Lajmet

​BB: Rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të jetë 3.7 për qind

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

Published

on

Ekonomia e Kosovës dhe rajonit është rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme, thuhet në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar të martën.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

“Në Kosovë, në vitin 2022 u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5 përqind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat—i cili vazhdoi të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste. Pozita fiskale vazhdoj të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nën-shpenzimi i investimeve kapitale”, thuhet në raport.

Sipas njoftimit të Bankës Botërore, përgjatë vitit 2023, rritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3.7 përqind. Megjithatë, sipas BB-sw, rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut Massimiliano Paolucci, ka thënë se në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik.

“Banka Botërore në anën tjetër do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ta bërë ekonominë e saj më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe për t’u ofruar qytetarëve të saj më shumë mundësi për një jetë më të mire”, thuhet në raprot.

Sipas njoftimit, perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që pritet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vende, nga investimet publike.

Në raport thuhet po ashtu se rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të rezervave për t’u përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme dhe realizimit të reformave në anën e ofertës që vendosin themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Xiaoqing Yu thotë se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike.

“Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në tregun e punës”, thekson ajo, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023, thuhet në raport. Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa tani po shfaq shenja të uljes, ku faktorët e jashtëm nxitës po zbehen për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë botërore.

Kjo rritje e çmimeve ka prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

Më tej në raport thuhet se, pavarësisht rritjes së punësimit, ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës u ngadalësua në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë. Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.

Lajmet

​Ish-presidenti Nicolas Sarkozy zyrtarisht në burg, i pari në historinë e Francës

Published

on

Ish-Presidenti francez Nicolas Sarkozy është zyrtarisht në burg që nga mëngjesi i së martës për të vuajtur dënimin prej pesë vjetësh për konspiracion kriminal në një çështje që lidhet me financimin libian të fushatës së tij zgjedhore në vitin 2007.

Sarkozy mbërriti në burgun La Santé në Paris, duke u bërë presidenti i parë francez që përjetëshëm shkon në burg, raporton transmetuesi i BFM TV.

Më shumë se 100 vizitorë u mblodhën pranë shtëpisë së tij për të shprehur mbështetje, ndërsa avokati i Sarkozy¬s, Christophe Ingrain, i tha BFM TV-së se një kërkesë për lirimin e tij do të paraqitet shumë shpejt, duke theksuar se ai do të qëndrojë tre javë deri një muaj në paraburgim para se gjykata e apelit të vendosë.

Para se të largohej nga shtëpia, Sarkozy shpërndau një mesazh përmes kompanisë amerikane të mediave sociale X, duke u zotuar të vazhdojë të denoncojë skandalin gjyqësor.

“Do të vazhdoj të denoncoj këtë skandal gjyqësor, këtë përvojë që po përjetoj për më shumë se dhjetë vjet. Këtu kemi një rast financimi të paligjshëm pa asnjë financim! Një hetim gjyqësor që zgjat prej kohësh, nisur në bazë të një dokumenti që tani është vërtetuar se është i falsifikuar”, tha ai.

Sarkozy theksoi se nuk kërkon asnjë përfitim dhe asnjë favor.

“Këtë mëngjes ndjej një trishtim të thellë për Francën, e cila është poshtëruar nga një shprehje e hakmarrjes që ka ngritur urrejtjen në një nivel të paprecedentë. Nuk kam dyshim. E vërteta do të triumfojë. Por çfarë çmimi i tmerrshëm do të jetë paguar”, shtoi ai.

Ish-presidenti francez ishte shpallur fajtor muajin e kaluar me dënim pesë vjet për konspiracion kriminal, por u shpall i pafajshëm për korrupsion pasiv dhe për akuza të tjera për financim të paligjshëm zgjedhor.

Sarkozy ishte zgjedhur president i Francës në vitin 2007 dhe shërbeu deri në vitin 2012./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

BE nën kritika për pezullimin e sanksioneve ndaj Izraelit

Published

on

Bashkimi Evropian është kritikuar për vendimin për të pezulluar sanksionet ndaj qeverisë izraelite, pas përpjekjeve të Donald Trump për paqe në Lindjen e Mesme, ndërsa armëpushimi mbetet i brishtë.

Pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së, shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, njoftoi se BE do të ndalë përkohësisht planet për të pezulluar tregtinë preferenciale me Izraelin dhe për të vendosur sanksione ndaj personave përgjegjës për nxitjen e konfliktit.

Ajo tha se situata ka ndryshuar dhe se masat nuk hiqen nga tryeza, por nuk zbatohen tani.

Ish-përfaqësuesi i BE-së në territoret palestineze, Sven Kuhn von Burgsdorff, kritikoi vendimin duke thënë se sanksionet janë një mjet ligjor për t’iu përgjigjur shkeljeve të ligjit ndërkombëtar.

Sipas The Guardian, ai kujtoi se BE-ja kishte përfunduar në qershor se Izraeli kishte shkelur detyrimet për të drejtat e njeriut dhe duhet të respektojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare që kërkon përfundimin e pushtimit të territoreve palestineze. 414 ish-diplomatë dhe zyrtarë të BE-së nënshkruan një deklaratë duke kërkuar veprim të fortë kundër ekstremistëve në të dyja anët.

Ish-këshilltarja e BE-së, Nathalie Tocci, paralajmëroi se heqja dorë nga sanksionet do të ishte “gabimi më i madh”, pasi është momenti për të mbajtur presionin, ndërsa plani i Trump është ende i pasigurt.

BE-ja mbetet e ndarë mes vendeve pro-palestineze, si Spanja e Irlanda, dhe atyre që mbështesin Izraelin, si Hungaria e Çekia. Megjithatë, protestat masive në Evropë kanë nxitur kërkesa për veprim më të ashpër kundër Izraelit.

Zyrtarët e BE-së duan që blloku të përfshihet në bordin e paqes të Trumpit dhe të ndihmojë në rindërtimin e Gazës, që mund të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë.

Një mandat i fortë i OKB-së pritet të mundësojë dërgimin e trupave ndërkombëtare, me Egjiptin në krye./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kryeministri Fatos Nano në gjendje kritike për jetën

Published

on

Gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit Fatos Nano thuhet se prej afro dy javësh është në gjendje kritike për jetën. Ish-kreu i Partisë Socialiste pësoi një arrest kardiorespirator çka i shkaktoi edhe dëmtime në tru.

Ish-kryeministri Nano ndodhet në reanimacion, në një spital privat në kryeqytet.

Ai ka pësuar një arrest kardio-respirator në ambientet e shtëpisë së tij, por ndërhyrja e menjëhershme e mjekëve ka bërë të mundur kthimin e tij në jetë.

Dy vitet e fundit ish-kryeministri Nano i ka pasur të shpeshta kontrollet mjekësore në spitalin privat në Tiranë.

Më herët ai ka qenë i intubuar për shkak të një sëmundje kronike në mushkëri që mjekët e quajnë spok.

Pas rehabilitimit ai u rikthye në shtëpi, por sërish pati një problem shëndetësor duke iu nënshtruar një ndërhyrje ortopedike për shkak të thyerjes së një prej kockave të legenit.

73-vjeçari Fatos Nano u shkëput nga politika në vitin 2005.

Ai ka qenë kryeministër i vendit përgjatë viteve 1991, 1997-1998 dhe 2002-2005. Ai është themeluesi i Partisë Socialiste dhe kreu i parë i saj./S.K/EO/A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Arsenal- Atletico Madrid, derbi i së martës në Champions

Published

on

Gara në Ligën e Kampionëve vazhdon me ndeshjet e xhiros së tretë të fazës së ligës, ku sot janë nëntë ndeshjet e para të xhiros së tretë, kurse vëmendja do të jetë në stadiumin “Emirates” në Londër.

Nga ora 21:00 takohen Arsenali dhe Atletico Madridi, në ndeshjen më interesante të së martës.

Arsenali ka fituar dy ndeshjet e para, njëjtë si Bayerni, Real Madridi, PSG-ja, Interi e Qarabagu. Skuadra e Mikel Artetas në xhiron e parë fitoi 2:0 në udhëtim tek Athletic Bilbao, ndërsa në të dytën fitoi po me 2:0 ndaj Olympiacosit.

Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madridi, në xhiron e parë humbi 3:2 nga Liverpooli, ndërsa në të dytën e shkatërroi, 5:1, skuadrën gjermane, Eintracht Frankfurt.

Arsenali është në moment të mirë edhe në Premier League. Pas xhiros së tetë udhëheqë në tabelë me 19 pikë. Në fundjavë “topçinjtë” fituan 1:0 ndaj Fulhamit.

“Ishte një fillim i mahnitshëm i edicionit për ne. Por gjëja më e rëndësishme është se si përfundon kampanja. Është mirë që jemi në moment pozitiv. Ekipi është plot me besim dhe ne jemi në ecuri të mirë. Por na pret rrugë e gjatë. Gjëja e mirë është që në aspektin mental jemi gati për ndeshje dhe që të japim më të mirën”, ka thënë mesfushori i Arsenalit, Mikel Merino.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, foli me respekt për Simeonen dhe punën që e ka bërë ai tek Atletico.

Ndërkohë, Simeone ka theksuar se në Londër kanë udhëtuar për fitore.

“Kemi ardhur me shpresë për ndeshje të madhe dhe për të siguruar fitoren që na duhet. Synojmë fitore në udhëtim në Ligën e Kampionëve. Do t’i qasemi ndeshjes me intensitetin që e meriton”, ka theksuar Simeone.

Të martën janë edhe disa ndeshje të tjera interesante:

Nga ora 18:45, Barcelona e pret Olympiacosin dhe llogarit në fitore tjetër.

Në termin të njëjtë zhvillohet ndeshja mes Kairat Almatyt dhe Pafosit qipriot.

Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint Germaini nuk pritet të ketë punë të lehtë ndaj Bayer Leverkusenit në Gjermani. Leverkuseni është nënkampion i Gjermanisë.

Fitore në udhëtim synojnë edhe dy skuadrat e mëdha italiane.

Kampioni i Italisë, Napoli, luan në Holandë ndaj PSV-së, ndërsa Interi luan në Belgjikë ndaj Royale Union.

Ndërkohë Manchester City i Pep Guardiolas është mysafir i Villarrealit në Spanjë.

Copenhagen- Dortmund dhe Newcastle United-Benfica janë ndeshjet tjera sonte./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara