Lajmet

​Dëmet materiale si pasojë e vërshimeve në Istog konsiderohen të jenë të mëdha

Situata është më e qetë sot krahasuar me dje.

Published

on

Përkundër që sot në Istog është më qetë dhe nuk ka vërshime të tjera, zjarrfikësit ende po ndihmojnë qytetarët për largimin e ujit nga bodrumet e tyre, e dëmet materiale kryesisht bujqësore po vlerësohen të jenë të mëdha.

Skender Hasangjekaj, udhëheqës i sektorit për mbrojtje dhe shpëtim në Istog, tha se sot është situata më e qetë krahasuar me dje. Ai tha se 16 fshatra të kësaj komune, përfshirë edhe qendrën e Istogut, janë përfshirë nga vërshimet e djeshme si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Sot e kemi situatën më të qetë realisht. Ditë e vështirë ka qenë ajo e djeshmja ku nga orët e hershme të mëngjesit janë vërejtur vërshimet fillimisht në qendër të Istogut nga Lugu i Bollovanit… Kemi angazhuar gjithsej 7 kompani private dhe publike me automjete të rënda si bager e kamionë për pastrimin e objekteve. E kemi ndarë gjithë territorin e Istogut në 7 regjione sipas rreziqeve dhe i kemi ndarë kompanitë, në mënyrë që të ketë lëvizshmëri për të mbuluar gjithë territorin e Komunës. Më së vështiri ka qenë nga Bollovani, qendra e Istogut, te Sheshi i Gjakut, ku kemi pasur prurje të gurëve dhe zallit me shumicë. Fshati Llugat e Sarandranit dhe fshati Zabllac kanë qenë si fshatra më të rrezikuara dhe një pjesë e Kaliqanit këto kanë qenë tri fshatrat më të rrezikuara dhe ku është parë theksi më i veçantë… Përgjithësisht, i kemi diku 16 fshatra që janë përfshirë më shumë. Këto tri fshatra kanë rrezikshmëri më të madhe në objekte të banimit, ndërsa në fshatrat tjera janë në rrugë, infrastrukturë dhe bujqësi”, tha ai.

Derisa ka shtuar se momentalisht situatën e kanë nën kontroll, Hasangjekaj tha se për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara tashmë janë krijuar komisionet përkatëse.

“Dëmet janë relativisht të mëdha. Kryetari ka formuar tri komisione të ndara nga shërbime publike për infrastrukturë dhe objekte të banimit dhe bujqësi”, tha ai.

Hasangjekaj theksoi se në 20 vjetët e fundit nuk ka pasur vërshime më të mëdha se këto të këtyre ditëve.

Lidhur me mbarëvajtjen e mësimit në tri shkollat që sot për shkak të gjendjes së krijuar nuk kanë mbajtur mësim, ai tha se nga nesër do të vazhdojë mësimi normalisht.

“Për ditën e sotme është vlerësuar se tri nga shkollat për ditën e sotme kanë qenë gjimnazi, shkolla ‘Bajram Curri’ dhe shkolla e Rakoshit nuk kanë mbajtur mësim… Besojmë që për momentin siç është situata gjatë ditës së sotme, do të vijojë mësimi edhe në këto shkolla”, theksoi Hasangjekaj.

Kreshnik Fejza, banor, po vlerëson se nga vërshimet e djeshme ka pësuar dëme rreth 12 mijë euro. Ai thotë se përveç ndihmës nga zjarrfikësit që po largojnë ujin nga bodrumi i shtëpisë se tij, nga komuna nuk është bërë ende asnjë inspektim.

“Dëmet janë goxha të mëdha, sepse këtu e kemi bodrumin, kemi pajisjet për ngrohje qendrore, peletin dhe mjete të tjera… Vetëm zjarrfikësit (kanë qenë), sepse komuna nuk ka qenë ende asnjë inspektim asgjë nuk është bërë… Diku 10-12 mijë euro (dëmet)”, tha ai.

Edhe në komunën e Gjakovës situata është më stabile. Ndërsa komuna e Vushtrrisë sot ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës me vërshime.

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Baleti i Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në një skenë, publiku duartroket për 10 minuta

Published

on

Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.

Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.

E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.

Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara