Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në disa qytete të vendit, ku janë shoqëruar dhe arrestuar disa persona, ndërsa një tjetër ndodhet në kërkim.
Rasti i parë është regjistruar në Graçanicë, ku një burrë në gjendje të dehur ka hyrë në tarracën e banesës së një gruaje, ka thyer dritaren me shishe qelqi dhe i ka dëmtuar veturën. I dyshuari është arrestuar dhe pas këndelljes është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I njëjti është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Një tjetër rast në kryeqytet ka ndodhur kur një grua ka sulmuar fizikisht një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit palët janë liruar.
Në Lipjan, një grua ka raportuar se ka qenë viktimë e dhunës së vazhdueshme psikike nga një burrë, me ç’rast rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.
Edhe në Istog është regjistruar një sulm fizik, ku një grua është sulmuar nga një burrë pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është intervistuar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Rasti i fundit është shënuar në Skenderaj, ku pas një mosmarrëveshjeje një grua u sulmua fizikisht nga një burrë. Viktimës i është caktuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim nga policia. /E.A/