Qytetarë serbë nga Kosova dhe rajoni kanë nisur kremtimin e Vidovdanit, një datë me simbolikë të veçantë për historinë dhe mitologjinë serbe. Festimet nisën në mëngjes në Manastirin e Graçanicës dhe po vazhdojnë në Gazimestan, ku janë paralajmëruar edhe ardhje të tjera gjatë ditës.
Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie. Në hyrje të Gazimestanit, po zhvillohen kontrolle për të gjithë të pranishmit, ndërkohë që njësi të shumta policore janë të vendosura në terren, bashkë me forcat e KFOR-it.
Policia ka njoftuar se masat planifikuese dhe operative janë ndërmarrë për ruajtjen e rendit publik, menaxhimin e trafikut dhe sigurinë kufitare. PK ka apeluar për një manifestim të qetë, duke kërkuar nga qytetarët të shmangin provokimet dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e organeve të sigurisë.
Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e mëparshëm të komunës së Graçanicës që lejonte shfaqjen e flamurit serb për këtë rast, duke vlerësuar se një veprim i tillë ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë.
Vidovdani lidhet me Betejën e Kosovës të vitit 1389, ku princi serb Lazar humbi jetën. Në diskursin historik serb, kjo betejë përshkruhet si një humbje ushtarake por një fitore shpirtërore.
Gazimestani është gjithashtu një vend me ngarkesë historike dhe politike, pasi aty presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Millosheviq, mbajti një fjalim të njohur në vitin 1989, i cili shpesh shihet si paralajmërim i konflikteve që pasuan në Ballkan.