Sot me fillim nga ora 15:00 do të zhvillohen dy ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në futboll, ku do të mësohen emrat e dy skuadrave që do të luftojn për trofeun e madh.
Dukagjini – Ballkani (Ndeshja e parë: 3-0) Në Klinë, Dukagjini pret kampionët në fuqi me një komoditet të madh pas fitores bindëse 3-0 në sfidën e parë. Ndonëse klinasit llogariten me një këmbë në finale, Ballkani udhëton me shpresën e fundit për një përmbysje historike, duke tentuar të shpëtojë sezonin përmes këtij trofeu.
Ferizaj – Llapi (Ndeshja e parë: 1-2) Dramë pritet të ketë në Ferizaj, ku vendasit presin Llapin e Tahir Batatinës në një duel plotësisht të hapur. Fitorja e ngushtë e llapjanëve 2-1 në Podujevë nuk garanton asgjë, pasi ferizajasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin vendas për të siguruar biletën drejt finales së madhe.
Gjithçka mbetet për t’u vendosur brenda 90 minutave të sotme, ku emocionet janë në kulm dhe çdo detaj i vogël mund të përcaktojë fatin e katër skuadrave pretendente.