Lajmet

Zinxhiri i drejtësisë që mbron zyrtarët e akuzuar për korrupsion

Published

on

Rreth një muaj më parë, Rrahim Hashimi postoi një video në profilin e tij në rrjetin social Facebook duke hapur një shampanjë, me mbishkrimin “Drejtësia triumfoi”, duke festuar kështu lirimin e tij nga akuzat e Prokurorisë, prej të cilave ishte dënuar për mashtrim me tre vjet e nëntë muaj burgim efektiv.

Lirimi i tij ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Supreme, që konstatoi se veprimet hetimore dhe aktakuza ndaj Rrahim Hashimit, janë ndërmarrë pasi në këtë lëndë ka arritur afati i parashkrimit relativ.

Për shkak se Prokuroria nuk e ka kryer punën e saj në kohë e paraparë me ligj, Rrahim Hashimi mbetet i paprekshëm nga ligji, pasi amnistohet për shkak të vjetërsimit të lëndës.

Në një intervistë për emisionin ‘Iustitia’, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimit për Drejtësi, Rrahim Hashimi thotë se shteti ka rënë në lajthitje të disa zyrtarëve të vet, në veçanti të zyrtarëve policorë, të cilët, sipas tij, kanë filluar ndjekjen penale në mënyrë të kundërligjshme.

“Vepra e aluduar që kinse është kryer në vitin 2011, e që ka qenë vetëm një ndërmjetësim legal, absolutisht nuk ka pasur asgjë jolegale, ka dashur të kamuflohet kinse me vjetërsim të lëndës sepse edhe ata e kanë ditur se nuk ka ekzistuar asgjë në të vërtetë. Në këtë rast nuk ka pasur parashkrim të asnjë vepre penale, ka pasur një tentativë për ta mbuluar një krim, dhe ai krim është shantazhi dhe përbaltja e figurave politike dhe mua më kanë përdorur si trampolinë, në këtë rast për shkak të afërsisë time me PDK-në, por faktikisht me zotin Xhavit Haliti dhe zotin Kadri Veseli nuk kam pasur njohje personale”, thotë Hashimi.

Rrahim Hashimi së bashku me Kadri Rexhepin ishin akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, për veprën penale “Mashtrim”, në bashkëkryerje.

Sipas Prokurorisë, prej 30 dhjetorit të vitit 2011, deri më 24 korrik 2012, Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi dhe një i pandehur tjetër, që gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve për të përfituar kundërligjshëm dobi pasurore, e kanë vënë në lajthitje të dëmtuarin, Faton Dalladakun.

Sipas prokurorisë, ata janë prezantuar rrejshëm para Dalladakut se janë të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, të dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila aso kohe ishte në pushtet, kinse për të ndërmjetësuar blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Duke bërë prezantime të rrejshme, sipas Prokurorisë, ata kanë arritur që nga i dëmtuari Faton Dalladaku të marrin 290 mijë e 810 euro.

Shukri Buja i vetmi i dënuar me burgim efektiv

I vetmi politikan i profilit të lartë, i cili është dënuar me burgim efektiv prej tre vjetësh për korrupsion është Shukri Buja, ish-kryetar i Komunës së Lipjanit. Por, edhe lënda ndaj tij tashmë është në prag të parashkrimit, për shkak të lojës së pingpongut nga sistemi i drejtësisë.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 shkurt, 2017.

Astrit Haraqija, ish-ministër i Kulturës i dënuar për korrupsion me dy vjet burgim me kusht, është liruar nga aktakuza për korrupsion për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Këto janë vetëm disa prej rasteve të aktakuzave më reprezentative të korrupsionit, ku janë të akuzuar zyrtarë të ndryshëm për vepra penale të korrupsionit, për të cilat, sistemi i drejtësisë ka dështuar të nxjerrë vendime gjyqësore përfundimtare.

Zyrtarët e akuzuar për korrupsion për këto raste, kanë mbetur pa mundësinë që të përballen me gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme, rrjedhimisht shumë prej tyre, të cilët kanë mundur të jenë të korruptuar, kanë përfituar amnisti të përjetshme.

Si po amnistohen zyrtarët e akuzuar për korrupsion?

Mënyra e trajtimit të rasteve të korrupsionit në Kosovë është në fokus të monitorimit nga organizatat vendore dhe faktori ndërkombëtar.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se sistemi i drejtësisë, qëllimisht ka ndërtuar praktika, përmes të cilave, amnistohen zyrtarët e akuzuar për korrupsion.

“Zvarritjet dhe dështimet e vazhdueshme në procedurë penale, në fund dërgojnë në përfundimin e afateve ligjore, pra lëndët parashkruhen apo vjetërsohen dhe rrjedhimisht zyrtarët e akuzuar për korrupsion, amnistohen për ato vepra përjetësisht. Dëmet që shkaktohen nga këto veprime janë shumëdimensionale sepse të korruptuarit nuk ndëshkohen, të dëmtuarit nuk kompensohen dhe në fund humbet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thotë Rezniqi.

Institucionet e drejtësisë në Kosovë kritikohen se nuk janë duke përmbushur obligimet ligjore për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet e korrupsionit.

Sipas gjetjeve të IKD-së, vetëm në tre vjetët e fundit, veprat penale të korrupsionit janë parashkruar në 16 raste të mëdha të korrupsionit, në të cilat, zyrtarët e akuzuar janë amnistuar.

Përgjegjësinë për dështimet në rastet e korrupsionit, institucionet e drejtësisë ia hedhin njëra-tjetrës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj thotë se me rastin e ngritjes së aktakuzës, ata e kryejnë obligimin e tyre.

“Natyrisht, instituti i parashkrimit është institut që ndëshkon institucionet. Tash kemi parashkrimin e ndjekjes dhe parashkrimin e ekzekutimit të dënimit. Sa i përket parashkrimit të ndjekjes, varet se kur është për shembull identifikuar kryerja e një vepre penale, nëse ajo vepër penale është identifikuar me kohë, rasti është proceduar në prokurori dhe është parashkruar, natyrisht se duhet të ketë sanksione ndaj prokurorëve që mund të ju parashkruhen rastet, posaçërisht këto të korrupsionit”, thotë Isufaj.

Se duhet të ketë përgjegjësi në rastet e parashkruara, pajtohet edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

“Gjithsesi. Gjyqtarëve të cilëve iu parashkruhen lëndët duhet të thirren në përgjegjësi. Sidomos parashkrimi relativ është…nuk guxon të ndodhë nëse gjyqtari nuk ndërmerr veprime. Por, shumica e lëndëve që parashkruhen, parashkruhen pasi që gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar prezencën e palëve në procedurë, kanë urdhëresa, ka letër-rreshtime ndërkombëtare, por që nuk kemi mundur, apo organet e ndjekjes nuk kanë arritur që të sigurojnë prezencën, se ne punojmë me Policinë e Kosovës”, thotë Hoti.

Gjykatësit dhe prokurorët për punën e tyre mbahen llogaridhënës, qoftë përmes procedurave të disiplinimit apo vlerësimit të performancës.

Të dy këto procese zhvillohen nga mekanizmat brenda Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.

Arrita Rezniqi nga IKD vlerëson se mekanizmat e llogaridhënies dhe vlerësimit të performancës, kanë dështuar të mbajnë përgjegjës gjykatësit dhe prokurorët.

“Ekziston një solidaritet te mekanizmat e llogaridhënies dhe performancës, që përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë, që në shumicën dërrmuese të rasteve i lirojnë nga përgjegjësia gjykatësit dhe prokurorët që e shkelin ligjin”, thotë Rezniqi.

Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, në të gjitha paraqitjet publike, kanë vlerësuar se duhet të forcohen mekanizmat e llogaridhënies, në mënyrë që të ngrihet llogaridhënia në sistemin e drejtësisë.

Për këtë temë ka folur edhe kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

“Prishtina ka probleme të mëdha me numër të madh të lëndëve të pakryera, numri i vogël i gjyqtarëve edhe nganjëherë kur ndodh parashkrimi absolut bëhet një vlerësim se a ka qenë objektivisht gjyqtari në mundësi me përfunduar atë rast apo jo, pasi që te ne nuk ka gjykim në mungesë, do të thotë pa të akuzuarin pa prezencën e tij nuk mundesh ta përfundosh lëndën edhe mund të ndodhë të vije deri te parashkrimi absolute, e tek ai relativ nuk ka arsyetim”, thotë Peci.

Sfida e gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve

Ambasada amerikane në Kosovë përmes projekteve të saj, vazhdimisht mbështet sistemin e drejtësisë. Lana Morton-Owens, këshilltare e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, thotë se gjykatësit janë të sfiduar nga numri i madh i lëndëve në punë.

Megjithatë, sipas saj, praktika e gjykatësve amerikanë në menaxhimin e rasteve duhet të zbatohet edhe në Kosovë, për të shmangur mundësitë e parashkrimit të rasteve.

“Është definitivisht një përgjigje e shumanshme. Nuk është një gjë që e shkakton këtë. Mendoj se një pjesë ka të bëjë me çështjen e burimit, një pjesë me çështjen e menaxhimit. Po, ndoshta mund të ketë më shumë gjykatës. Kujtoni se sa raste janë trashëguar gjatë integrimit të veriut, kujtoni se sa raste – vetëm raste të krimeve të luftës – janë trashëguar nga EULEX-i. Pra, Kosova ka marrë një përgjegjësi bukur të madhe kur ka marrë përsipër sistemin e saj të drejtësisë dhe rastet që duhej t’i vazhdonte”, thotë Morton-Owens.

Përfshirja e zyrtarëve publikë në afera korruptive, për të cilat raportohet në baza ditore nga organizata të shoqërisë civile dhe mediat, shpesh përfundojnë pa asnjë pasojë për zyrtarët e dyshuar.

Kjo ndodh falë amnistisë legale që këta zyrtarë e përfitojnë nga sistemi i drejtësisë.

Edhe në rastet kur ka aktakuza dhe procedura gjyqësore ndaj zyrtarëve për vepra penale të korrupsionit, në shumë prej këtyre rasteve, ndodh që ata të mos gjykohen dhe të amnistohen përjetësisht për ato veprime të pretenduara.

Duke vepruar në këtë mënyrë me trajtimin e rasteve të korrupsionit, qytetarët në Kosovë kanë humbur besimin dhe shprehen të pakënaqur me sistemin e drejtësisë, ku sipas raportit “Pulsit Publik”, në tre vjetët e fundit, del se kënaqshmëria e qytetarëve me sistemin e drejtësisë sillet prej 15 deri në 25 për qind.

Lajmet

United Hospital kujdeset për shëndetin e mërgimtarëve me pako ekskluzive të kontrolleve mjekësore

Published

on

By

Sezoni i pushimeve në Kosovë nuk është vetëm një mundësi për t’u ribashkuar me familjen dhe miqtë, por edhe koha ideale për t’i kushtuar vëmendje shëndetit. Me këtë synim, United Hospital ka lansuar pako të veçanta të kontrolleve mjekësore, të dedikuara për mërgimtarët që kalojnë pushimet në vendlindje.

Duke pasur parasysh se në shumë shtete evropiane vizitat specialistike dhe ekzaminimet diagnostike shoqërohen me lista të gjata pritjeje, United Hospital u ofron bashkatdhetarëve mundësinë që të kryejnë kontrollet e nevojshme shpejt, me diagnostikë moderne dhe kujdes profesional, pa e humbur kohën e çmuar të pushimeve.

Edmond Hajrizi, drejtues i United Hospital dhe një personalitet i njohur i botës akademike me arritje të spikatura shkencore e inovative, e konsideron diasporën shqiptare një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Duke qenë se vetë është rritur dhe shkolluar në Perëndim, ai e njeh nga afër realitetin dhe sfidat me të cilat përballen bashkatdhetarët në sistemet shëndetësore të vendeve ku jetojnë.

Sipas Hajrizit, ofrimi i kujdesit shëndetësor cilësor, të shpejtë dhe të standardeve ndërkombëtare për mërgimtarët është një prioritet strategjik i United Hospital. “Diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Kosovës dhe ne kemi përgjegjësi t’i ofrojmë shërbime shëndetësore që i japin siguri, besim dhe qetësi gjatë qëndrimit në vendlindje,” thekson ai, duke e cilësuar investimin në shëndetin e mërgimtarëve si një investim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjeve dhe në të ardhmen e vendit.

Paketat promocionale përfshijnë kontrolle të planifikuara sipas nevojave të pacientëve, duke mundësuar vlerësim të hershëm të gjendjes shëndetësore dhe parandalim të sëmundjeve. Qasja multidisiplinare, teknologjia bashkëkohore dhe stafi i specializuar synojnë t’u ofrojnë mërgimtarëve një përvojë të sigurt dhe efikase gjatë qëndrimit në Kosovë.

Nga United Hospital theksojnë se investimi në shëndet është investimi më i rëndësishëm, duke i ftuar mërgimtarët që ta shfrytëzojnë kohën e pushimeve për kontrolle parandaluese dhe diagnostikim në kohë, në mënyrë që të rikthehen në vendet ku jetojnë me më shumë siguri dhe mirëqenie.

Për informata dhe rezervime, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose të vizitojnë United Hospital në M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Rekord i regjistrimeve në UBT: Mbi 2 mijë studentë regjistrohen që në ditët e para

Published

on

By

Në një kohë rekorde që nga nisja e regjistrimeve, mbi 2000 studentë i kanë besuar UBT-së si institucioni lider i arsimit të lartë në Kosovë për të formësuar të ardhmen e tyre.

Ky fluks i jashtëzakonshëm tregon besimin e madh që të rinjtë kanë te ky institucion, i cili ofron mundësi të pakufizuara akademike me mbi 50 programe studimi dhe mbi 150 specializime të ndryshme në fushat më të kërkuara të tregut.

Me një traditë suksesi prej një çerek shekulli, UBT garanton studime të nivelit cilësor, punësim të sigurt dhe një karrierë të suksesshme globale.

Profesionin që keni ëndërruar mund ta gjeni dhe ta zhvilloni këtu, ndaj mos prisni më, por siguroni vendin tuaj duke aplikuar tani në faqen zyrtare: apliko.ubt-uni.net.

Continue Reading

Lajmet

Përfundoi me sukses Akademia Ndërkombëtare Verore në Shkencat Mjekësore 2026

Published

on

Sot u përmbyll me sukses Akademia Ndërkombëtare Verore në Shkencat Mjekësore 2026, një aktivitet akademik që mblodhi profesorë, profesionistë të shëndetësisë dhe studentë për të trajtuar temat më bashkëkohore në fushën e kujdesit shëndetësor.

Dita përmbyllëse iu kushtua rolit të mjekësisë nukleare në diagnostikimin dhe stadifikimin e kancerit të gjirit, me ligjërata të mbajtura nga Prof. Ismet Bajrami.

Gjatë sesioneve u prezantuan zhvillimet më të fundit në përdorimin e PET/CT me 18F-FDG, biopsinë e nyjës limfatike sentinel me Tc99m dhe skanimin e kockave për vlerësimin e metastazave.

Këto metoda përfaqësojnë standardet më moderne në diagnostikimin e saktë dhe planifikimin e trajtimit onkologjik, duke mundësuar vendimmarrje më të informuar klinike dhe përmirësim të rezultateve te pacientët.

Akademia shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive shkencore, ndarjen e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë.

Organizimi i saj dëshmoi edhe një herë rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional dhe të ndjekjes së inovacioneve më të fundit në mjekësi.

Në përfundim, organizatorët falënderuan të gjithë ligjëruesit dhe pjesëmarrësit për kontributin e tyre në suksesin e kësaj akademie, e cila u mbyll me një mesazh të qartë: investimi në dije është investim në cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe në të ardhmen e pacientëve.

Continue Reading

Lajmet

Policia nis fushatën “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, apel për kujdes në trafik gjatë sezonit veror

Published

on

Policia e Kosovës ka nisur fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, me synim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve dhe i udhëtarëve është më i madh, si dhe për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve që vijnë për pushime.

Në kuadër të kësaj fushate, Policia do të shpërndajë broshura informuese me këshilla dhe udhëzime praktike për pjesëmarrësit në trafik, të cilat duhet të merren parasysh menjëherë pas hyrjes në Kosovë.

Sipas Policisë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore mbeten tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vende të ndaluara, pakujdesia, lodhja, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Për të rritur sigurinë në rrugë, Policia ka bërë të ditur se, përveç shtimit të patrullave dhe pikave të kontrollit, do të përdorë edhe automjete të pajisura me teknologji inteligjente, kamera, radarë mobilë dhe dronë për identifikimin e shkeljeve në trafik.

Sipas njoftimit, kundërvajtjet si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi i ndaluar, mosvendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, qarkullimi me automjete të paregjistruara dhe shkelje të tjera do të evidentohen edhe pa ndalimin fizik të automjetit. Në këto raste, gjobat do t’i dërgohen me postë pronarit të mjetit.

Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë që pushimet verore të kalojnë në mënyrë të sigurt.

“I lodhur? Pushoni! Më mirë vonë në destinacion, sesa kurrë”, është mesazhi kryesor i kësaj fushate./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara