Lajmet

​Gashi: Sanksionet janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën

Ai kërkoi sjellje të vetëdijshme politike karshi situatës së krijuar në komunat veriore.

Published

on

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara karshi Kosovës pas situatës së tensionuar në veri të vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës i vlerëson si jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën. Dhe sipas kësaj partie, Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të vijë në një moment të përballet me sanksione nga ShBA. Kështu deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili tha se situata në veri të vendit është delikate.

Ai kërkoi sjellje të vetëdijshme politike karshi situatës së krijuar në komunat veriore, Gashi theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po sillet në mënyrë tekanjoze dhe të paarsyeshme.

“Situata nëpër të cilën po kalon vendi është jashtëzakonisht delikate, prandaj ne nuk mund të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Ajo çka po shohim këto ditë në pjesën veriore të vendit është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kërkon sjellje të vetëdijshme politike dhe po ashtu veprime, të cilat janë në interes të vendit. Kryeministri i Kosovës për momentin duket se ka një sjellje tekanjoze dhe të paarsyeshme sidomos me deklaratat të cilat i bënë në drejtim të zyrtarëve më të lartë të vendeve partnerëve, të cilat janë të panevojshme, të paarsyeshme, të palogjikshme dhe absurde. Pra, një kryeministër i tillë nuk i duhet Kosovës, një sjellje e tillë e Kosovës me partnerët ndërkombëtar nuk i duhet hiç se hiç, ne sot më shumë se kurrë na duhet uniteteti i brendshëm dhe bashkëpunimi i palëkundër ndërkombëtar”, tha ai.

Lidhur me sanksionet e ShBA-ve karshi Kosovës, Gashi konsideron se këto sanksione janë diçka e rrezikshme për Kosovën.

Sipas tij, raportet e punës në mes kryeministrit Kurti dhe ShBA-ve janë të lënduara. Ai theksoi se institucionet e vendit duhet të shohin interesin shtetërore dhe të punojnë në ruajtjen e raporteve me SHBA-të.

“Sanksionet janë diçka jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën mendoj se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të vijë në një moment kur përballet ndërkombëtare sidomos me sanksione nga ShBA…Si duket nga ajo që ju dhe ne kemi informacione është informacion i pjesshëm raportet e punës me kryeministrin si duket raportet me kryeministrin e Kosovës janë të lënduara në raport me ShBA-të dhe partnerëve ndërkombëtar, prandaj edhe ka ardhur deri tek kjo situatë, sepse raportet e tyre të punës si duket nuk kanë besim reciprok dhe mirëbesim.. edhe deklarata e parë dhe e dytë e sekretarit Blinken po ashtu janë shqetësuese, por mendoj se Kosova duhet të shohë interesin shtetëror, institucionet e Kosovës duhet të shohin interesin shtetëror dhe të ruajnë raportet me ShBA-të, pra është interes shtetërore ruajtja e raporteve me SHBA dhe në këtë rast institucionet e kanë këtë përgjegjësi”, tha ai.

Sipas deputetit të LDK-së, opozita nuk po hesht karshi gjendjen së krijuar në veri të Kosovës dhe se në vazhdimësi kanë përkrahur institucionet e Kosovës. Ai tha se nëse opozita do të dilte me sugjerime konkrete kjo do të ishte e dëmshme për vendin.

“Opozita nuk po heshtë në vazhdimësi ka përkrahur institucionet e Kosovës, policinë dhe gjitha institucionet tjera dhe nuk është detyrë e opozitës dhe nuk mundet opozita në mënyrë proaktive me ndërhyrë në punën e institucioneve, sepse presupozohet se ka një strukturë të specializuar, e cila merret me vlerësim të rrezikshmërisë dhe nevojës për veprim dhe mos veprim. Prandaj, sikur ne të bëheshim proaktiv dhe të dilnim me sugjerime konkrete do të ishte e dëmshme për interesin e vendit prandaj ne kemi dhënë përkrahjen e plotë dhe të parezerv institucioneve të Kosovës…çdo masë proaktive që do të merrej nga opozita derisa situata është në zhvillim mendoj se do te ishte kundër-produktive dhe ne nuk jemi të interesuar që të marrim masa dhe veprime që janë kundër produkteve me interesin shtetërore. Ne nuk heshtim ne nuk duhet në asnjë formë të marrim përsipër detyra, të cilat janë ekskluzive kompetencë e institucioneve shtetërore kushtetuese”, theksoi ai.

Deputeti i LDK-së kërkoi nga institucionet e Kosovës të sillen me dinjitet dhe përgjegjësi karshi situatës së tensionuar në veri të vendit. Gashi theksoi se i dënojnë të gjitha veprimet e dhunshme huligane nga protestuesit serbë.

“Ne po kërkojmë në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës që të sjellen me dinjitet dhe përgjegjësi dhe po ashtu po japim përkrahje të parezervë për gjithë policinë, KFOR-in…..Si parti politike i dënojmë në mënyrën më të rëndë të mundshme veprimet e dhunshme huligane të disa prej huliganëve të ashtuquajtur protestues në veriun e Kosovës dhe përkrahim në mënyrë të parezervë të gjithë aktorët dhe faktorë që merren me sigurimin e demokracisë, rendit dhe ligjit dhe po ashtu me gazetarët që raportojnë nga terreni”, u shpreh ai.

Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it. Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Vendi

Qeveria miraton Projektligjin për Sigurime Shëndetësor; Vitia: Synojmë qasje universale dhe cilësi në shërbime

Published

on

By

Ekzekutivi i Kosovës i ka dhënë “dritën e gjelbër” Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore gjatë mbledhjes së mbajtur këtë mëngjes.

Pas prezantimit nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ky projektligj është miratuar për procedim të tutje, duke shënuar një hap drejt njërës prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë publike.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Vitia vuri theksin te rëndësia e kësaj nisme pas një periudhe të gjatë sfidash. Ai bëri të ditur se për hartimin e tij janë analizuar mangësitë e sistemit aktual dhe janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet realitetit ekonomik dhe social në vend.

“Është me rëndësi të veçantë të theksoj që ky projektligj vjen pas një periudhe të gjatë sfidash dhe diskutimesh,” u shpreh ministri Vitia, duke shtuar se synimi është krijimi i një ligji të zbatueshëm që u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Sipas ministrit, ky projektligj rregullon disa çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt popullatën:

  • Gjithëpërfshirja: Ligji synon qasje universale për të gjithë qytetarët dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
  • Financimi: Rregullohen kontributet për sigurime si burim shtesë financimi, krahas buxhetit aktual.
  • Paketa e përfitimeve: Parashihet një paketë adekuate shërbimesh që do të përditësohet çdo vit.

Ministri Vitia sqaroi se ligji siguron kushte të barabarta për të gjithë dhe rregullon mbarëvajtjen e sistemit.

“Ky ligj e përfshin gjithë popullatën duke synuar qasje universale dhe ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore,” deklaroi ai, duke nënvizuar se përmes këtij rregullimi do të ketë një performancë më të lartë në të gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Miratimi i këtij projektligji në Qeveri konsiderohet si një kthesë drejt funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore, proces ky që ka qenë pezull prej vitesh.

Continue Reading

Vendi

Qeveria procedon dy projektligje: Çmimet tavan dhe sigurimet shëndetësore

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dy projektligje që i ka cilësuar si jetike për qytetarët në mbledhjen e tetë të radhës së ekzekutivit.

Bëhet fjalë për Projektligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe atë për sigurimet shëndetësore, reforma këto që sipas kreut të qeverisë, synojnë mbrojtjen e xhepit dhe shëndetit të qytetarëve.

Sa i përket rregullimit të tregut, Kurti ka theksuar se Ligji për çmimet tavan do të shërbejë si mburojë në kohë krizash ekonomike.

Sipas tij, ky ligj “garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë”, duke u bërë një barrierë kundër abuzimeve në treg. Kryeministri shtoi se përmes kësaj nisme “parandalohen spekulimet dhe fitimet e pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve”, si dhe sigurohet një “reagim i shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”.

Një risi e këtij ligji, sipas Kurtit, është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës.

“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një rregullimi të tillë deri më tani u ka kushtuar shtrenjtë qytetarëve.

Në anën tjetër, mbledhja e qeverisë shënoi edhe rikthimin e një prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë.

Kurti bëri të ditur se po e risjellin Projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili ishte sfiduar më parë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

“Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për qytetarët dhe shëndetësinë publike,” tha Kurti, duke nënvizuar se qeveria do t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna. Ai e cilësoi këtë nismë si një shtyllë të fortë për shtetin, duke deklaruar se: “Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”.

Këto dy projektligje tani pritet të kalojnë në procedurat e mëtutjeshme parlamentare, ku pritet të ketë debate mes pozitës dhe opozitës.

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Të kërkuara