Lajmet

Zonja që mund të jetë kancelarja e re e Gjermanisë

Published

on

Pas një mbledhjeje, ambientalistët gjermanë të Partisë së Gjelbër njoftuan të hënën se për herë të parë kjo forcë politike do të vërë kandidat për postin e kancelarit të vendit, duke prezantuar si kandidate për zgjedhjet kombëtare të shtatorit bashkëkryetaren Annalena Baerbock, ndërsa blloku i qendrës së djathtë i kancelares Angela Merkel është zhytur në një konflikt të brendshëm për pushtet, përcjell albinfo.ch.

Emërimi i Baerbock u bë i ditur nga bashkëkryetari tjetër i partisë, Robert Habeck, në një aktivitet të mirëorganizuar që nxirrte në pah kontrastin me ngërçin e tensionuar në bllokun e Kancelares Merkel.

Zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit janë të paparashikueshme, pjesërisht sepse kancelarja aktuale nuk po kërkon rizgjedhjen. Merkel u zotua më 2018 të mos kërkojë një mandat të pestë katërvjeçar. Sondazhet e fundit kanë treguar që të Gjelbrit renditen të dytët pas Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) dhe përpara Social Demokratëve, partia tjetër e fuqishme me pikëpamje të qendrës së majtë.

40-vjeçarja Baerbock ka qenë ligjvënëse në Parlamentin kombëtar që nga viti 2013, por i mungon përvoja në udhëheqjen ekzekutive. “Demokracia mbahet gjallë nga ndryshimi”, tha Baerbock.

“Po, e vërtetë që nuk kam qenë kurrë kancelare ose ministre. Unë besoj tek rigjenerimi, të tjerët mbështesin status quo-në”. Ajo tha se dëshiron “një Gjermani në zemër të Evropës; një vend ku mbrojtja e klimës krijon bazën e ardhshme për begati, liri dhe siguri”.

Baerbock dhe Habeck kanë udhëhequr të Gjelbrit që nga fillimi i vitit 2018. Nën udhëheqjen e kësaj dysheje pragmatike dhe harmonike partia ka përjetuar rritje të popullaritetit në sondazhe. Të Gjelbrit janë në opozitë në shkallë kombëtare, por kanë zyrtarë në strukturat drejtuese lokale në 11 nga 16 landet e Gjermanisë. Sondazhet e fundit tregojnë mbështetje për partinë prej 20-22%, më shumë se dyfishi i 8.9% që siguroi në zgjedhjet e 2017-ës.

Kandidatura e Baerbock, kandidatja më e re që pretendon t’i zërë vendin Merkel dhe e vetmja grua kërkon miratim nga kongresi i partisë në qershor. Ajo jeton në një rajon rural të Brandenburgut, ku dikur të Gjelbrit hasën vështirësi për të krijuar bazën e tyre, por tani janë pjesë e qeverisë lokale. Ajo ka ndjekur studimet për shkenca politike dhe të drejtën ndërkombëtare në Hamburg dhe Londër.

Të Gjelbrit muajin e kaluar prezantuan një program për të përshpejtuar braktisjen e energjisë nga qymyrguri në Gjermani, rritjen e shpenzimeve në infrastrukturë dhe tarifave për çlirimin e gazeve karbonike. Kjo forcë politike është pro-Bashkimit Evropian dhe mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund projektit të gazsjellësit Nord Stream 2.

Baerbock ka thënë se duhet të ketë një “pozicionim të përbashkët, të fortë evropian” ndaj Rusisë dhe Kinës me një kontribut të fortë nga Gjermania. “Ndaj forcave autoritare në veçanti, ne duhet të kemi një politikë të jashtme me objektiv të qartë … të dialogojmë, por edhe të jemi të ashpër në të njëjtën kohë”.

Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, ka shumë të ngjarë që të Gjelbërit të mbajnë çelësin për formimin e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë. Kjo parti është bërë gjithnjë e më e hapur për aleanca me partitë e qendrës së djathtë dhe bën pjesë në nivel vendor në një sërë koalicionesh me përbërje nga më të ndryshmet. Ndërkaq, blloku i Kancelares Merkel është ende në pritje të një kandidati për kancelar. Guvernatorët e dy landeve më të populluara të Gjermanisë, Armin Laschet dhe Markus Soeder, po luftojnë për të marrë emërimin.

Laschet, udhëheqës i Kristian Demokratëve (CDU) të Merkel dheSoeder, drejtues i partisë bavareze si-motër, deklaruan më 11 prill synimet për të konkuruar, duke zgjuar shqetësime tek shumë përkrahës se kjo mund të sillte një dëm të konsiderueshëm në koalicion. Laschet dhe Soeder janë guvernatorë përkatësisht të Nordrhein-Westfalen dhe Bavarisë. \ Soeder ka vlerësime shumë më të mira në sondazhe, por Laschet është udhëheqësi i zgjedhur së fundmi i një partie shumë më të madhe. Një javë më parë, Laschet arriti të sigurojë mbështetjen e udhëheqjes së CDU për kandidaturën e tij.Por Soeder tha se çështja nuk duhet të zgjidhet vetëm me diskutime “në një kthinë të vogël”.

Disa në partinë e Kancelares Merkel favorizojnë Soeder, ndërsa të tjerët janë të shqetësuar nga makinacionet e tij për pushtet. Të dielën në mbrëmje, udhëheqësit e krahut rinor të Bashkimit Kristian Demokrat u shprehën për Soeder. Të hënën në mbrëmje, Laschet thirri në takim udhëheqjen e CDU, duke thënë se planifikon të propozojë se si të zgjidhet mosmarrëveshja. “Shpresoj se mund të marrim vendimet e nevojshme shumë shpejt, këtë javë,” u tha ai gazetarëve. Soeder tha se, pas një jave bisedimesh, i takon partisë më të madhe të vendosë se kë do të mbështesë.

“Nëse CDU merr një vendim të qartë këtë mbrëmje, ne do ta respektojmë atë”, tha ai në Mynih. “CDU është motra jonë më e fortë dhe më e madhe dhe vetëm ajo mund të vendosë nëse ekziston vërtetë kjo shumicë e gjerë (për Soeder)”. Social Demokratët, nga radhët e të cilëve kanë dalë tre nga tetë kancelarët e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, por prej disa kohësh nuk gëzojnë popullaritet të madh, emëruan Ministrin e Financave Olaf Scholz si kandidatin e tyre për kancelar muaj më parë.

Continue Reading

Lajmet

“Liria ka emër” thërret marsh më 1 tetor dhe peticion për krerët e UÇK-së të dënuar në Hagë

Published

on

By

Platforma “Liria ka emër” ka njoftuar organizimin e një marshi më 1 tetor në Prishtinë dhe jashtë Kosovës, si dhe nisjen e një peticioni qytetar drejtuar Brukselit, Strasburgut e Hagës, nën moton “Jo në emrin tim”. Ky reagim vjen pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale me 81 vjet burgim ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, iu bëri thirrje spektrit politik, shoqërisë civile, mërgatës dhe ekspertëve për bashkim dhe koordinim në këtë fazë të re juridike. Ai i kërkoi institucioneve të Kosovës transparencë dhe një strategji të qartë shtetërore, duke propozuar gjithashtu një mbledhje urgjente të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.

Përfaqësuesja Eliza Hoxha sqaroi se data 1 tetor është zgjedhur simbolikisht për të kujtuar protestat studentore të vitit 1997. Ajo bëri të ditur se pas marshit në Prishtinë, më 10 tetor mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në Bruksel me pjesëmarrjen e mërgatës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

DHTIK kërkon uljen e përkohshme të akcizës për shkak të rritjes së çmimeve të naftës

Published

on

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me rritjen e sërishme të çmimeve të derivateve të naftës në vend, duke vlerësuar se kjo po shton presionin mbi bizneset, sektorin e bujqësisë dhe konsumatorët.

Sipas DHTIK-ut, ndërmarrjet po përballen me kosto më të larta të energjisë, transportit dhe inputeve të tjera, ndërsa ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve është bërë edhe më i ndjeshëm për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.

“Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve”, thuhet në njoftimin e DHTIK-ut.

Sipas kësaj dhome, rritja e çmimit të karburanteve po prek drejtpërdrejt edhe sektorin e bujqësisë, ku derivatet janë të domosdoshme për punimin e tokës, mbjelljen dhe korrjen.

DHTIK paralajmëron se rritja e kostove të prodhimit bujqësor mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve vendore, duke ndikuar në konkurrueshmërinë e tyre në treg.

Ndërkohë, DHTIK thekson se shtrenjtimi i derivateve po ndikon edhe në rritjen e çmimeve të konsumit, kostove të ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit.

Duke e lidhur situatën edhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe krizën në Lindjen e Mesme, DHTIK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të shqyrtojnë masa lehtësuese për sektorët më të prekur.

Ndër kërkesat kryesore të DHTIK-ut janë ulja e përkohshme e akcizës për derivatet e naftës, skema mbështetëse për bizneset që përdorin gjeneratorë gjatë ndërprerjeve të energjisë, masa lehtësuese për fermerët dhe stimulimi i konsumit të produkteve vendore.

DHTIK ka shprehur gjithashtu keqardhje për mungesën e gatishmërisë institucionale për organizimin e një tryeze të përbashkët me komunitetin e biznesit, duke theksuar nevojën për dialog institucional për gjetjen e zgjidhjeve praktike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arifi: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së si instrument diplomatik kundër Kosovës dhe Perëndimit

Published

on

By

Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund t’i japë Serbisë dhe kundërshtarëve të Perëndimit material për një fushatë diplomatike kundër Kosovës. Në qendër të saj do të ishte përpjekja për ta paraqitur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe, përmes këtij interpretimi, për ta lidhur krijimin e shtetit me një projekt kriminal. Synimi do të ishte cenimi i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe i besueshmërisë së shteteve që mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e saj.

Diplomacia serbe mund ta ndërtojë argumentin mbi vazhdimësinë ndërmjet udhëheqjes së luftës dhe institucioneve të pasluftës. Roli i ish-drejtuesve të UÇK-së në shtetndërtim do të përdorej për të pretenduar se institucionet e Kosovës burojnë nga struktura të cilësuara si kriminale. Kjo narrativë do të synonte ta zhvendoste debatin nga represioni serb dhe rrethanat e ndërhyrjes ndërkombëtare te akuzat kundër origjinës së shtetit të Kosovës. Në muajt e ardhshëm, Beogradi mund ta përdorë këtë interpretim në dosje diplomatike, takime dypalëshe dhe debate në organizata ndërkombëtare. Përpjekjet pritet të përqendrohen te shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe te qeveritë që ende hezitojnë ta mbështesin. Objektivi mund të jetë pengimi i njohjeve të reja, shtyrja e anëtarësimeve dhe sigurimi i abstenimeve. Edhe pa ndryshuar qëndrimin e partnerëve kryesorë të Kosovës, Serbia mund të përfitojë nga shtimi i dyshimeve te shtetet më pak të angazhuara në rajon.

Për Rusinë, dobia politike do të shtrihej përtej Kosovës. Autoritetet ruse mund ta përdorin vendimin për të pretenduar se NATO-ja ndërhyri në mbështetje të një udhëheqjeje kriminale dhe se qeveritë perëndimore e kthyen atë mbështetje në një projekt shtetëror. Në këtë mënyrë, aktgjykimi do të përfshihej në akuzat për standarde të dyfishta, ndërhyrje selektive dhe përdorim politik të së drejtës ndërkombëtare. Në debatet mbi Ukrainën, qëllimi do të ishte dobësimi i autoritetit të Perëndimit për të gjykuar veprimet e Rusisë. Kina mund ta përdorë të njëjtën çështje me një gjuhë të përqendruar te sovraniteti dhe integriteti territorial. Diplomacia kineze mund ta paraqesë Kosovën si shembull të pasojave të ndërhyrjes së jashtme dhe mbështetjes për shkëputje territoriale. Ky mesazh mund të gjejë terren te qeveritë që përballen me konflikte territoriale ose lëvizje separatiste.

Një tjetër objektiv mund të jetë vetë opinioni publik në Kosovë. Mesazhi se Perëndimi i mbështeti drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës dhe shtetndërtimit, për t’i braktisur më pas, mund të përdoret për të ushqyer mosbesimin ndaj partnerëve euroatlantikë. Jashtë Kosovës do të sulmohej besueshmëria e Perëndimit; brenda saj, besimi te partneriteti me të.  Për Kosovën, rreziku i afërt është që interpretimi i kundërshtarëve të qarkullojë më shpejt dhe më gjerësisht sesa përgjigjja e institucioneve të saj. Prishtina duhet të përgatitë një përgjigje diplomatike të dokumentuar dhe të bashkërenduar me partnerët. Ajo duhet të kundërshtojë përdorimin e vendimit për rishkrimin e historisë së luftës dhe delegjitimimin e shtetit. Heshtja do t’u linte kundërshtarëve hapësirë për të përcaktuar pyetjet të cilave Kosova do të detyrohej t’u përgjigjej.

Dritëro Arifi është profesor i Shkencave Politike në UBT 

 

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara