28 Nëntori është data që bashkon shqiptarët kudo në botë, pa kufij e pa dallime. Është data kur historia shqiptare merr frymë më fort dhe ku kujtesa kombëtare ndizet si një flakadan që udhëheq brezat e rinj.
Në këtë ditë, 113 vjet më parë, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj. Ismail Qemali ishte në krye të procesit të shpalljes së pavarësisë. Dhe kreu i qeverisë së parë. Por, hija e trojeve shqiptare që mbetën jashtë kufijve ishte aty. Si shpresë dhe si mungesë.
Hija e Kosovës, gjithsesi!
E për Kosovën kjo datë ka peshë të dyfishtë – lidhet me dy momente të shenjta të historisë shqiptare.
Në këtë datë historike lindi një nga figurat më të mëdha të rezistencës kosovare, Adem Jashari. Ndërsa Prekazi i asaj kohe të vitit 1955 ishte një fshat i thjeshtë, pastaj duke kaluar në vitet e errëta të represionit, heroi Adem Jashari u bë një simboli i lirisë, zëri i qëndresës dhe zemra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Jeta dhe sakrifica e tij padyshim është shndërruar në betim për një popull të tërë.
Historia e familjes Jashari, ishte sakrifica e kthyer në një kapitull të rrugës drejt lirisë për Kosovën.
Po në këtë datë, kur frika ishte më e madhe, kur shumëkush nuk fliste hapur, dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë publikisht, tregoi se Kosova nuk do qëndronte më e heshtur. Më figurat e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt e Rexhep Selimit, UÇK doli nga hija po me këtë datë, më 28 nëntor, si një mesazh që flamuri kuq e zi nuk valëvitej vetëm për Shqipëri, ai do rritej edhe në Kosovë, në zemrat e të gjithë shqiptarëve të Kosovës që ishin të vendosur të mos dorëzohen.
Pra, në këtë ditë, më 28 nëntor 1997, për shumë shqiptarë rezistenca nuk ishte e shpërndarë dhe e paorganizuar, ndërsa sot dalja e parë e UÇK-së kujtohet si një nga momentet më të rëndësishme të viteve ‘90. Ky moment mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive si nisja e një etape drejt një Kosove të lirë.
Kështu, 28 nëntori për Kosovën nuk është vetëm festa e Flamurit, ajo është data kur gjaku, historia dhe identiteti kombëtar bashkohen në një. Është dita kur kujtojmë rrënjët tona, por edhe betejat e reja. Një datë e cila na rikujton se liria nuk ishte dhuratë, por amanet i hershëm. Një datë, në të cilën gjenerata të tëra festojnë lirshëm, gjithnjë duke kujtuar deceniet me radhë kur nuk mund të festohej haptazi, kur flamuri shqiptar ishte i ndaluar, kur për një “fjalë Shqipërie” mbusheshin burgjet me të rinj e të reja shqiptare.
Falë Adem Jasharit, falë UÇK-së, falë të gjitha lëvizjeve kombëtare shqiptare, të të gjitha kohërave – 28 Nëntori mbetet një ditë ku Shqipëria dhe Kosova bëhen një./UBTNews