Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem në volejboll për vitin 2027.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikirić, drejtuar presidentëve të dy federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Ky kampionat do të zhvillohet gjatë verës së vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Prishtinë.
Turneu do të mbledhë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa, duke u dhënë mundësi volejbollistëve të rinj të tregojnë potencialin e tyre dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare.
Ky vendim i CEV-it vjen edhe si rezultat i organizimit shumë të suksesshëm nga Kosova dhe Shqipëria të Kampionatit Evropian U16 për vajza, i cili u mbajt gjatë verës së vitit 2025 dhe u vlerësua lartë nga institucionet evropiane të volejbollit.
Duke parë këtë bashkëpunim të suksesshëm dhe standardin e lartë organizativ, CEV ka vendosur t’u besojë sërish dy federatave organizimin e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme të volejbollit evropian për grupmoshat e reja.
Ky kampionat pritet të sjellë në Kosovë dhe Shqipëri talentët më premtues të volejbollit evropian, duke ofruar një skenë të rëndësishme ku yjet e së ardhmes do të kenë mundësinë të shkëlqejnë.