Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të komentojë deklaratën e tij për marrëveshjen e Uashingtonit, dhënë në gazetën spanjolle “El Mundo”, për të cilën tha se ka promovuar stabilitet.
Pas homazheve tek arkivoli i akademikut Minir Dushi, Kurti është pyetur se çka e ka shtyrë të ndryshojë mendje për Marrëveshjen e Uashingtonit, por nuk është deklaruar.
“Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, e bazuar në përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj sovranitetit tonë dhe integrimit në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, u prioritizuan marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata Biden ka forcuar institucionet demokratike në Ballkan. Megjithëse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka thënë Kurti të martën për gazetën spanjolle.
Marrëveshjen e arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, e nënshkruar mes kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidentit amerikan, Donald Trump, Kurti e kishte kritikuar bashkë me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.