Kronikë e zezë

​Dhunimi i 11-vjeçares, kërkohet ashpërsim i ligjit për dhunuesit e fëmijëve

Viktima e mitur e cila u dhunua nga pesë persona aktualisht ndodhet në strehimore.

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy prej pesë të dyshuarve për dhunimin e të miturës 11-vjeçare. Ndërsa, për kryesit e këtyre veprave nga Rrjeti i Grave të Kosovës po kërkohet dënim meritor.

Viktima e mitur e cila u dhunua nga pesë persona aktualisht ndodhet në strehimore.

Zëdhënësja për medie në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se njëri nga të arrestuarit është i mitur, kurse tjetri është i moshës madhore.

Sipas saj, Prokuroria bashkë me të gjitha institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Me urdhër të prokurores kujdestare nga departamenti për të mitur e njëjta ka ndaluar dy persona të përfshirë në këtë rast. Njëri prej tyre është i moshës madhore, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa personi tjetër i dyshuar i mitur, është ndaluar në kohëzgjatje prej 24-orësh, për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale të dhunimit e paraparë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht viktima në këtë rast është e mitur. Ndaj këtij rasti Prokuroria bashkë me të gjitha institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që ta sqarojnë në plotni këtë çështje penale. Aktualisht veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë dhe varësisht prej hetimeve edhe do t’iu mbajmë të njoftuar”, theksoi ajo.

E nga Rrjeti i Grave të Kosovës thonë se raste e tilla po tregojnë se institucionet e Kosovës nuk po punojnë sa duhet në trajtimin e dhunuesve.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK) tha se si organizatë nuk kanë shumë informacione për viktimën, përveç asaj që ajo është e sigurt dhe se tani ndodhet në strehimore.

Breznica u shpreh se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth 70% e rasteve që kërkojnë ekzaminim për dhunim janë të mitura.

“Padyshim që është e frikshme dhe e trishtë kur ne shohim lajme të tilla madje edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore tregon se 70 % të rasteve që kërkojnë të ekzaminohen në këtë institut janë të mitura dhe kjo na lënë shumë të kuptojmë se si institucionet tona vazhdojnë t’i trajtojnë rastet e dhunimit dhe abuzimit seksual, sidomos kur kemi të përfshirë të mitur, ne e dimë që rasti është i strehuar dhe është i sigurt tani për tani, por nuk kemi të dhëna më tutje”, u shpreh Breznica.

Breznica tha se është shumë shqetësues fakti se deri tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar, kurse tre të tjerë janë në liri.

Ajo kërkoi nga institucionet e Kosovës që për dhunuesit të japin dënime meritore sipas Kodit Penal të Kosovë dhe ligjeve tjera.

“Rastet e tilla duhet të dënohen apo duhet të dalin menjëherë në paraburgim dhe jo të lirohen brenda 24 apo 48 orëve. Deri në vendimin e gjykatës, personat e dyshuar duhet të jenë në arrest të plotë. Gjithashtu, për Rrjetin e Grave është mjaftueshëm shqetësuese fakti që deri tani vetëm dy nga të dyshuarit janë të arrestuar, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të jenë të lirë. Duke qenë që vazhdimisht kemi rast në rritje, vlen të theksohet se institucionet tona nuk janë duke punuar mjaftueshëm me trajtim të dhunues apo duke dhënë dënime meritore për raste të tilla. Institucionet tonë duhet të punojnë më shumë dhe duhet të japin dënime meritore sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës apo ligjeve të tjera”, tha ajo.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila duke e konsideruar si akt çnjerëzor kërkoi hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët. Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra. Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me radhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve .Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, ka shkruar ajo në Facebook.

E në raportimin 24-orësh të Policisë së Kosovës ishte raportuar edhe për një rast tjetër të dhunimit në Fushë-Kosovë.

Vendi

Arrestohet një burrë në Prishtinë për ngacmim seksual dhe armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Një burrë është arrestuar mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë, nën dyshimin për ngacmim seksual dhe armëmbajtje pa leje, njofton Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Sipas raportit policor, një grua ka raportuar se i dyshuari i kishte dërguar një mesazh ngacmues dhe një fotografi intime.

Pas arrestimit, gjatë kontrollit në posedim të tij është gjetur dhe konfiskuar një armë pa leje, një karikator dhe tre fishekë.

I dyshuari është intervistuar nga njësitet policore dhe me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, arrestohen disa të dyshuar

Published

on

By

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në disa komuna të Kosovës, njofton Policia e Kosovës në raportin e saj ditor.

Në Prishtinë janë shënuar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi dyshohet se ka ofenduar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar me urdhër të prokurorit të enjten, nën dyshimin se një burrë kishte shqetësuar një grua ditë më parë.

Edhe në Gjilan është arrestuar një burrë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë është raportuar një mosmarrëveshje mes një nëne dhe djalit të saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe lënda ka shkuar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, në Rahovec është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka keqtrajtuar mbesën e tij të mitur. Pas njoftimit të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Malishevë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

Ndërsa në një rast tjetër të raportuar në nivel vendi, një burrë është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Një person gjendet i vdekur në banesën e tij në Prishtinë

Published

on

By

Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së enjtes në banesën e tij në Prishtinë, njofton Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Rasti është raportuar rreth orës 09:30, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për mashtrim me investime të rreme, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Published

on

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje të parave.

Aksioni është realizuar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera policore, Njësia Speciale FIT dhe AKI.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, është gjetur edhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente që lidhen me rastin.

Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara