Më 10 prill të vitit 1921 lindi Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare dhe njëkohësisht themeluesi i një kapitulli të rëndësishëm të muzikës operistike në Shqipëri, pasi më vonë drejtoi dhe Teatrin e Operas dhe Baletit.

Krantja ishte një figurë themelore në historinë e muzikës shqiptare, pasi ai hodhi bazat e dirigjimit operistik dhe solli për herë të parë në skenat shqiptare një numër të konsiderueshëm premierash të operave dhe baletëve të autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ai udhëhoqi një periudhë të pasur artistike në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku janë vënë në skenë vepra të rëndësishme, përfshirë operën e parë të vendit, “Rusallka”, “Ivan Susanjin”, “Nusja e shitur”, “Traviata” dhe shumë të tjera.
Për dekada me radhë, Krantja drejtoi orkestrat dhe koncertet e rëndësishme muzikore, duke u angazhuar jo vetëm në Teatrin e Operas dhe Baletit, por edhe në Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Po ashtu, ai shërbeu si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të dirigjentëve dhe muzikantëve.
Në fushën e kompozicionit, Mustafa Krantja ka lënë pas një trashëgimi të pasur, duke krijuar një sërë veprash muzikore vokale dhe simfonike. Ai gjithashtu ka pasur një rol të rëndësishëm si publicist dhe ka kontribuar me artikuj të shumtë mbi artin muzikor, emisione televizive dhe intervista që pasqyrojnë thellësinë e njohurive dhe pasionit të tij për muzikën.
Për punën e tij të jashtëzakonshme dhe kontributin e palodhur në kulturën dhe artin muzikor, Mustafa Krantja është nderuar me çmime të shumta, duke përfshirë Urdhrin e Punës të klasit të parë dhe të dytë, Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të Parë, titullin “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medaljen e nderit nga Opera e Bakut, medaljen “Anëtar Nderi i Përjetshëm” nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Artit dhe Letërsisë në Brindizi (Itali), si dhe medaljen “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai mban gjithashtu titullin e lartë “Nder i Kombit”./UBTNews/