Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se rrëmbimi i shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, nga autoritetet serbe, ka ndodhur brenda territorit të Kosovës. Ajo e cilësoi këtë si krim dhe provokim të rëndë nga Serbia.
Sipas të parës së vendit, edhe po të kishte ndodhur rrëmbimi brenda territorit të Serbisë, përsëri ky do të ishte provokim i rëndë dhe cenim i stabilitetit të Kosovës.
Më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
“Sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë të shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme të institucioneve të sigurisë, ju keni parë deklarimet e Policisë së Kosovës, por edhe të institucioneve të tjera të sigurisë, se e kanë të njëjtin konkluzion se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Mirëpo përtej kësaj, pavarësisht se ku ka ndodhur, kjo është krim, provokim i rëndë dhe tentim vrasje nga institucionet shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Kosovës. Kjo, sikur të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë gjë që nuk është e vërtetë përsëri do të ishte provokim i rëndë dhe në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht”, tha ajo.
E para e vendit tha se që nga momenti i incidentit, ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e QUINT-it dhe me institucionet vendore për ta ndjekur rastin nga afër.
“Si presidente jam në komunikim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, por edhe me përfaqësues të tjerë në lidhje me këtë që ka ndodhur – me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë të plagosurin, por nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që i kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Përveç kësaj, institucionet tona shtetërore janë në komunikim edhe me familjen e të plagosurit, qytetarit tonë, si dhe me të gjithë dëshmitarët,” përfundoi ajo.
Këto komente ajo i bëri pas pjesëmarrjes në forumin e EULEX-it në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, me temën “Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës”./KP