Lajmet

​23 vjet nga rënia heroike e Ismet Jasharit – komandant Kumanova

Published

on

Sot mbushen 23 vjet nga rënia e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova.

Ai u lind në Orizare të Kumanovës më 16 prill 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Më 23 gusht 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, luftëtarët Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Lajmet

Vdes personi që u aksidentua në Sllovi të Lipjanit

Published

on

By

Vdes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës personi që ishte aksidentuar në Sllovi të Lipjanit më 26 qershor.

Sipas raportit të Policisë, i njëjti ka vdekur dy ditë më pas.

“Më 28.06.2025 në QKUK ka ndërruar jetë një mashkull, i cili ishte duke u trajtuar pasi ishte lënduar gjatë një aksidenti trafiku që kishte ndodhur më 26.06.2025. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Sot nis takimi dyditor i liderëve BE-Ballkani Perëndimor në Shkup

Published

on

By

Të hënën dhe të martën në Shkup mbahet takimi i liderëve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes.

Në orën 9:30 sot parashikohet mbërritja dhe pritja zyrtare e liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në orën 10:00 do të fillojë paneli i parë kushtuar Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor.

Fjalime hyrëse do të mbajnë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Ndërsa nga ora 16:00, do të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas së cilit do të pasojë një takim bilateral me delegacione në format më të zgjeruar

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Continue Reading

Lajmet

KQZ hap periudhën për ndërrimin e Qendrës së Votimit për zgjedhjet lokale

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 28 qershor ka nisur periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.

Gjatë kësaj periudhe 63-ditore, të gjithë qytetarët me të drejtë vote kanë mundësi të kontrollojnë qendrën e tyre aktuale të votimit dhe, nëse dëshirojnë, të kërkojnë ndërrimin e saj, duke zgjedhur një lokacion më të afërt me vendbanimin e tyre brenda të njëjtës komunë.

Ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet në dy mënyra:

  • përmes platformës elektronike të KQZ-së në https://qv.kqz-ks.org

  • ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve të komunës ku është i regjistruar votuesi.

Continue Reading

Lajmet

Serbët festojnë Vidovdanin mes masave të shtuara të Policisë së Kosovës

Published

on

By

Grupe serbësh janë drejtuar për në Graçanicë për të nisur festimet e atij që njihet si Vidovdan.  Festimet nisën në mëngjes në Manastirin e Graçanicës dhe po vazhdojnë në Gazimestan, ku janë paralajmëruar edhe ardhje të tjera gjatë ditës.

Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie. Në hyrje të Gazimestanit, po zhvillohen kontrolle për të gjithë të pranishmit, ndërkohë që njësi të shumta policore janë të vendosura në terren, bashkë me forcat e KFOR-it.

Policia ka njoftuar se masat planifikuese dhe operative janë ndërmarrë për ruajtjen e rendit publik, menaxhimin e trafikut dhe sigurinë kufitare. PK ka apeluar për një manifestim të qetë, duke kërkuar nga qytetarët të shmangin provokimet dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e organeve të sigurisë.

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e mëparshëm të komunës së Graçanicës që lejonte shfaqjen e flamurit serb për këtë rast, duke vlerësuar se një veprim i tillë ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë.

Vidovdani lidhet me Betejën e Kosovës të vitit 1389, ku princi serb Lazar humbi jetën. Në diskursin historik serb, kjo betejë përshkruhet si një humbje ushtarake por një fitore shpirtërore.

Gazimestani është gjithashtu një vend me ngarkesë historike dhe politike, pasi aty presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Millosheviq, mbajti një fjalim të njohur në vitin 1989, i cili shpesh shihet si paralajmërim i konflikteve që pasuan në Ballkan.

Continue Reading

Të kërkuara