Kulturë

Zbulohet Hektori dhe Akili në një mozaik romak në Britaninë e Madhe

Fragmentet e para u zbuluan në fillim të vitit 2020.

Published

on

Është zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, mozaiku, i cili përshkruan një skenë nga Iliada. Mendohet të ketë qenë dyshemeja e një shtëpie të pasur romake nga shekulli III-IV pas Krishtit dhe sipas arkeologëve asgjë e ngjashme me të nuk është zbuluar më parë. Mozaiku romak u zbulua në një fushë në East Midlands, në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërthur rëndësinë arkeologjike dhe cilësinë e lartë artistike, transmeton a2news.al.

Fragmentet e para u zbuluan në fillim të vitit 2020, gjatë periudhës së bllokimit të parë për shkak të pandemisë, kur një fermer i ri gjeti aksidentalisht gjurmët e mozaikut mijëravjeçar. Më pas ai kontaktoi ekipin arkeologjik të Këshillit të Qarkut Leicestershire, autoriteti lokal që kontrollon trashëgiminë historike. Nga ky moment filluan gërmimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe Universitetin Leicester.

Mozaiku ka përmasa njëmbëdhjetë me shtatë metra. Ai përshkruan një episod të famshëm të Iliadës, duelin midis Hektorit dhe Akilit, në fund të Luftës së Trojës. Pak paraqitje të këtij episodi janë të njohura në Evropë dhe deri më tani, ky është i vetmi në tokën britanike. Sipas rindërtimit të arkeologëve, mozaiku formonte dyshemenë e asaj që ishte ndoshta një sallë e madhe e destinuar për bankete, ose një zonë e banesës e rezervuar për rekreacion dhe kohë të lirë.

Është pjesë e një vile të madhe perandorake të vonë (shek. III-IV pas Krishtit) e ndërtuar në një sërë kanalesh kufitare së bashku me ndërtesa të tjera të zbuluara nga një studim gjeofizik dhe një studim arkeologjik, duke përfshirë një kompleks me ujëra termale dhe disa magazina për grurin. Kjo tregon  se struktura i përkiste një individi të pasur dhe një njohës i letërsisë klasike. Mbi mozaikët, midis shtresave të rrënojave që i mbulonin, janë zbuluar mbetje të eshtrave të njeriut, që ndoshta do të datojnë në kohën e vonë romake ose në mesjetën e hershme.

Vendi ndodhet në tokë private dhe nuk është i aksesueshëm për publikun për momentin, por zbulimi i mozaikut dhe kompleksit të vilës do të tregohet në një dokumentar në BBC Two në vitin 2022.

Britania krenohet me shumë pasuri të së kaluarës. Në histori, mbeten të famshme gërmimet e Sutton Hoo, që u zhvilluan në vitin 1939, kur u zbulua një anije funerale anglo-saksone e shekullit të 7-të, një nga zbulimet më të mëdha në historinë britanike.

Kishte tre pushtime të mëdha që formësuan jo vetëm historinë e vendit, por edhe gjeografinë e disa vendeve në Britani. Dy të parat në duart e vikingëve dhe normanëve, kurse i treti, më i madhi, filloi në vitin 42 pas Krishtit, kur legjionet romake mbërritën në ishull. Pushtimi romak i Britanisë së Madhe zgjati deri në vitin 410 pas Krishtit, duke lënë pas rrugë, monumente dhe legjenda.

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Trashëgimia kulturore e Kosovës pasurohet me 13 asete të reja nën mbrojtje të përkohshme

Published

on

By

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë është pasuruar me 13 asete të reja, pas një njoftimi të bërë nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit. Kjo listë përfshin një gamë të gjerë lokacionesh, nga lokalitetet arkeologjike dhe kalatë, deri te kullat, shtëpitë historike si dhe komplekset industriale e familjare që dëshmojnë periudha të ndryshme historike në vend.

Në mesin e objekteve dhe lokaliteteve të reja të përfshira në mbrojtje janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicë të Veriut, si dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky proces do të vazhdojë me identifikimin dhe vlerësimin e mëtutjeshëm të aseteve që bartin vlera të rëndësishme historike e kulturore, me synim përfshirjen e tyre në mekanizmat përkatës të mbrojtjes shtetërore. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Imazhe Migruese”, ekspozita personale e Bora Baboçit hapet në Prishtinë

Published

on

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA është hapur ekspozita personale e artistes Bora Baboçi, me titull “Imazhe Migruese”, e kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Përmes veprave të saj, ekspozita trajton mënyrën se si imazhet kalojnë nga një material në tjetrin, duke ndryshuar formën, kuptimin dhe mënyrën se si perceptohen. Ajo sjell në vëmendje rrugëtimin e motiveve ikonografike dhe kompozimeve artistike mes periudhave dhe konteksteve të ndryshme kulturore.

Ekspozita synon të nxisë reflektimin mbi transformimin e imazheve dhe kuptimet e reja që ato marrin gjatë këtij procesi.

“Imazhe Migruese” mund të vizitohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA deri më 11 dhjetor 2026./A.K/

Continue Reading

Lajmet

13 asete të reja të trashëgimisë kulturore përfshihen në listën e mbrojtjes së përkohshme

Published

on

Trashëgimia kulturore e Kosovës është pasuruar me 13 asete të reja, të cilat janë përfshirë në listën e mbrojtjes së përkohshme.

Lista përfshin lokalitete arkeologjike, kala, kulla, shtëpi historike, si dhe komplekse industriale e familjare, që dëshmojnë periudha të ndryshme historike dhe mënyra të jetesës në pjesë të ndryshme të vendit.

Në mesin e aseteve të përfshira janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia-muze e Latif Berishës në Mitrovicën e Veriut dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.

Procesi i identifikimit dhe vlerësimit të aseteve me vlera historike e kulturore do të vazhdojë, me synimin që ato të përfshihen në mekanizmat përkatës të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara