Sport

​Agim Agushi sfidon me sukses rekordin Guinness, zhvesh 23 fanella ndërsa zhonglon topin me kokë

Agushi u shpreh shumë i bindur se gjatë vitit 2023 do të thyejë edhe shumë rekorde të tjera.

Published

on

Atleti kosovar, Agim Agushi ka sfiduar me sukses rekordin Guinness për zhveshjen e numrit më të madh të fanellave ndërsa zhoglon topin me kokë. Agushi ka zhveshur 23 fanella, duke thyer rekordin e amerikanit Abraham Munoz i cili në vitin 2018 kishte zhveshur 22 sosh.

Për thyerjen e këtij rekordi, Agushi mori mbështetje nga kompania “Al Trade” dhe komuna e Prishtinës.

Menaxheri i Burimeve Njerëzore dhe i Marketingut në “Al Trade”, Artan Ramaj me këtë rast tha se thyerja e këtij rekordi me 23 fanella të zhveshura nga Agushi po bëhet pikërisht në 23-vjetorin e kësaj kompanie.

Ramaj e shtoi se qëllimi i këtij aktiviteti është të ndërtojmë një frymë të re në vend, që së bashku të kontribuojmë në të ardhmen dhe për të ardhmen e vendit.

“Ne jemi mbledhur këtu për sfidimin e rekordit Guinness me Agim Agushin, ku simbolikë e jona është edhe 23-vjetori i kompanisë që festohet sot dhe në të njërën kohë e kemi bërë një lidhje që për 23-vjetorin, 23 fanella për ta thyer rekordin Guinnes”, tha Ramaj.

Drejtori i Drejtorisë së Sportit në komunën e Prishtinës, Granit Rugova deklaroi se me rekordet e njëpasnjëshme që po i thyen Agushi, krenohet jo vetëm Prishtina, por e gjithë Kosova.

“Për Drejtorinë e Sportit në Prishtinë, për të gjithë qytetin, është kënaqësi dhe nder që një sfidim i tillë i z.Agushit ndodh pikërisht në Prishtinë edhe përkrahjen e ka pasur nga Drejtoria e Sportit edhe nga e gjithë Prishtina. Realisht me rekordet e tij krenohet e gjithë Kosova”, theksoi Rugova.

Shumë i lumtur me thyerjen e këtij rekordi u shpreh vetë protagonisti, Agim Agushi tha se kishte pak vështirësi në fillim të sfidës, deri në zhveshjen e katër fanellave të para.

“Rekordi ka qenë 23 fanella duke i zhveshur me top në kokë që këtë rekord e mbante një sportist nga Amerika, Abraham Munoz me 22 fanella të zhveshura të arritur në vitin 2018. Unë sot arrita, vështirësitë zakonisht janë në 3-4 fanellat e para sepse lirohet pastaj trupi. Sa më pak që janë fanellat, zhoglimi i topit është më i lehtë”, tha Agushi.

Për t’u njohur zyrtarisht thyerja e këtij rekordi, Agushi duhet të presë konfirmim nga selia e librit të Guinnesit, por ai është i bindur se kjo do të ndodh për shkak se ka respektuar të gjitha rregullat e kërkuara.

“Po, gjithsesi sepse Ramadan Qarkaj është person i autorizuar zyrtar i cili ka komunikim me Guinnesin. Rregullat i ka marrë prej Guinnesit, gjithçka ka shkuar në rregull për shkak të kritereve… Rekordi do të certifikohet, por nëse paguhet një shumë prej 800 eurove, brenda tre ditësh certifikohet rekordi, nëse nuk paguhet ky këst në selinë e librit të Guinnesit, atëherë prej 6 deri në 12 javë merr certifikimi i këtij rekordi”, theksoi Agushi.

Në fund, Agushi u shpreh shumë i bindur se gjatë vitit 2023 do të thyejë edhe shumë rekorde të tjera.

Sport

Mourinho: Askush nuk e ka të garantuar vendin në formacionin e Real Madridit

Published

on

By

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë të qartë se asnjë futbollist nuk e ka të garantuar vendin në formacionin titullar, duke theksuar se paraqitjet në fushë janë vendimtare për secilin lojtar.

“Askush nuk është i paprekshëm”, deklaroi trajneri portugez, raportoi të martën mediumi “Goal”.

Mourinho ka konfirmuar se Vinicius Junior do të luajë në krahun e majtë në përballjen e së mërkurës ndaj RB Leipzigut, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që Yan Diomande të përfshihet në formacionin titullar.

“Championsi” sjell përballjen mes Real Madridit dhe Leipzigut, e cila nis në orën 21:00 dhe i takon xhiros së tretë të fazës së ligës.

Trajneri i madrilenëve ka nënvizuar se statusi i një lojtari përcaktohet nga ajo që tregon në fushë, e jo nga emri apo reputacioni i tij.

Reali ka fituar dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Interin dhe Romën, dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive edhe ndaj skuadrës gjermane.

D.L

Continue Reading

Sport

Barcelona dhe Bayerni në garë për talentin zviceran Johan Manzambi

Published

on

By

Barcelona dhe Bayern Munichu kanë shprehur interesim për mesfushorin e ri zviceran, Johan Manzambi, i cili po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij te Aston Villa, raporton gazeta spanjolle Marca.

Futbollisti 21-vjeçar është vënë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa skautët po e përcjellin nga afër zhvillimin dhe potencialin e tij.

“E dimë se skautët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane janë impresionuar nga paraqitjet e Manzambit, me disa prej tyre që e konsiderojnë një superyll të së ardhmes”, ka deklaruar gazetari Graeme Bailey për TEAMtalk.

I lindur në Gjenevë në vitin 2005, Manzambi përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare dhe dallohet për aftësitë teknike, depërtimet me top dhe krijimin e rasteve për shënim.

Bayern Munichu kishte nisur ta përcillte mesfushorin që gjatë periudhës së tij te Freiburgu, ku regjistroi shtatë gola dhe nëntë asistime në 47 paraqitje.

Sipas raportimeve, pas transferimit te Aston Villa për 60 milionë euro, Manzambi ka vazhduar me paraqitje të mira nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, duke kontribuar me gola ose asistime në ndeshjet e zhvilluara.

Mesfushori zviceran është dalluar edhe në arenën ndërkombëtare, ku, sipas raportimit, realizoi tre gola dhe dy asistime në katër ndeshje të Kupës së Botës, përpara se një lëndim ta pengonte të vazhdonte garën.

Interesimi i Barcelonës dhe Bayern Munichut pritet ta vendosë Manzambin në qendër të vëmendjes gjatë afatit të ardhshëm kalimtar, ndërsa mbetet të shihet nëse ndonjëri prej klubeve do të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.

Continue Reading

Sport

Laporta para përballjes me PSG-në: Do të shohim ndeshjen më të mirë në botë

Published

on

By

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vlerësuar përballjen mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës si një nga ndeshjet më të rëndësishme të futbollit evropian, duke theksuar se vëmendja e skuadrës duhet të jetë plotësisht te kjo sfidë.

Pavarësisht afrimit të përballjes me Real Madridin në kampionatin spanjoll, Laporta ka bërë të qartë se prioritet mbetet ndeshja ndaj kampionit francez.

“Gjëja më e rëndësishme është ndeshja e radhës. Për momentin, mendoj se kjo është ndeshja më e mirë që mund të luhet në Evropë”, deklaroi Laporta.

I pyetur nëse këtë përballje e konsideron edhe më të mirën në botë, presidenti i katalanasve u përgjigj pozitivisht, duke vlerësuar cilësinë e të dy skuadrave.

Sipas tij, talenti i futbollistëve, cilësitë individuale dhe prania e dy trajnerëve të nivelit të lartë e bëjnë këtë takim një spektakël të veçantë futbollistik.

Laporta foli gjithashtu për mungesat në repartin mbrojtës të Barcelonës, duke shprehur besim te trajneri Hansi Flick dhe mundësitë e skuadrës për t’i përballuar ato.

“Kjo ndodh gjithmonë dhe nuk ka justifikime. Të dyja ekipet kanë skuadra mjaftueshëm të forta për të kompensuar këto pengesa”, theksoi ai.

Presidenti i Barcelonës nënvizoi se mungesat e lojtarëve të rëndësishëm nuk duhet të shërbejnë si arsyetim për rezultatin, pasi beson në aftësinë e trajnerit për ta përshtatur skuadrën.

“Sot do të shohim ndeshjen më të mirë në botë. Është një ditë për të shijuar futbollin”, përfundoi Laporta.

D.L

Continue Reading

Sport

Muçi i lumtur me fitoren ndaj Beshiktashit: Kemi një ekip që mund të arrijë suksese të mëdha

Published

on

By

Sulmuesi shqiptar Ernest Muçi është shprehur i kënaqur me fitoren e Trabzonsporit ndaj Beshiktashit, duke vlerësuar rëndësinë e tri pikëve dhe potencialin e skuadrës për këtë sezon.

Trabzonspori triumfoi të hënën mbrëma me rezultatin 2:0 ndaj Beshiktashit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Superligës së Turqisë.

Muçi theksoi se fitorja në shtëpi, para tifozëve të skuadrës, kishte rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit.

“Jam i lumtur që fituam këtë ndeshje në shtëpi, para tifozëve tanë”, deklaroi Muçi.

Sulmuesi 25-vjeçar shprehu besimin se Trabzonspori ka potencialin për të arritur objektiva të mëdha gjatë këtij edicioni.

“Çdo ndeshje është një mundësi e veçantë për ne. Megjithatë, besoj se kemi një ekip që do të arrijë suksese të mëdha këtë vit”, u shpreh ai, raportojnë mediumet turke.

Muçi është një prej futbollistëve të rëndësishëm të Trabzonsporit, ku këtë edicion ka regjistruar dy gola dhe tri asistime në dhjetë ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara