Lajmet
Zhduken mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë, Haxhiu paralajmëron suspendime
Haxhiu njoftoi se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët tha se i di emrat.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiMinistrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, që ndodheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Siç ka thënë Haxhiu, ajo është njoftuar mbrëmë dhe më pas ka njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe ushtruesin e detyrës së Policisë së Kosovës. Në konferencë të jashtëzakonshme për media, ka deklaruar se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët tha se i di emrat. Po ashtu, ajo theksoi se gjatë ditës pritet të ketë suspendime, bazuar në kërkesën e dërguar ndaj Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ministrja e Drejtësisë ka shprehur dyshimet se kjo ka ndodhur për shkak të raporteve ndër-kolegiale, meqë gjendja në këtë institut është e rëndë.
Para gazetarëve, Haxhiu gjatë së enjtes deklaroi se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal dhe për këtë arsyeje menjëherë mbrëmë kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit, Besim Kelmendi si dhe drejtorin e Policisë, Fehmi Hotin. Sot në mëngjes e kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetentë jam njoftuar si në vijim: në raksat apo mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit. Nga këto, IML dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë së Kosovës për ADN. Aktualisht, sipas informacioneve, sepse unë nuk kam qasje në vendin ku ruhen mostrat, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka thënë ajo.
E pyetur se sa mund të dëmtojë kjo procesin e hetimit të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, e para e Drejtësisë tha se ka përfunduar marrja e mostrave dhe janë bërë raportet. Ajo u zotua se ky rast do të zbardhet me çdo kusht, ani pse beson se ky akt ka një motiv për të dëmtuar procesin e zbardhjes së rastit të Deharit.
“Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona. Pra, sipas informacioneve vetëm tre persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Çdo kush që ka ndjekur pak rastin mbi vrasjen e Astrit Deharit dhe procesin hetimor për të, e ka të qartë se prej gjashtë vitesh të gjitha të dhënat, provat, dëshmitarët dhe çdo rrethanë e faktor është synuar të shtrembërohet, zhduket apo të eliminohet. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur këtë rast”, ka shtuar Haxhiu.
Më tej ministrja Haxhiu tha se nuk ka gjurmë se dikush nga jashtë e ka kryer këtë akt kriminal.
“Nuk ka thyerje të derës, nuk ka thyerje të vendit ky hyn çelësi. Asnjë dyshim në raport me forcën që është përdorur për ta kryer një akt të tillë kriminal. Prandaj po them që dikush nga zyrtarët përgjegjës, një person, dy, tre, kushdo qofshin ata, janë përgjegjës për këtë akt kriminal”, ka vijuar Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu potencoi se gjatë ditës së djeshme është kuptuar që janë zhdukur këto mostra gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në të rinj. Ajo para gazetarëve ka thënë se që nga tetori i vitit të kaluar nuk janë kryer kontrolla nëse janë mostra.
“Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj, por jam e bindur që ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi. Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos hije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet, kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Por, në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë, as nuk zbrapsen nga protokolli dhe ndalesat ligjore e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale”, shtoi Haxhiu.
Megjithatë Haxhiu deklaroi se autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet. Sipas saj, personat kanë dalë në vendin e punës sot dhe kanë pasur komunikimin me prokurorinë.
Po ashtu, theksoi se para pesë ditësh komisioni përzgjedhës e ka zgjedhur Flutura Gogën, si drejtuese të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Ka edhe shumë rrethana të tjera të raporteve ndër kolegiale në këtë institucion nga e kaluara e errët, e që japin indicie që mund të jetë vepruar për të fajësuar njëri-tjetrin, me qëllime e motive të ulëta duke ditur se çfarë peshe dhe ndjeshmëri ka raste Dehari, prandaj janë marrë edhe me këtë rast. Por, këtë mbesin ta hetojnë prokuroria dhe policia. Me rëndësi që është që janë njoftuar institucionet përgjegjëse. Nga aspekti administrativ, menjëherë pas kësaj konference do të merren masa në përputhje me përgjegjësitë”, ka theksuar në konferencë për media.
Haxhiu ka shtuar se janë interesuar edhe për kamerat, por i është thënë se filmimet nuk mund të qëndrojnë më shumë se një muaj.
Më tej shtoi se siguria në IML as më herë nuk ka qenë në nivel, por edhe me gjitha përpjekjet as tani nuk është në nivelin e duhur.
“Më duhet të theksoj që unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion, në laboratorin e Toksikologjisë por unë nuk mund t’i them ata. Për faktin se tashmë të njëjtit i di edhe policia edhe prokuroria. Sa i përket masave, neve na takon që të ndërmarrim masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës. Pra, komisioni disiplinor i Institutit të Mjekësisë Ligjore tashmë ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve. Unë besoj që sot do të përfundojë puna me suspendimin. Sepse legjislacioni në fuqi nuk lejon menjëherë shkarkimin, por suspendimin deri në një procedurë përfundimtare. Sigurisht në përputhje me kompetencat e mia do t’i ndërmarrë edhe unë përgjegjësitë e mia apo do të ndërmarrë masa ndaj atyre të cilët kanë qenë në krye të institucionit”, ka përfunduar ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për këtë rast është njoftuar mbrëmë para fillimit të koncertit të Filharmonisë nga udhëheqësja e Departamentit të Laboratorit të Toksikologjisë.
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
14 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
14 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
15 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
15 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
