Lajmet

​BE dhe UNDP ndihmojnë mbi 7 mijë familje në varfëri të skajshme për gjashtë muajt e ardhshëm

Published

on

Mbi 7 mijë e 500 familje në varfëri të skajshme do të përfitojnë kuponë për ushqim, higjienë dhe artikuj të tjerë të nevojshëm për gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa qendrat për punë sociale në tërë territorin e Kosovës do të kenë burime njerëzore shtesë prej 40 punëtorëve socialë.

Krejt kjo falë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilët sot kanë lansuar projektin e përbashkët për të ndihmuar qytetarët e prekur nga COVID-19.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se periudha e krizës si rezultat i pandemisë me COVID-19 ka rritur pabarazitë shoqërore dhe se gjendja e personave me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve është përkeqësuar.

“BE është këtu për të ndihmuar popullin e Kosovës, fushata e vaksinimit ka filluar dhe ne po punojmë shumë intensivisht me qeverinë dhe partnerët për të siguruar që të arrijmë sa më shumë doza të vaksinave në periudhë sa më të shkurtër. Paralelisht kemi lansuar programin BE për mbrojtje sociale, kemi ndihmuar rreth 200 mijë persona të cenueshëm përmes skemave të mbështetjes, ndihmave humanitare dhe banim për familje, gratë dhe për t’i ndihmuar më mirë atyre familjeve dhe individëve të cenueshëm. Sot kemi kënaqësinë të dorëzojmë dy rezultate konkrete të këtij programi të BE-së, si rezultat i dy aktiviteteve që janë zbatuar nga UNDP. Aktiviteti i parë është ndihma ekonomike për familjet që jetojnë në varfëri, pra shpërndarja e kuponëve 7 mijë e 500 familje, këta kuponë mund të përdoren për të blerë ushqime, higjienë dhe artikujt të tjerë thelbësor për të mbajtur amvisëritë në gjendje të dinjitetshme. Rezultati i dytë është vendosja e punëtorëve të kualifikuar në Qendrat për Punë Sociale, 40 sosh”, tha ambasadori Szunyog.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, tha se pandemia në Kosovë ka goditur ata që tashmë veç kishin vështirësi, por që tha se tashmë janë bashkuar për t’iu ofruar ndihmë atyre që janë goditur më së shumti nga pandemia.

Suokko tha se projekti do të ofrojë mbështetje atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, gratë kryefamiljare dhe viktimat e dhunës mbi baza gjinore.

“Kosova dhe populli i saj nuk janë kursyer nga efektet e pandemisë, kriza ka goditur në veçanti ata të cilët tashmë kishin vështirësi që t’ia dilnin mbanë. Në kulmin e krizës UNDP, BE, Ministria janë bashkuar për të planifikuar si të ofrojnë ndihmë të menjëhershme atyre që janë goditur më së shumti. Kjo iniciativë do të ofrojë mbështetje për ata që jetojnë në varfëri apo atyre që luftojnë në margjina të shoqërisë, amvisëritë me gratë si kryefamiljare, viktimat e dhunës mbi bazë gjinore, njerëzit që jetojnë në vende të largëta me qasje të kufizuar në shërbime sociale”, tha ajo.

Suokko tha se nga 40 vullnetarët për Qendrat për Punë Sociale, 90 për qind prej tyre janë gra, ndërsa 18 për qind nga komunitet jo shumicë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se si ministri e vlerësojnë këtë projekt qëllimi i së cilës është lehtësimi i barrës financiare që kanë ekonomitë familjare që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore në institucionet e Qendrave për Punë Sociale. Ai tha se si pasojë e pandemisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit ka pasur ndikim në rritjen e çmimeve sidomos në artikujt ushqimorë, e kjo sipas tij ka rënduar barrën e familjeve me asistencë sociale.

“Ky program është i mirëseardhur për mbështetjen e atyre familjeve me kuponë ushqimorë, pra do të jenë rreth 7 mijë e 500 familje që përfitojnë për gjashtë muaj, e ku si kritere për përzgjedhjen e këtyre familjeve kanë qenë fillimisht nga familjet që kanë prindër vetushqyes, familjet që kanë anëtar me aftësi të kufizuara, familjet që jetojnë në zona të thella rurale, si dhe familje të tjera me gjendje të rëndë socio-ekonomike. Po ashtu, masa 15 e pakos emergjente fiskale ka treguar që ka hapësirë shumë përtej nivelit ekzistues për zgjerimin e skemës së asistencës sociale, prandaj ne si ministri jemi të përkushtuar që të luftojmë në këto dy fronte. Pra, në njërën anë duke ofruar më tepër ndihmë për ata që kanë më tepër nevojë, por në anën tjetër duke targetuar dhe duke rikonstrukturuar skemat sociale dhe pensionale asisoj që të mbështeten fillimisht ata që kanë nevojë me tepër për mbështetje, kurse ata që janë të aftë dhe kanë mundësi për punë t’u ofrohet mundësi e punësimi në mënyrë që edhe ato familje të kenë mundësi të përfitojnë një pagë të dinjtetshme nga puna e tyre”, tha Murati.

Murati tha se përkushtimi i tyre do të vazhdojë, për çka tha se kanë paraparë ofrimin e skemës për punësim sezonal për familjet në skemat e asistencës sociale.

Projekti i Ndihmës Humanitare financohet nga BE dhe implementohet nga UNDP. 

Lajmet

United Hospital avancon shërbimet e kirurgjisë kardiovaskulare, bypass-i koronar ndër ndërhyrjet kryesore për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Published

on

By

Prishtinë – United Hospital po promovon shërbimet e specializuara në fushën e kirurgjisë kardiovaskulare, duke vënë në pah rëndësinë e ekspertizës mjekësore, teknologjisë bashkëkohore dhe bashkëpunimit multidisiplinar në trajtimin e pacientëve me sëmundje të zemrës.

Në kuadër të këtyre shërbimeve, kirurgu kardiovaskular, PhDc. Dr. Raif Çavolli, prezanton mundësitë e trajtimit që ofrohen në këtë institucion shëndetësor, përfshirë bypass-in koronar (CABG), kirurgjinë e valvulave të zemrës, kirurgjinë e aortës dhe operacionet e kombinuara kardiake.

Bypass-i koronar, ndërhyrje për përmirësimin e qarkullimit të gjakut në zemër

Një ndër procedurat kryesore të kirurgjisë kardiovaskulare është bypass-i koronar, i cili realizohet për të krijuar rrugë alternative për qarkullimin e gjakut, duke anashkaluar arteriet koronare të ngushtuara ose të bllokuara.

Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë furnizimin e muskulit të zemrës me gjak dhe oksigjen. Te pacientët e përzgjedhur sipas vlerësimit mjekësor, bypass-i koronar mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve të gjoksit, përmirësimin e tolerancës ndaj aktivitetit fizik dhe rritjen e cilësisë së jetës.

Sipas materialeve informuese të publikuara nga United Hospital, procedurat CABG mbështeten edhe nga përdorimi i ekokardiografisë transesofageale (TEE), një metodë diagnostikuese që mundëson vlerësimin e strukturave dhe funksionit të zemrës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

Përdorimi i kësaj teknologjie i ndihmon specialistët të monitorojnë gjendjen e zemrës në kohë reale dhe të marrin informacione të rëndësishme gjatë operacionit. Zgjedhja e metodës së trajtimit dhe e teknikave të monitorimit përcaktohet në bazë të gjendjes klinike dhe nevojave individuale të pacientit.

Ekipi multidisiplinar në qendër të trajtimit

Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, United Hospital thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet specialistëve për planifikimin dhe realizimin e trajtimit.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm ka Heart Team (Ekipi i Zemrës), i cili përfshin kardiokirurgë, kirurgë vaskularë, kardiologë, radiologë, anesteziologë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë, sipas nevojës së rastit.

Përmes këtij bashkëpunimi, synohet që secili pacient të vlerësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të përcaktohet qasja më e përshtatshme e trajtimit, duke marrë parasysh diagnozën, gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe përfitimet e mundshme të ndërhyrjes.

Kujdesi për zemrën kërkon vlerësim të hershëm dhe trajtim të përshtatshëm

United Hospital u bën thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë shqetësimet që lidhen me shëndetin e zemrës dhe të kërkojnë këshilla profesionale kur paraqiten simptoma apo faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare.

Vlerësimi nga specialistët është i rëndësishëm për identifikimin e problemit dhe përcaktimin e trajtimit të nevojshëm. Jo çdo pacient me sëmundje të arterieve koronare ka nevojë për bypass, ndaj vendimi për ndërhyrje kirurgjikale merret pas ekzaminimeve përkatëse dhe vlerësimit të ekipit mjekësor.

Për konsultime kardio-kirurgjikale dhe informata rreth shërbimeve, të interesuarit mund të kontaktojnë United Hospital në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70.

Spitali ndodhet në magjistralen M2 Prishtinë–Ferizaj, në kilometrin e shtatë, në Prishtinë.

Për konsultime kardio-kirurgjikale dhe informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë spitalin në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose ta vizitojnë në adresën M2, Prishtinë–Ferizaj, kilometri i 7-të, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/

Continue Reading

lajme

Elita nga Kosova përzgjidhet ndër 10 mentorët më të mirë në botë në FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Elita Hajrizi, mentore e ekipit First Kosova, është përzgjedhur ndër 10 mentorët më të mirë në botë në garën e mbajtur në Incheon të Koresë së Jugut, duke vënë në pah rëndësinë e mentorimit dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja.

Ky vlerësim vjen pas një procesi përzgjedhës, në të cilin mentorët pjesëmarrës në garë u ftuan për intervista, ndërsa një juri përzgjodhi dhjetë mentorët që u dalluan për kontributin e tyre. Përzgjedhja e Elita Hajrizit në mesin e tyre përbën një mirënjohje për angazhimin e saj në mbështetjen dhe zhvillimin e të rinjve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe robotikës.

Roli i mentorëve në FIRST Global Challenge shkon përtej përgatitjes teknike. Ata i udhëheqin të rinjtë në procesin e të nxënit, i mbështesin në zgjidhjen e problemeve dhe i motivojnë të punojnë si ekip, duke zhvilluar aftësi që u shërbejnë edhe përtej garës.

Përzgjedhja e Elita Hajrizit ndër dhjetë mentorët më të mirë vjen në një edicion ku ekipi First Kosova arriti një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e katërt në botë bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Kosova e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, përmes ekipit të përfaqësuar nga UBT

Published

on

By

Kosova renditet e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, garën ndërkombëtare të robotikës që u mbajt në Incheon të Koresë së Jugut, ku ekipi First Kosova, i përfaqësuar nga UBT, arriti këtë sukses bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, në mesin e 191 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

Ekipi përfaqësues i Kosovës ka dëshmuar përgatitje të lartë teknologjike, aftësi në robotikë dhe programim, si dhe bashkëpunim të suksesshëm ndërkombëtar, duke arritur deri në fazën e play-off-it dhe duke konkurruar për pozitat më të larta të garës.

Gara e këtij viti kishte në fokus zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve të egra. Përmes robotëve dhe sfidave inxhinierike, ekipet pjesëmarrëse u angazhuan në zgjidhjen kreative të problemeve dhe aplikimin praktik të njohurive shkencore.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart këtë sukses, duke theksuar rëndësinë e investimit në edukimin teknologjik dhe në zhvillimin e talenteve të reja.

“Renditja e ekipit të Kosovës në vendin e katërt në botë është dëshmi e fuqishme e talentit, dijes dhe potencialit inovativ të të rinjve tanë. Ky sukses dëshmon se, kur të rinjtë kanë mundësi, mbështetje dhe qasje në teknologji e inovacion, ata mund të konkurrojnë denjësisht me ekipet më të mira në botë. UBT do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e gjeneratave të reja, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT dhe Instituti Yunus Emre bashkojnë artin dhe komunikimin përmes filmit “The Colors of Nazar”

Published

on

By

Në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre në Prishtinë, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi shfaqjen e filmit “The Colors of Nazar” (“Ngjyrat e Mësyshit”), në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së. Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, z. Ramadan Yilmaz.

Pas shfaqjes së filmit, aktiviteti vazhdoi me një panel diskutimi, ku ekipi realizues ndau me të pranishmit përvojat nga procesi i krijimit të dokumentarit, duke trajtuar aspektet artistike dhe teknike të produksionit. Panelistë ishin regjisori Dr. Fatih Diren, drejtori i fotografisë Evrim Inci, protagonistja kryesore Gizem Ozdemir dhe profesori Berk Kyqyk.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë dekani dhe prodekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, profesorë dhe studentë të UBT-së, të cilët patën mundësi të bashkëbisedojnë me ekipin realizues dhe të njihen më nga afër me përvojën e tyre profesionale në fushën e filmit dokumentar.

Ky aktivitet shënon një tjetër mundësi për bashkëpunim kulturor dhe akademik ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe përfshirjen e studentëve në diskutime me profesionistë të industrisë audiovizuale.

Continue Reading

Të kërkuara