Lajmet

​Gastronomët duan lirim të masave, thonë se Qeveria s’ua përmbushi kërkesat

Published

on

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të bëjë një plan për sezonin veror, pasi iu ishte premtuar se nëse do të respektohen masat dhe bie numri i të infektuarve me COVID-19, atëherë do të ketë lirim të masave.

Megjithatë, nga kjo shoqatë thanë se këto premtime nuk po mbahen, ndërsa paralajmërojnë protesta në qoftë se nuk do të ulen së bashku me ekzekutivin për shqyrtimin e masave të reja.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve, Petrit Kllokoqi thotë për KosovaPress se qeveria nuk përmbushi kërkesat e tyre si dhe nuk mbajti premtimet, ndërsa shton se nuk iu dhanë as subvencionet e premtuara pas mbylljes dyjavore.

“Kur u vendos qeveria e re me një formë u dakorduam për mbyllje 12 ditore të gastronomisë, e cila ishte shumë e rëndë për ne, mirëpo pasi kishte subvencionim të pagave dhe të qirave ne e pranuam ku u premtua dhe u betua që do të jetë në fund të muajit prill në fillim të muajit maj ky subvencionim, kjo nuk ndodhi edhe në tani jemi me 10 maj dhe ende nuk kemi diçka konkrete më pas u bashkuam për të krijuar vet masat e reja ku u betuam ne si gastronomë që do t’i respektojmë edhe jemi duke i respektuar, më pas ishte premtim që nëse ne do i respektonim edhe do të binin numrat atëherë ministria do të lirojë masat që i bie në këtë rast orarin edhe distancën, ose diçka tjetër, mirëpo kjo nuk ndodhi prapë”, tha ai.

Kllokoqi kërkon nga Qeveria e Kosovës një plan të qartë për verën, pasi vendet e rajonit kanë filluar të hapen dhe vendi ynë po ngelet mbrapa.

Sipas tij, duhet që vaksinimi të ndodhë më shpejtë, pasi nuk mjafton respektimi i masave kur kufijtë janë të hapur dhe njerëzit orientohen drejt vendeve fqinje.

“Nuk ka ende Kosova ose Qeveria e Kosovës një plan për verën, kjo është duke na dëmtuar më së shumti. Ne jemi këtu duke kaluar në fazën më të keqe të Ballkanit si Kosovë po flas, sepse po shohim se Shqipëria ka hapur klubet e natës dhe është duke organizuar festivale për 10 mijë persona, njëjtë Serbia, njëjtë Mali i Zi të cilat vetëm kanë filluar kurse ne ende jemi duke pritur kontingjentin e dytë të vaksinave dhe kuptohet që ne i themi qeverisë që të orientohet drejt vaksinimit të popullit dhe jo ndaj metodave klasike të respektimit të masave sepse këto më nuk do të kryejnë punë sepse kufijtë janë të hapur edhe ti veç mundesh të më ndalosh një dasmë në Kosovë, por ne vetëm do t’i marrim këta njerëz dhe do të shkojmë të organizojmë dasmë në Shqipëri dhe paret do t’ia lëmë Shqipërisë dhe do të importojmë virusin në Kosovë”, tha ai.

Kllokoqi i bën apel Qeverisë së Kosovës që të ulen dhe të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje edhe për klubet e natës dhe për sallat e dasmave.

“Ne nuk është që nuk kemi organizuar protesta edhe në qeverinë e kaluar veç ja kemi marrë dorën kësaj pune, nuk është punë me dëshirë që e bëjmë ne tërë kohën i provojmë të gjitha rrugët alternative demokratike, kuptohet që ne e ftojmë prapë qeverinë që të bisedojmë dhe bashkërisht të ulemi t’i vendosim masat e reja, nuk po themi me i hap klubet e natës dhe sallat e dasmave pa asnjë distancë apo pa asnjë kontroll thjesht le të merr Instituti përsipër, ne do t’i mbulojmë ato shpenzime si biznese, për të kontrolluar sikur në vendet e rajonit siç po ndodh le të bën Instituti me ‘rapid test’ kontrollin e personave që hyjnë në klub ose në sallë dasmave dhe inspektorat e AUV-it le të na tregojnë për distancën ku duhet me u mirëmbajt këto. Po shpresoj që kanë me i hap sytë edhe veshtë me pa që edhe ekonomia është duke vuajtur edhe thjesht mos t’ia mësojnë diasporës një rrugë tjetër, mos ta humbim remitancën e vendit”, tha ai.

Masat e fundit të Qeverisë kufizuan qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:30 deri në 05:00, si dhe u lejuan gastronomëve vetëm 40 klientë për 100m2.

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara