Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se nuk pret dalje nga bllokada institucionale as pas dy javësh.
Para fillimit të përpjekjes së 53-të për konstituim të kuvendit, Zemaj tha para mediave se “kryeneçësia e Vetëvendosjes po i kushton Kosovës”.
“Kryeneçësia e Vetëvendosjes, ose më mirë të them kryeneçësia e tyre për të qenë në një pushtet absolut është ka i kushton Kosovës dhe sot jemi në muajin e pestë të mos konstituimit të kuvendit dhe të krijimit të qeverisë së re të Kosovës. tash kemi hyrë edhe në atë që quhet përgjigje legale nga Gjykata Kushtetuese, sot është dita e fundit deri në atë që do ta marrim si masë të përkohshme dhe të presim datën 8”, u shpreh ai.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masa të përkohshme nga data 27 korrik deri më 8 gusht, ku deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo veprim e vendim që lidhet me konstituim të kuvendit.
Zemaj tha se nuk pret ndryshim as pas dy javëve.
“Duhet shfrytëzuar çdo moment, çdo minutë që të kemi institucione të reja. Por me këtë logjikë dhe me këtë bllokadë që është evidente nga VV-ja, nuk pres që mund të ketë diçka edhe pas dy jave,” ka thënë Zemaj.