Lajmet

​Edhe Kurti sot në Paris, mund të ketë takim me Vuçiqin

Kurti ka thënë se në Paris mund të ketë një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Në një videomesazh, Kurti ka thënë se në Paris mund të ketë një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka bërë të ditur se për në Francë do të udhëtojë i shoqëruar nga gruaja e vet, derisa ka shtuar se me vete do të ketë edhe ekipin nga kryeministria.

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. Jam i gatshëm, i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për opsionet sa i përket marrëveshjes me Serbinë.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë. Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara”, ka njoftuar Kurti përmes një video në rrjetin social Facebook.

Continue Reading

Lajmet

Jashari pret në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave, me fokus të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave për zhvillimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.

Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndërron jetë një fëmijë dyvjeçar në Ferizaj, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një fëmijë i moshës dyvjeçare ka ndërruar jetë të hënën në Ferizaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fëmija është dërguar nga familjarët në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë shëndetësore, por më pas ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion dhe rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës sjell koncert në Prizren më 25 nëntor

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Prizren, me një program të përzgjedhur të muzikës korale, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve Jennifer Lucy Cook, Hajrullah Syla, Eric Whitacre, Anders Edenroth, Rafet Rudi dhe Ko Matsushita.

Koncerti do të mbahet më 25 nëntor 2026, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirën “Autostrada Hangar” në Prizren.

Të interesuarit mund t’i rezervojnë biletat përmes këtij linku./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara