Lajmet

Zëvendësministri i Mbrojtjes e quan absurde kërkesën e Serbisë për trupa në Kosovë: Po bën luftë hibride

Ai thotë se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i pamundur.

Published

on

Kërkesën e Serbisë drejtuar KFOR-it, për të siguruar lejen e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore në Kosovë, e quan absurde zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla. Ai thotë se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i pamundur dhe shton se kërkesa të tilla janë lojë e presidentit të Serbisë, i cili po krijon tensione.

Syla thotë se Serbia po luan me lojëra të luftës hibride duke përhapur gënjeshtra të njëpasnjëshme.

“Është një kërkesë absurde por dhe një lojë e Serbisë që di të manovrojë në situata me të cilat ajo po përballet, ka ardhur momenti që të nënshkruhet një marrëveshje e cila sipas të gjitha gjasave nuk është në favor të Serbisë dhe në momentin kur nuk iu konvenon krijon edhe situata të tjera më të cilat ngrit tensione për të krijuar skenare të ndryshme. Mbi të gjitha Serbia po luan me lojëra të luftës hibride duke përhapur gënjeshtra të njëpasnjëshme, njëkohësisht duke ngritur kërkesa të cilat janë absurde”, thotë ai.

Ai deklaron se një ushtri si ajo e Serbisë, e cila ka kryer gjenocid, nuk mund të kthehet në Kosovë.

Sipas tij, Serbia po mundohet të përfitojë nga tensionet të cilat po i krijon vet, në mënyrë që të krijojë situata të favorshme për të në dialogun me Kosovën.

“Tash e 20 vjet është një kaptinë tjetër e historisë për të krijuar situata të tilla për të kërkuar kthimin e një ushtrie e cila u dënua në një kohë, kapitulloi në sajë të dështimit që ka pësuar sepse kishte bërë krime. Një ushtri e cila ka bërë gjenocid nuk do të kthehet më në Kosovë, as nuk do të lejohet të kthehet më në Kosovë, duhet ta kuptojë Serbia se nuk ka vend për ushtrinë serbe në Kosovë, është ushtria e Kosovës këtu, është ushtria e NATO-s, ajo e cila i ka treguar ku e ka vendin dhe duhet ta kuptojë realitetin, sado të jetë i hidhur, pro e dimë se nuk po mundet me kuptu Serbia, po krijon tensione të ndryshme, po tenton me nxjerr nga kjo situatë e tensionuar për të qenë shumë më e favorshme në bisedime por kthimin e ushtrisë serbe për ne është i pamundshëm dhe i papranueshëm, assesi nuk ka mendje që mund ta arsyetojë një veprim të tillë”, thotë Syla.

Zëvendësministri i Mbrojtjes thotë se ushtria e Kosovës po ngritet gradualisht në përputhje me standardet e NATO-s.

“Ushtria është e gatshme, përgatitet kur preket territori, cenohet integriteti dhe sovraniteti nga një fuqi e jashtme dhe ne shpresojmë që ajo ditë nuk do të vjen, por ne jemi me fat sepse bashkërisht me NATO-n e bëjmë sigurinë, NATO ka përgjegjësinë e sigurisë dhe jemi me fat thash që ata e kanë përgjegjësinë por ne gjithnjë jemi mbështetës për çfarëdo qoftë nevoje, ne do t’i përgjigjemi obligimit tonë, betimit tonë me të cilin na kushtëzon kushtetuta në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit”, thotë ai.

Në anën tjetër, Syla përgjigjet edhe rreth largimit të ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Nga 127 pjesëtarët të cilët e kanë braktisur Forcën gjatë vitit të kaluar, tre apo katër prej tyre janë nga komuniteti serbë, konfirmon zëvendësministri i Mbrojtjes.

“Tani kanë qenë tre raste apo katër që kanë kërkuar, që janë paraqitur se kanë pasur presion, kanë pasur shantazh që të largohen, ndërsa jo më shumë, edhe ata iu kanë nënshtruar një presioni të tillë dhe bazuar në rrethanat që janë krijuar, atmosferën e krijuar të një kërcënimi dhe atmosfere të zymtë kanë kërkuar që t’i lënë vendet e punës(gjatë vitit 2022)”, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes.

Syla thotë se në vazhdimësi ka pasur dalje por sipas tij, viti i fundit është më shqetësues, sa i përket largimit nga të gjitha komunitetet.

“Në vazhdimësi kemi pasur dalje, viti i fundit është më shqetësuar, është më i rritur dhe është shqetësim normal për ne, një pjesëtar me dalë është shqetësim e jo të dalin me dhjetëra, por normal që gjithë ushtritë e botës janë duke u përballuar me këto sfida… Sivjet mbi 100 ka kaluar numri, që është më i ngritur pak a shumë se vitet e tjera, është një trend më i rritur dhe e përmenda edhe njëherë, kjo neve na kushtëzon dhe na obligon të kemi parasysh dhe ne këtë vit do e bëjnë një debat të thellë dhe do të ulemi të shikojmë se si rrjedhin dukuri të tilla për ta kushtëzuar një ushtarak që ta lë ushtrinë”, thotë ai.

Megjithatë, Forca ka hapur dyert për të rinjtë që duan t’i bashkohen ushtrisë së Kosovës.

Deri më 15 janar është i hapur konkursi për ushtarë të rinj prej së cilit do të pranohen mbi 600 rekrutë dhe mbi 300 rezervistë.

Derisa flet për interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e FSK-së, Syla nuk shprehet i kënaqur me numrin e aplikimeve nga komunitetet jo shumicë.

Sa i përket komunitetit serb, ai thotë se në të kaluarën ka ndikuar shantazhi i bërë nga Beogradi në drejtim të tyre, në mënyrë që të njëjtit të mos shprehin interesim për t’u bërë pjesë e Forcës.

“Ka ndikuar, rasti i mëparshëm kur ishin ato fushatat serbe që bënin për t’i penguar që përdornin metoda të kërcënimeve, të shantazheve të ndryshme ka ndikuar shumë në zvogëlimin e të interesuarve. Tani gjithashtu situata është e tensionuar dhe të shikojmë qysh po rrjedh ky proces por kjo ndikon shumë tek të rinjtë të cilat janë nga minoritarët”, thotë ai.

Ndërsa sivjet Kosova synon të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si parakusht për anëtarësim në NATO.

Për këtë, Syla thotë se ushtria i ka krijuar të gjitha kushtet që ndihmojnë shtetin të arrijë këtë synim.

“Ne si ushtri kemi krijuar kushtet me të cilat do të ndihmonin shumë shtetin që të jetë afër plotësimit të standardeve për t’u futur në NATO, përderisa kjo është çështje politike që shteti duhet t’i krijojë të gjitha kushtet për të qenë anëtar i NATO-s por ne si segment ushtarak ne jemi shumë të avancuar në këtë drejtim dhe do të jemi shumë ndihmë e madhe për shtetin për ta plotësuar kriterin që nesër të jemi pjesë e NATO-s”, tha ai.

Ai pret që viti 2023 të shënojë gjithashtu anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A5), ku aktualisht ka vetëm rol vëzhgues.

Kosova gjithashtu do të shënojë një prej ngjarjeve kryesore, ushtrimin “Defender Europe 23”, ku do të jetë vend pritës në pranverën e këtij viti.

Syla thotë se FSK do të përfaqësohet me mbi një mijë ushtarë, ku do të ketë edhe në nivel komandues.

Sipas tij, ky ushtrim dëshmon arritjet konkrete të FSK-së dhe synimet e saj që nesër të jetë forcë me kapacitete të plota krah ushtrive moderne të NATO-s.

“Ne kemi marrë pjesë në një zbarkim, në një mision që e kemi pasur jashtë vendit, por do të jemi edhe pjesë e misioneve të tjera të shumta meqë ne gradualisht po plotësojmë shumë kritere të cilat i kanë ushtritë e NATO-s. Ushtrimi Defender Europe 23 është edhe një refleksion i përgatitjes sonë, i besueshmërisë sonë dhe i dijës me kapacitete edhe të trajnimit, edhe të shkollimit, edhe të stërvitjes pro edhe gatishmërisë morale fizike psiqike të ushtarëve tanë. Sepse, e dini ju, ka kohë që ne bëjmë ushtrime të shumta edhe me armë reale, me qitje reale, të cilat janë një sfidë me të cilat ushtarët tanë gradualisht janë duke i kaluar këto faza dhe në Defender 23 edhe do të validohen apo certifikohen si njësi të gatshme për operacion zjarri”, thotë ai.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara