Lajmet

​Dëshmitari Parduzi rrëfen se si ishte plagosur dhe kur ishte takuar me Salih Mustafën

Kapllan Parduzi tregoi se nga maji i vitit 1998 ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht brigadës 151.

Published

on

Kapllan Parduzi është dëshmitari i tetë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili sot para trupit gjykues në Hagë ka folur për takimet me të akuzuarin që sipas tij kanë ndodhur në korrik të vitit 1998. Dëshmitari Parduzi ka treguar për plagosjen e tij më 10 prill 1999 dhe ku ishte trajtuar dhe si ishte tentuar për ta dërguar në Maqedoni për shërim. Ndërkohë që ka treguar edhe sesi ishte ndihmuar nga Salih Mustafa. 

Dëshmitari Kapllan Parduzi u shpreh se për herë të parë Salih Mustafën e ka takuar me më shumë gjasa në Bajgorë, sepse aty sipas tij, Mustafa sillte njerëz për t’u rekrutuar në UÇK.

Kapllan Parduzi tregoi se nga maji i vitit 1998 ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht brigadës 151.

Parduzi i është përgjigjur pyetjeve të avokatit, Betim Shala. 

Avokati Shala: Salih Mustafën nga cila periudhë kohore e njihni?

Dëshmitari: Fizikisht e njoh prej ‘98, kurse si Salih e njoh shumë herët sepse ka qenë i përndjekur ka shkruar edhe shtypi dhe e kam njohur përmes shtypit si emër, por fizikisht në 98’ën.

Avokati Shala: Ku e keni takuar fillimisht në vitin 1998 nëse iu kujtohet?

Dëshmitari: Mund të jem i gabuar por ose në Bajgorë ose në Zabërgj, ka gjasë më të mëdha në Bajgorë sepse në atë kohë sillte njerëz që dëshironin të kyçen në UÇK, në radhët e saj dhe i sillte për ushtrime ushtarake.

Avokati Shala: a ju kujtohet a keni pasur kontakt personal dhe sa ka zgjatur?

Dëshmitari: Po kemi pasur kontakt sepse ka qenë absurditet të mos takohemi, jemi përshëndetur, kohëzgjatja mund të them maksimumi një orë, mund të jetë më pak por jo më shumë.

Avokati Shala: Thatë se Salih Mustafën e keni takuar në vitin 1998. A iu kujtohet data apo muaji i viti 1998 që e keni takuar Salih Mustafën?

Dëshmitari: Data nuk mund të më kujtohet sepse nuk kemi mbajtur shënim, muaji mund të ketë qenë korriku megjithatë mund të jetë korriku përafërsisht po nuk jam i saktë.

Avokati Shala: Gjatë atij takimi a jeni interesuar për veprimtarinë e Salih Mustafës në periudhën kohore 1998?

Dëshmitari: Veprimtaria e Salih Mustafës ka qenë edhe veprimtari e imja sepse kemi qenë e kemi pasur një qëllim, ka qenë gjetja e radhëve të UÇK-së, kjo ka qenë.

Avokati Shala pyeti dëshmitarin Parduzi se a ka qenë në Zllash dhe pse ka qenë aty.

Parduzi tha se ka qenë 4-5 herë për të dërguar armatim, dhe se ka marrë veshmbathje dhe ushqime të cilat i ka dërguar në Bradash.

Avokati: Gjatë vitit 1998 dhe deri në qershor të vitit 1999 ju personalisht a keni qenë në fshatin Zllash?

Dëshmitari: Po kam qenë.

Avokati: Sa herë keni qenë?

Dëshmitari: Në 98’ën kam qenë njëherë i kemi dërguar disa armë dhe municion dhe në 99’ën kam qenë 2 ose 3 herë, gjithsej 4-5 herë.

Avokati: Herën e parë kur keni shkuar në Zllash në vitin 1998 a iu kujtohet në cilin muaj apo datë të viti 1998 keni qenë aty?

Dëshmitari: Datat janë shumë të rralla që të mbahen mend sepse nuk kemi qenë në situatë që të mbajmë ditarë dhe shënime dhe të shënohen data sepse ka qenë jeta tepër dinamike, ngjarjet janë zhvilluar shumë dinamike dhe fatkeqësisht edhe dramatike, nëse nuk gaboj ka qenë diku tetori i 98’tës i kam dërguar disa armë dhe municion dhe kam marr ndihma veshmbathje, ushqimore prej Zllashit sepse ka qenë një qendër pikë grumbulluese e nevojave për ndihma në tërë zonën.

Avokati: në cilin vend jeni pajisur me atë armatim?

Dëshmitari: Armatimin e kam marr në brigadën 151 në Bradash.

Dëshmitari i tetë në rastin e Salih Mustafës tregoi se dje më 10 prill janë bërë 23 vite prej kur ishte plagosur.

Ai tha se ka qenë shumë rëndë i plagosur dhe nga shokët e tij është bartur në Turuqicë dhe më pas e kanë dërguar në një spital të improvizuar në fshatin Potok, ku në pjesën dërrmuese rruga ishte siguruar nga Salih Mustafa.

“Më 10 prill 1999 që i bie nuk e di a është koincidencë apo e qëllimshme, të shtunën e kaluar bëhen 23 vite, kurse me datë 23 dhe pas 23 vite gjenden para Dhomave të Specializuara… Kam qenë tepër rëndë i plagosur ka qenë edhe komandat Leka por ma lehtë dhe ai ka vazhduar luftimet tërë ditën dhe mua më kanë bartur disa shokë në fshatin Turuqic… Nga aty e kemi pasur spitalin e improvizuar në fshatin Potok”, u shpreh Parduzi.

Në spitalin e improvizuar në Potok, ai tha se ka qëndruar diku deri tek fundi i prillit 1999, ku më pas janë zhvendosur në fshatin Popovë për shkak të luftimeve dhe granatimeve të përditshme.

Nga fshati Popovë, Parduzi tha se i kanë marrë dhe i kanë dërguar në Zllash, me qëllimin për ta deportuar nga aty për në Tetovë, për shërim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, në Zllash tha se sa i kujtohet sigurisht ka qenë diku në fund të prillit ose në fillim të majit, porse theksoi se nuk është i sigurt, kjo kur ishte bërë tentimi i parë për të kaluar në Maqedoni, që nuk kishte pasur sukses. Ndërkaq, tha se e kishte parë Salih Mustafën në Zllash, kalimthi.

Avokati: Në fund të prillit dhe fillimi të majit 1999 kur keni shkuar në Zllash me qëllim që tu iu transportojnë për Maqedoni a e keni takuar Salih Mustafën?

Dëshmitari: Po e kam parë kalimthi.

Avokati: A ju kujtohet herën e parë kur keni qenë në Zllash fundi i muajit prill dhe fillimi i muajit maj i viti 1999 kur them herën e parë e lidhin me tentimin për të shkuar në Maqedoni a iu kujtohet se ku keni qenë i vendosur?

D]ëshmitari: Po më kujtohet.

Avokati: A mund të na tregoni ku?

Dëshmitari: Po, në një shtëpi private e imporvizuar nuk e di çka t’i them një lloj ambulante, po e quaj kushtimisht spital, sepse nuk ka qenë spital por e asaj natyre sa me pushua dhe me mundur me i marr shërbimet elementare infuzion, injeksion e kështu.

Sipas tij, tentimi i dytë ishte bërë rreth 20 majit, apo ka mundur të jetë 15 maji, ku kësaj here kanë arritur me sukses të kalojnë në Maqedoni dhe se personalisht i kishte përcjellë Salih Mustafa deri në një fshat.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara