Lajmet

Zinxhiri i drejtësisë që mbron zyrtarët e akuzuar për korrupsion

Published

on

Rreth një muaj më parë, Rrahim Hashimi postoi një video në profilin e tij në rrjetin social Facebook duke hapur një shampanjë, me mbishkrimin “Drejtësia triumfoi”, duke festuar kështu lirimin e tij nga akuzat e Prokurorisë, prej të cilave ishte dënuar për mashtrim me tre vjet e nëntë muaj burgim efektiv.

Lirimi i tij ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Supreme, që konstatoi se veprimet hetimore dhe aktakuza ndaj Rrahim Hashimit, janë ndërmarrë pasi në këtë lëndë ka arritur afati i parashkrimit relativ.

Për shkak se Prokuroria nuk e ka kryer punën e saj në kohë e paraparë me ligj, Rrahim Hashimi mbetet i paprekshëm nga ligji, pasi amnistohet për shkak të vjetërsimit të lëndës.

Në një intervistë për emisionin ‘Iustitia’, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimit për Drejtësi, Rrahim Hashimi thotë se shteti ka rënë në lajthitje të disa zyrtarëve të vet, në veçanti të zyrtarëve policorë, të cilët, sipas tij, kanë filluar ndjekjen penale në mënyrë të kundërligjshme.

“Vepra e aluduar që kinse është kryer në vitin 2011, e që ka qenë vetëm një ndërmjetësim legal, absolutisht nuk ka pasur asgjë jolegale, ka dashur të kamuflohet kinse me vjetërsim të lëndës sepse edhe ata e kanë ditur se nuk ka ekzistuar asgjë në të vërtetë. Në këtë rast nuk ka pasur parashkrim të asnjë vepre penale, ka pasur një tentativë për ta mbuluar një krim, dhe ai krim është shantazhi dhe përbaltja e figurave politike dhe mua më kanë përdorur si trampolinë, në këtë rast për shkak të afërsisë time me PDK-në, por faktikisht me zotin Xhavit Haliti dhe zotin Kadri Veseli nuk kam pasur njohje personale”, thotë Hashimi.

Rrahim Hashimi së bashku me Kadri Rexhepin ishin akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, për veprën penale “Mashtrim”, në bashkëkryerje.

Sipas Prokurorisë, prej 30 dhjetorit të vitit 2011, deri më 24 korrik 2012, Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi dhe një i pandehur tjetër, që gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve për të përfituar kundërligjshëm dobi pasurore, e kanë vënë në lajthitje të dëmtuarin, Faton Dalladakun.

Sipas prokurorisë, ata janë prezantuar rrejshëm para Dalladakut se janë të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, të dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila aso kohe ishte në pushtet, kinse për të ndërmjetësuar blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Duke bërë prezantime të rrejshme, sipas Prokurorisë, ata kanë arritur që nga i dëmtuari Faton Dalladaku të marrin 290 mijë e 810 euro.

Shukri Buja i vetmi i dënuar me burgim efektiv

I vetmi politikan i profilit të lartë, i cili është dënuar me burgim efektiv prej tre vjetësh për korrupsion është Shukri Buja, ish-kryetar i Komunës së Lipjanit. Por, edhe lënda ndaj tij tashmë është në prag të parashkrimit, për shkak të lojës së pingpongut nga sistemi i drejtësisë.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 shkurt, 2017.

Astrit Haraqija, ish-ministër i Kulturës i dënuar për korrupsion me dy vjet burgim me kusht, është liruar nga aktakuza për korrupsion për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Këto janë vetëm disa prej rasteve të aktakuzave më reprezentative të korrupsionit, ku janë të akuzuar zyrtarë të ndryshëm për vepra penale të korrupsionit, për të cilat, sistemi i drejtësisë ka dështuar të nxjerrë vendime gjyqësore përfundimtare.

Zyrtarët e akuzuar për korrupsion për këto raste, kanë mbetur pa mundësinë që të përballen me gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme, rrjedhimisht shumë prej tyre, të cilët kanë mundur të jenë të korruptuar, kanë përfituar amnisti të përjetshme.

Si po amnistohen zyrtarët e akuzuar për korrupsion?

Mënyra e trajtimit të rasteve të korrupsionit në Kosovë është në fokus të monitorimit nga organizatat vendore dhe faktori ndërkombëtar.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se sistemi i drejtësisë, qëllimisht ka ndërtuar praktika, përmes të cilave, amnistohen zyrtarët e akuzuar për korrupsion.

“Zvarritjet dhe dështimet e vazhdueshme në procedurë penale, në fund dërgojnë në përfundimin e afateve ligjore, pra lëndët parashkruhen apo vjetërsohen dhe rrjedhimisht zyrtarët e akuzuar për korrupsion, amnistohen për ato vepra përjetësisht. Dëmet që shkaktohen nga këto veprime janë shumëdimensionale sepse të korruptuarit nuk ndëshkohen, të dëmtuarit nuk kompensohen dhe në fund humbet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thotë Rezniqi.

Institucionet e drejtësisë në Kosovë kritikohen se nuk janë duke përmbushur obligimet ligjore për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet e korrupsionit.

Sipas gjetjeve të IKD-së, vetëm në tre vjetët e fundit, veprat penale të korrupsionit janë parashkruar në 16 raste të mëdha të korrupsionit, në të cilat, zyrtarët e akuzuar janë amnistuar.

Përgjegjësinë për dështimet në rastet e korrupsionit, institucionet e drejtësisë ia hedhin njëra-tjetrës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj thotë se me rastin e ngritjes së aktakuzës, ata e kryejnë obligimin e tyre.

“Natyrisht, instituti i parashkrimit është institut që ndëshkon institucionet. Tash kemi parashkrimin e ndjekjes dhe parashkrimin e ekzekutimit të dënimit. Sa i përket parashkrimit të ndjekjes, varet se kur është për shembull identifikuar kryerja e një vepre penale, nëse ajo vepër penale është identifikuar me kohë, rasti është proceduar në prokurori dhe është parashkruar, natyrisht se duhet të ketë sanksione ndaj prokurorëve që mund të ju parashkruhen rastet, posaçërisht këto të korrupsionit”, thotë Isufaj.

Se duhet të ketë përgjegjësi në rastet e parashkruara, pajtohet edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

“Gjithsesi. Gjyqtarëve të cilëve iu parashkruhen lëndët duhet të thirren në përgjegjësi. Sidomos parashkrimi relativ është…nuk guxon të ndodhë nëse gjyqtari nuk ndërmerr veprime. Por, shumica e lëndëve që parashkruhen, parashkruhen pasi që gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar prezencën e palëve në procedurë, kanë urdhëresa, ka letër-rreshtime ndërkombëtare, por që nuk kemi mundur, apo organet e ndjekjes nuk kanë arritur që të sigurojnë prezencën, se ne punojmë me Policinë e Kosovës”, thotë Hoti.

Gjykatësit dhe prokurorët për punën e tyre mbahen llogaridhënës, qoftë përmes procedurave të disiplinimit apo vlerësimit të performancës.

Të dy këto procese zhvillohen nga mekanizmat brenda Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.

Arrita Rezniqi nga IKD vlerëson se mekanizmat e llogaridhënies dhe vlerësimit të performancës, kanë dështuar të mbajnë përgjegjës gjykatësit dhe prokurorët.

“Ekziston një solidaritet te mekanizmat e llogaridhënies dhe performancës, që përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë, që në shumicën dërrmuese të rasteve i lirojnë nga përgjegjësia gjykatësit dhe prokurorët që e shkelin ligjin”, thotë Rezniqi.

Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, në të gjitha paraqitjet publike, kanë vlerësuar se duhet të forcohen mekanizmat e llogaridhënies, në mënyrë që të ngrihet llogaridhënia në sistemin e drejtësisë.

Për këtë temë ka folur edhe kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

“Prishtina ka probleme të mëdha me numër të madh të lëndëve të pakryera, numri i vogël i gjyqtarëve edhe nganjëherë kur ndodh parashkrimi absolut bëhet një vlerësim se a ka qenë objektivisht gjyqtari në mundësi me përfunduar atë rast apo jo, pasi që te ne nuk ka gjykim në mungesë, do të thotë pa të akuzuarin pa prezencën e tij nuk mundesh ta përfundosh lëndën edhe mund të ndodhë të vije deri te parashkrimi absolute, e tek ai relativ nuk ka arsyetim”, thotë Peci.

Sfida e gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve

Ambasada amerikane në Kosovë përmes projekteve të saj, vazhdimisht mbështet sistemin e drejtësisë. Lana Morton-Owens, këshilltare e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, thotë se gjykatësit janë të sfiduar nga numri i madh i lëndëve në punë.

Megjithatë, sipas saj, praktika e gjykatësve amerikanë në menaxhimin e rasteve duhet të zbatohet edhe në Kosovë, për të shmangur mundësitë e parashkrimit të rasteve.

“Është definitivisht një përgjigje e shumanshme. Nuk është një gjë që e shkakton këtë. Mendoj se një pjesë ka të bëjë me çështjen e burimit, një pjesë me çështjen e menaxhimit. Po, ndoshta mund të ketë më shumë gjykatës. Kujtoni se sa raste janë trashëguar gjatë integrimit të veriut, kujtoni se sa raste – vetëm raste të krimeve të luftës – janë trashëguar nga EULEX-i. Pra, Kosova ka marrë një përgjegjësi bukur të madhe kur ka marrë përsipër sistemin e saj të drejtësisë dhe rastet që duhej t’i vazhdonte”, thotë Morton-Owens.

Përfshirja e zyrtarëve publikë në afera korruptive, për të cilat raportohet në baza ditore nga organizata të shoqërisë civile dhe mediat, shpesh përfundojnë pa asnjë pasojë për zyrtarët e dyshuar.

Kjo ndodh falë amnistisë legale që këta zyrtarë e përfitojnë nga sistemi i drejtësisë.

Edhe në rastet kur ka aktakuza dhe procedura gjyqësore ndaj zyrtarëve për vepra penale të korrupsionit, në shumë prej këtyre rasteve, ndodh që ata të mos gjykohen dhe të amnistohen përjetësisht për ato veprime të pretenduara.

Duke vepruar në këtë mënyrë me trajtimin e rasteve të korrupsionit, qytetarët në Kosovë kanë humbur besimin dhe shprehen të pakënaqur me sistemin e drejtësisë, ku sipas raportit “Pulsit Publik”, në tre vjetët e fundit, del se kënaqshmëria e qytetarëve me sistemin e drejtësisë sillet prej 15 deri në 25 për qind.

Lajmet

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara