Lajmet

​Ekzekutohen pagat, ndërpritet greva e minatorëve në “Trepçë”

Abdurrahmani ka konfirmuar se në mesditë kanë ekzekutuar pagat e muajt korrik për të gjithë minatorët e minierës së Trepçës.

Published

on

Dhjetëra minatorë të ndërmarrjes “Trepça” edhe të enjten paradite në Stantërgë ishin në grevë shkaku i mosrealizimit të pagave për muajin korrik.

Ndërkohë u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani ka konfirmuar se në mesditë kanë ekzekutuar pagat e muajt korrik për të gjithë minatorët e minierës së Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepcës, Ibrahim Januzi, ka thënë për KosovaPress se minatorët gjenden në kushte shumë të rënda financiare, andaj po grevojnë për shkak të vonesës së pagave.

“Për shkak të mosrealizimit të pagave të minatorëve, ata po shprehin pakënaqësi përmes kësaj greve…Minatorët janë në kushte shumë të rënda për shkak të obligimeve ndaj institucioneve bankare, obligimeve familjare, planifikimeve të jetës së përditshme”, ka thënë Januzi.

Minatori Miftar Mehmeti theksoi se ka qenë i detyruar të krijojë raport me një bankë komerciale dhe tani për shkak të vonesës së pagesës së këstit mujor iu kanë paraqitur probleme. Ai shpreh hallin e tij se banka komerciale i ka dërguar disa herë mesazhe telefonike për të paguar këstin mujor.

“Është duke më ardhur mesazhi që tre herë prej banke për kredi”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Enis Abdurrahmani, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ka konfirmuar për KosovaPress se sot gjatë ditës, siç u shpreh ai falë subvencioneve të ndara nga qeveria, kanë ekzekutuar pagat për të gjithë minatorët e “Trepçës”.

Abdurrahmani thekson se ndërmarrja ka pasur disa kriza financiare si rezultat i rënies së çmimit të metaleve në bursë, kursit të paritetit mes dollarit dhe euros, si dhe disa problemeve tjera, të cilat, sic thekson ai, kanë ndikuar drejtëpërdrejt në vonesë të pagave.

“Sot janë ekzekuruar pagat për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Trepça” Sh. A. Pagat janë ekzekutuar falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe falë angazhimit të madh të Ministrisë së Ekonomisë….Kemi pasur disa kriza si rezultat i disa faktorëve të jashtëm të cilat janë të pa menaxhueshme nga ana jonë, siç janë rënia e çmimit të metaleve në bursë, kursi i paritetit të dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera që kanë qenë si rezultat i krizës së energjisë… Të gjithë këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes, ndërsa kjo është shoqëruar me rënie të produktivitetit, si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione”, u shpreh Abdurrahmani.

Minatorët kanë nis protestën një javë më parë shkaku i mosekzekutimit të pagave të muajit korrik.

Minatorët në Mitrovicë patën hyrë në grevë edhe një muaj më parë, në korrik për mos ekzekutimin e pagave të muajit qershor.

Lajmet

Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit

Published

on

By

Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.

Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

 

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”

Published

on

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.

Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.

Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.

Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Në Durrës hapet ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”

Published

on

Në qytetin e Durrësit është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun pamje të rralla të Shqipërisë së fillimshekullit XX.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Zvicrës në Tiranë dhe FotoKlub Durrës, duke ofruar një udhëtim të veçantë vizual përmes fotografive të realizuara nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij, Hélène Pittard.

Gjatë viteve 1921 dhe 1924, çifti Pittard udhëtoi nëpër Shqipëri duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, peizazhet dhe traditat shqiptare. Përmes objektivit të tyre, ekspozita sjell dëshmi autentike të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar, të ruajtura në fotografi me vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Në fjalën e saj, Klodiana Spahiu e vlerësoi këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke falënderuar organizatorët për sjelljen e kësaj ekspozite për publikun durrsak.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria nesër në skenën e Eurovision 2026, Alis Kallaci përfaqëson vendin me këngën “Nan”

Published

on

Shqipëria do të ngjitet nesër në skenën e madhe të Eurovision Song Contest 2026, ku do të përfaqësohet nga këngëtari Alis Kallaci me këngën “Nan”.

Performanca shqiptare pritet të sjellë emocion, ndjeshmëri artistike dhe interpretim vokal të fuqishëm, ndërsa fansat shqiptarë kanë shprehur mbështetje të madhe për këngën që do të prezantohet para publikut europian.

Alis Kallaci do të performojë më 14 maj në një nga netët më të rëndësishme të kompeticionit muzikor europian, duke synuar kualifikimin në finalen e madhe të Eurovisionit. Ndërkohë, delegacioni shqiptar tashmë ka mbërritur në Vjenë të Austrisë për të mbështetur përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë edicion të festivalit.

Eurovision Song Contest mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura muzikore në Evropë, ku artistë nga vende të ndryshme konkurrojnë për trofeun prestigjioz dhe vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Continue Reading

Të kërkuara