Lajmet

Zgjedhjet në Shqipëri, Zingraf: Presim zgjedhje të lira

Published

on

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në një intervistë për DW flet për pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ai u bën thirrje zgjedhësve shqiptarë të votojnë kurse partive të pengojnë manipulimet.

DW: Z. Ambasador, Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare 2021, që zhvillohen këtë të dielë, më 25 Prill dhe shënojnë zgjedhjet e 9-ta parlamentare në tranzicionin e saj të trazuar post-komunist. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje? 

Peter Zingraf: Ju përmendët tranzicionin post-komunist. Por ndërkohë Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe me këtë përvojë ajo çfarë duhet të presë çdo shqiptare dhe shqiptar nuk mund të jetë asgjë më pak se zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t’i bëj thirrje çdo qytetareje dhe qytetari, të shfrytëzojë të drejtën e votës dhe të shkojë të votojë. Në demokracitë tona zgjedhjet janë një instrument qendror që na mundësojnë ne, të gjithëve, të bashkëpërcaktojmë zhvillimin e vendit tonë. 

DW: Cili do të ishte mesazhi juaj për aktorët kryesorë politikë lidhur me kapërcimin e polarizimit ekstrem, gjuhës së urrejtjes, konfrontimeve dhe tensioneve, që në të vërtetë po shfaqen në fushatën zgjedhore edhe pse ajo po zhvillohet në një formë jo tradicionale kjo për shkak të pandemisë?

Peter Zingraf: Një shkallë e caktuar konkurrence dhe përballjeje politike është normale në një demokraci. Por, për të gjithë aktorët e përfshirë duhet të jetë e qartë se retorika agresive dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të kenë vend këtu. Respekti i ndërsjelltë dhe gatishmëria për dialog duhet të vlejnë edhe në kohë fushatash zgjedhore. Dhe në vend që të shpotisin dhe të flasin për njëri-tjetrin, tani do ishte një mundësi e mirë për partitë dhe kandidatët, të përqendronin debatet në programet e tyre përkatëse dhe në reformat që ata duan të propozojnë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve.  

DW: Ambasador Zingraf, zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit do të mbahen me një kod zgjedhor të ndryshuar sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Çfarë shpresoni se po i sjell procesit zgjedhor ky kod zgjedhor i ndryshuar? A do të mund të garantojë ai integritetin e këtyre zgjedhjeve dhe shmangë sidomos një manipulim të mundshëm zgjedhor përmes blerjes së votës?

Peter Zingraf: Reforma zgjedhore dhe veçanërisht marrëveshja e 5 Qershorit treguan se aktorët politikë janë të aftë të ndërtojnë një dialog politik konstruktiv, edhe pse i arritur ky me vështirësi. Unë do të doja të shihja më shumë nga kjo frymë edhe gjatë fushatës zgjedhore aktuale, dhe po ashtu pas zgjedhjeve, kur bëhet fjalë për respektimin e rezultatit zgjedhor. Disa masa të reformës zgjedhore si p.sh. identifikimi biometrik i zgjedhësve synojnë në të vërtetë të pengojnë proceset manipuluese. Përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjithashtu ka rezultuar shumë e mirë dhe do të doja të përfitoja nga rasti e të nënvizoja punën e vështirë dhe profesionale të KQZ-së dhe Komisionerit Celibashi, të cilët kishin pak kohë për përgatitjen e zgjedhjeve. Natyrisht dëshiroj t’u bëj thirrje partive politike, të luajnë sipas rregullave dhe të pengojnë çdo formë të manipulimit zgjedhor. 

Dëshiroj të shtoj gjithashtu se, në vend ndodhen për momentin, ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, vëzhgues ndërkombëtarë, ku bëjnë pjesë dhe vëzhguesit e ODIHR-it, të cilët do të ndjekin më nga afër procesin. Por do të ketë gjithashtu dhe shumë misione vëzhguesish vendorë, dy prej të cilëve (KRIIK dhe AHC) mbështeten financiarisht nga Ambasada Gjermane. Dhe unë personalisht si dhe kolege dhe kolegë të ambasadës, bashkë me një numër të madh të ambasadave të tjera, do të jemi ditën e votimit në lëvizje. 

DW: Sipas mendimit tuaj, cila është sfida më e madhe e institucioneve dhe administratës zgjedhore në këto zgjedhje?

Peter Zingraf: Ne sapo folëm për reformën zgjedhore, e cila sjell me vete disa ndryshime dhe gjithashtu sfida. Një prej tyre është dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve që e përmenda dhe më herët, që po zbatohet për herë të parë. Formati i fletës së votimit me listat e hapura për herë të parë është gjithashtu i ri, prandaj mund të presim që procesi i numërimit të zgjasë më shumë se zakonisht. Në fund ka rëndësi që rezultati zgjedhor të jetë sa më i saktë dhe i drejtë. Unë kam besim tek autoritetet përgjegjëse dhe e rëndësishme do të jetë që partitë politike të respektojnë rezultatin që do të kenë përpara.  

DW: A është dekriminalizimi i parlamentit të ri deri tani, në rrugën e duhur?

Peter Zingraf: Procesi i dekriminalizimit është i rëndësishëm, shqiptaret dhe shqiptarët presin me të drejtë kandidatë “të pastër”. Edhe ne e presim këtë gjë. Unë mendoj se është ende shumë herët të bëjmë një bilanc përfundimtar për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në lëvizje dhe autoritete të tjera për verifikimin e dokumenteve.  

DW: Ambasador, a keni ndonjë mesazh për votuesit shqiptarë?

Peter Zingraf: Mesazhi im për shqiptarët është i thjeshtë dhe të njëjtin mesazh do t’u kisha dhënë edhe zgjedhësve në Gjermani. Shkoni votoni! Përmes të drejtës së votës çdo qytetare dhe qytetar mund të ndikojë në mënyrë aktive në demokraci. Kjo vlen edhe më shumë për njerëzit këtu në Shqipëri, të cilët para 30 vitesh luftuan për një të drejtë të tillë. Ky mesazh u drejtohet në mënyrë të veçantë votuesve të rinj, të cilët votojnë për herë të parë. Për këtë kemi diskutuar me të rinj dhe të reja shqiptare edhe në bisedat online të zhvilluara në lidhje me kryesimin gjerman të Këshillit të Evropës, ende i vlefshëm. Unë jam përfshirë gjithashtu në aksionin “Unë Vendos” të delegacionit të BE-së. 

DW: Z. Ambasador, ꞔfarë mendoni për inkurajimin e të rinjve dhe të rejave për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit dhe për të projektuar të ardhmen e tyre në Shqipëri? Largimi i rinisë nga Shqipëria, për një jetë më të mirë në BE ose në përgjithësi në Perëndim, mbetet një çështje akute shqetësuese. Kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19 i kanë frenuar largimet por jo dëshirën e një numri të konsiderueshëm të rinsjh e të rejash që dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre. Mendoj se ka një rrezik potencial për mos-pjesëmarrjes e rinisë  në votim.

Peter Zingraf: Shqipëria është një demokraci relativisht e re. Prandaj është shumë e rëndësishme që veçanërisht brezi i ri të shkojë të votojë. Demokracia duhet të riformësohet dhe mbushet vazhdimisht me jetë. Në zgjedhje, në thelb, bashkënegociohet çështja se si ne duam të jetojmë së bashku në të ardhmen. Prandaj sa më shumë të rinj e të reja të marrin pjesë në zgjedhje në Shqipëri aq më shumë, ata mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit të tyre. Emigrimin ne nuk mundemi dhe nuk duam ta pengojmë, sepse ai është pjesë e ADN-së së Bashkimit Evropian. Por, ashtu si dhe në 30 vitet e shkuara, Gjermania do të vazhdojë të angazhohet më tej intensivisht, përmes bashkëpunimit për zhvillim, për të përmirësuar kushtet e jetesës këtu në vend dhe do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë promovimit të mundësive për të rininë në të gjitha programet e promovimit të mundësive për të rinjtë.  

DW: Reforma e sistemit të drejtësisë  në Shqipëri, krijimi i organeve të reja për luftën ndaj korrupsionit, funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese janë mirëpritur nga Gjermania dhe BE. Çfarë mbetet për t’u bërë nga Shqipëria në mënyrë që të bindë shtetet skeptike, anëtare të BE-së, për të dhënë votën e tyre pro hapjes „de facto” të negociatave të pranimit në BE këtë vit, duke shpresuar se kjo do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve, ndoshta në qershor?

Peter Zingraf: Të gjitha institucionet që drejtësia reformoi ose krijoi rishtas janë aktive që prej vitit të kaluar dhe po shpalosin efektin e tyre. Kjo ndodhi më vonë sesa mendohej, por reformat e qenësishme hasin pothuajse gjithmonë në kundërshti dhe vështirësi. E rëndësishme është që kursi i reformave mbetet ende dhe të gjithë aktorët në Shqipëri vazhdojnë të punojnë për ndërtimin e një sistemi drejtësie transparent, efektiv dhe profesional. 

Plotësimi i vendeve të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese në dhjetorin e kaluar si dhe në Gjykatën e Lartë në muajin mars të këtij viti, ishin hapa krejtësisht vendimtarë për reformën në drejtësi. Përmes tyre këto dy gjykata rifituan funksionalitetin e tyre. Edhe krijimi i strukturave për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ju përmendët, është i një rëndësie të veçantë. Me nisjen e trajnimit, javën e kaluar, për hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u hodh një tjetër hap i rëndësishëm. Është thelbësore që Shqipëria të vijojë procesin e saj të reformave me vendosmëri. Gjermania njeh përpjekjet e Shqipërisë dhe angazhohet për mbajtjen e konferencës së parë të pranimit sa më shpejt të jetë e mundur. Se kur do të mbërrihet këtu, për këtë nuk do të doja të spekuloja për momentin. Por është e sigurtë që zgjedhjet e drejta, të lira, transparente dhe paqësore do të ndikonin pozitivisht në këtë proces. 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara