Lajmet

Zgjedhjet e 9 shkurtit: Si ndryshimi i ri ballafaqohet me procesin zgjedhor?

Published

on

Më 9 shkurt, Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare, dhe që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2021, disa aspekte të procesit të votimit kanë pësuar ndryshime. Ndryshimi kryesor krahasuar me zgjedhjet e kaluara është mundësia që votuesit të zgjedhin deri në 10 kandidatë nga një parti e caktuar.

Ky ndryshim, megjithatë, shihet si një mundësi për kandidatët më pak të njohur që të integrohen në arenën politike të Kosovës. Nga ana tjetër, modifikimi i fundit i procedurave zgjedhore ka sjellë gjithashtu një çështje logjistike, duke krijuar ngarkesë në qendrat e numërimit dhe duke hapur mundësinë për ndasi brenda partive politike.

Veton Zejnullahu, profesor i Shkencave Politike në UBT, këtë ndryshim në zgjedhjet e 9 shkurtit e sheh si një luftë që do të zhvillohet për mbështetje nga votuesit tradicional të subjekteve politike.

Si e vlerësoni ndyshimin në zgjedhjet e fundit, duke rritur numrin e kandidatëve nga 5 në 10, dhe cilat janë ndikimet e tij mbi procesin zgjedhor?

“Shtimin e numrit të kandidatëve unë e shoh si një mundësi për kandidatët që nuk janë shumë të njohur për elektoratin, të garojnë dhe të kërkojnë shansin e tyre në tregun politik të Kosovës. Përveç të tjerave, rritja e numrit nga 5 në 10 është edhe ngarkesë për qendrat e numërimit. Unë mendoj se kjo rritje ka ndikim negativ edhe brenda subjekteve, sepse kandidatët do të f illojnë “luftën brenda llojit” për marrjen e votave dhe nuk do të koncentrohen në përvetësimin e votuesve të rinj dhe atyre të pavendosur, sepse e tërë “lufta” do të bëhet për votuesit tradicionalë të subjektit. Kjo i dëmton edhe kandidatët, edhe subjektin, sepse lë shumë terren të pambuluar, i cili do të shfrytëzohet nga subjektet tjera”.

Si ndikon rritja e numrit të kandidatëve nga 5 në 10 në besimin e publikut në këto zgjedhje?

“Ky ndryshim nuk e rrit besimin e publikut, sepse mundësia për manipulim është më e madhe, por e rrit mundësinë e përzgjedhjes nga qytetarët, sepse ata kanë mundësinë që nga 110 të përzgjedhin 10 kandidatë për t’i votuar. Rritja e numrit nga 5 në 10 është ngarkesë dhe shkakton edhe konfuzion për qytetarët, sepse ata duhet të mbajnë mend 10 numra, dhe ky fakt shumë më shpesh i favorizon kandidatët për deputetë që janë nga numri 1-10 në listat votuese. Thuajse çdo votues i ka 4-5 kandidatë të preferuar dhe pastaj pjesën tjetër, për të mos lënë fletëvotimin jo të plotë, i zgjedh shpejt nga 10 të parët”.

Si mund të shfrytëzojnë partitë politike dhe grupet e interesit ndryshimet në procesin zgjedhor, duke përfshirë rritjen e numrit të kandidatëve, për të ndikuar në rezultatet zgjedhore?

“Përpilimi i listave favorizuese nga partitë politike për kandidatët e preferuar dhe koncentrimi i fortë i votës në baza rajonale e rrit shansin e grupeve të interesit që të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, por njëkohësisht i dëmton partitë politike, sepse nga karakteri kombëtar kthehen në karakter rajonal, duke i votuar përfaqësuesit vetëm të rajonit të tyre. Ky fakt dërgon një mesazh te votuesit, aktivistët dhe kandidatët potencial nga rajonet e tjera që mos t’i hyjnë garës zgjedhore – fenomen ky shumë aktual në këto zgjedhje. Një tjetër fakt është edhe rasti i manipulimit me votën brenda subjektit, ku votat tregtohen duke ua marrë atyre që nuk kanë numërues te tyre (mos e harroni procesin e kaluar kur numëruesit janë dënuar edhe me burg), dhe duke ua shtuar kandidatëve të tjerë, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin e brendshëm të listës së subjektit, sidomos nëse numrimi bëhet me dorë. Pavarësisht faktit që ligji thotë që çdo votë do të skanohet, nuk po shohim ndryshim pozitiv, sidomos pas bllokimit të tërë sistemit të KQZ-së, ku për shumë orë nuk kishte informata zyrtare rreth rezultateve”.

Rezultatet e zhvilluara deri më sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ka shënuar një rënie në mbështetje. Ndërkohë, sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shënuar rritje të votave.

Si pasojë e problemeve të shumta teknike në procesin e numërimit të votave nga KQZ, komisioni ka vonuar publikimin e rezultateve preliminare./UBTNews/

 

DEA BERISHA

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

Lajmet

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara