Lajmet

​Dëshmitari i gjashtë thotë se nuk e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999

Vazhdimi i dëgjimit të këtij dëshmitari me pyetjet e avokatit të Shalës, është vijuar në disa raste në seancë private.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dëshmitari që mban numrin 11 në seancën me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka thënë se në vitin 1999 nuk e ka njohur Pjetër Shalën.

Vazhdimi i dëgjimit të këtij dëshmitari me pyetjet e avokatit të Shalës, është vijuar në disa raste në seancë private. Avokati mbrojtës i Shalës e ka pyetur për vendin ku janë mbajtur dhe për diskutimin që kishte pasur me Xhemshit Krasniqin.

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999, kur pretendon se është ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.

Louis Gilissen: Në vitin 1999, a e njihnit ndonjë që quhej Pjetër Shala, ku ishit në fabrikën e metalit në Kukës?

Dëshmitari: Jo.

Në përgjigjet e tij, dëshmitari ka mohuar se e ka njohur para vitit 1999, Xhemshit Krasniqin. Më tej, ka shtuar se i njëjti ka pasur lidhje në ndalimin dhe arrestimin e tij.

Derisa avokati e ka pyetur dëshmitarin se a është tifoz futbolli, seanca është mbajtur e mbyllur.

Pas kthimit në seancë publike, dëshmitari ka folur për vendin se ku kanë fjetur.

Louis Gilissen: Gjatë kohës që keni qenë i ndaluar, a keni pasur batanije ose dyshekë në dispozicion?

Dëshmitari: Po, kemi pasur. Vetëm në një periudhë një-ditore na janë hequr prej dhomës.

Louis Gilissen: Po dhe atë që unë quaj ‘u zhdukën batanijet’ dhe dyshekët, a keni diskutuar këtë çështje me Xhemshit Krasniqin, pra fakti që janë zhdukur dyshekët dhe batanijet?

Dëshmitari: Unë nuk e kam njohur Xhemshit Krasniqin dhe në një moment kur ka ardhur te dera dhe na ka parë në beton çka kemi qenë, pa batanije, na pyete prej kur, aty tregoj që ‘unë jam Xhemshit Krasniqi’, aty e kuptova dhe ndërkohë brenda ditë brenda ditës na kanë sjellur batanijet dhe dyshekët prapë në dhomë.

Tutje, dëshmitari tha se Xhemshit Krasniqi nuk ishte në dijeni për heqjen e dyshekëve dhe batanijeve nga dhoma ku po mbaheshin.

Derisa është pyetur për lëndimet që ka marrë, dëshmitari i ZPS-së ka pretenduar se këto ishin të dukshme dhe as për këtë nuk ishte në dijeni Xhemshit Krasniqi. Ai ka theksuar se pas diskutimit me të, nuk është rrahur më.

Louis Gilissen: A ju kujtohet një moment kur zotëri Krasniqi i pa këto lëndime dhe diskutoi me ju për këtë gjë?

Dëshmitari: Po.

Louis Gilissen: A mund t’i shpjegoni trupit gjykues se çfarë ndodhi dhe çfarë diskutuar me zotëri Krasniqin, si ndodhi?
Dëshmitari: Ai më bëri pyetjen se kush më ra dhe a e kam parë atë person që më ka ra, i thash që ‘jo nuk e kam parë, nuk e kam njohur, e kam pasur kokën ulët dhe për një moment dhe për një moment e kam ndjerë dhimbjen në sy’.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, dëshmitari tha se kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Krasniqi u solli batanijet dhe dyshekët.

Në lidhje me intervistimin nga Osman Kryeziu në fabrikën e metalit në Kukës, dëshmitari pretendoi se ai i kishte thënë se ‘është i befasuar që ai është brenda’.

Dëshmitari i mbrojtur ka shtuar se ai ishte liruar pas dy jave, prej kohës kur ishte intervistuar.

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës e ka ballafaquar me deklaratat e mëhershme dëshmitarin.

Louis Gilissen: ‘Ishte shumë i befasuar kur i thash, ai tha se kuptoj pse je këtu dhe më pyeti a jeni intervistuar, unë i thash jo dhe të nesërmen unë shkova në shtëpi’. Kjo është pikërisht, këtë dua që dëshmitari të më komentojë, për këtë fjalinë e fundit?

Gjykatësja: Zotëri dëshmitar, a ju kujtohet që jeni liruar të nesërmen?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet se unë jam liruar kur është hapur dera që ka hy NATO në Kosovë, atëherë është hapur dera dhe kam dal jashtë unë. Tjetër nuk më kujtohet.

Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara