftës”, tregon ajo.

Olena Solodovnikova shpreson që shpejt vendi i saj do të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Shpresoj që Ukraina ta njohë Kosovën dhe disa nga deputetët tanë të bëjnë shumë më shumë gjëra për ta bërë këtë. Dhe unë mendoj se këto janë vetëm problemet burokratike midis vendeve tona tani, sepse fillimisht ukrainasit mbështesin popullin e Kosovës dhe janë plotësisht me ju. Dhe kur dëgjova për problemet me vizat për Kosovën, kjo është diçka qesharake. Dhe shpresoj që këtë vit ta njohim plotësisht vendin tuaj, zyrtarisht”, pëfundon gazetarja ukrainase.

Olena Solodovnikova është në mesin e shumë gazetarëve të cilët janë strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, të inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Një vit më parë sot, Rusia filloi një agresion të plotë të fqinjit të saj Ukrainë, duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që atëherë, dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur, qytete të tëra janë shkatërruar dhe miliona janë larguar nga vendi.

Continue Reading

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara