Lajmet

Zbulime të reja vërtetojnë heshtjen e Vatikanit ndaj shfarosjes së hebrenjve

Ky sekret ka mbetur i ruajtur brenda Vatikanit për më shumë se 80 vjet.

Published

on

Një sekret që ka mbetur i ruajtur brenda Vatikanit për më shumë se 80 vjet. Bëhet fjalë për negociatat sekrete midis Papa Piut XII dhe Hitlerit, dhe për një dritë të re mbi heshtjen e Papës përballë shfarosjes së hebrenjve.

Të fshira nga të gjitha dokumentet zyrtare të Selisë së Shenjtë, ato janë bërë publike pas hapjes së arkivave të Euxhenio Pacelit, me kërkesën e Papa Françeskut në marsin e vitit2020. “Unë kisha punuar tashmë me koleksionet arkivore të vendeve perëndimore, por më mungonin të dhënat nga Vatikani”- thotë Dejvid I.Kertzer, profesor amerikan në Universitetin Braun, i vlerësuar me çmimin Pulitzer për esenë e tij me titull “Papa Piu XI dhe fashizmi”, pra mbi ngjarjet historike që i paraprijnë periudhës së trajtuar në veprën e tij të re.

Libri i tij i ri “Një papë në luftë. Historia sekrete midis Musolinit, Hitlerit dhe Papa Piut XII” i sapo–botuar në Itali përmban shumë dokumente që ishin hequr nga 12 vëllimet e burimeve arkivore të sekretariatit të Vatikanit në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, dhe që flasin mbi një nga çështjet historiografike më të diskutueshme dhe më të mprehta:dështimin Papa Pacelit për të denoncuar gjenocidin nazist ndaj hebrenjve.

Le t’ia nisim me negociatat sekrete të Papa Piut XII me Hitlerin. Çfarë gjetët në arkivat e Vatikanit?

Procesverbale në gjermanisht, që mbetën të fshehura për 80 vjet. Ato flasin mbi takimet sekrete midis Papa Piut XII dhe të dërguarit të Fyhrerit, Princit Filip Von Hesen, një personazh ekscentrik, homoseksual, që ishte martuar me Mafaldën e Savojës, pra ishte dhëndri i Viktori Emanuelit III. Takimet u zhvilluan që në fillim të papatit të Piut XII jashtë kanaleve normale diplomatike. Vetë ambasadori gjerman në Selinë e Shenjtë nuk ishte nëdijeni të tyre.

Cila ishte përmbajtja e atyre bisedimeve?

Papa i kërkon Hitlerit të ndalë politikën e agresionit kundër kishës katolike në Gjermani.  Në këmbim, i dërguari i Hitlerit i vendosi dy kushte:heshtjen e Papës në lidhje me çështjen racore dhe mosndërhyrjen e klerit gjerman në politikën e brendshme të Rajhut të Tretë.

Nga maji vitit 1939, takimet vazhduan për disa muaj, në përgatitje për vizitën e Ministrit të Jashtëm Von Ribentrop në marsin e vitit 1940. Dokumentet tregojnë gjithashtu 5 kërkesat e Papës “për të detoksikuar atmosferën publike, para se të fillonte çdo lloj bisedimi”.

I pakënaqur me sinjalet e dobëta që vinin nga Gjermania, Papa kërkoi ndalimin e sulmeve kundër Kishës Katolike, rikthimin e edukimit fetar në shkolla dhe lirinë e priftërinjve, dhe dhënies fund të sekuestrimit të pronave. Hitleri ra dakord me kushtet e vendosura nga Paceli.

Në thelb, ju pretendoni se Papa e shkëmbeu heshtjen e tij ndaj masakrave naziste, medhënien fund të armiqësive kundër Kishës Katolike?

Ai dëshironte të mbronte Kishën e tij dhe të shmangte përçarjet në botën katolike gjermane. Heshtja e Pacelit bëri përshtypje që në ditët e para të luftës tek opinioni publik evropian, pas pushtimit gjerman të Polonisë. Debatet nisën zyrtarisht në vitet 1960, kur u botua libri i famshëm “Vikari” nga Rolf Hoshhut. Kjo është absurde, pasi skandali për heshtjen shurdhuese të Piut XII shpërtheu menjëherë.

Ju përmendni edhe një urdhër të firmosur në vitin 1938 për zhdukjen e dokumenteve,në lidhje me abuzimin seksual të priftërinjve në Austri…

Një dokument i datës mars 1938, ruhet ende sot në arkivin e sekretariatit të shtetit, që në atëkohë drejtohej nga Paceli, papa i ardhshëm. Urdhri i kërkonte Kishës Katolike në Austri tëdigjte të gjithë dokumentacionin në lidhje me çështjet e imoralitetit të klerit. Austria sapo ishte aneksuar nga Hitleri dhe Vatikani kishte frikë nga hakmarrja.  

Në librin tuaj, ju ndaleni tek këmbëngulja e madhe diplomatike nga evropianët dhe amerikanët, që Papa të prononcohej publikisht për “barbarizmin gjerman”. Që nga janari i vitit 1942, Papa ishte plotësisht i vetëdijshëm për fushatën e shfarosjes që kishin nisur nazistët…

Papa mori për këtë fushatë raporte të detajuara nga klerikë të besuar. Në tryezën e tij mbërritën raportet e kapelanit ushtarak At Pirro Skavici. Nga Nunci në Bratislavë mbërriti lajmi mbi “planin mizor” të nazistëve, i hartuar nga katoliku Jozef Tiso, lideri nazist sllovak. Në fundin e gushtit të atij viti, kryepeshkopi i kishës ukrainase e informon gjithashtu Papën për “bastisjet djallëzore” të gjermanëve. Në shtator, Xhovani Malveci i tregoi mbi masakrat e tmerrshme në Poloni.

Por kur amerikanët i kërkuan reagim publik ndaj lajmit të tmerrshëm mbi shfarosjen e hebrenjve, Papa u shmanget…

Po, në shtatorin e vitit 1942 presidenti amerikan Ruzvelt, nëpërmjet të dërguarit të tij Miron Tejlor, e ftoi Papa Piun XII jo vetëm ta denonconte publikisht këtë krim lufte, por e pyet nëse ka informacione që konfirmojnë shfarosjen e hebrenjve në Evropë. Përgjigja do të vijë vetëm një muaj më vonë, shumë e thatë.

Edhe pse ishte i mirë–informuar, Papa e pranon se ka marrë disa sinjalizime, por shton se nuk ishte në gjendje të verifikonte saktësinë e tyre. Në realitet, ishte imzot Angelo Del’Akua, anëtari i Sekretariatit të Shtetit që u mor me këtë çështje, dhe që e këshilloi Papën të ishte i kujdesshëm, edhe sepse “ekzagjerimi i gjërave, ishte diçka e zakonshme për hebrenjtë”.

Gjithsesi pas bastisjes së getos së Romës, më 16 tetor 1943, Papa Piu XII u angazhua shumë për të çliruar hebrenjtë që ishin konvertuar në të krishterë…

Përpjekjet e Vatikanit përqendrohen vetëm tek hebrenjtë e pagëzuar ose të martuar me katolikët, duke arritur lirimin e tyre. Menjëherë pas krijimit të getos, Paceli takohet me tëdërguarin britanik Osborn dhe atë amerikan Titman. Të dyve u thotë se nuk ka asnjë arsye të ankohet për ushtrinë gjermane, që sipas tij kishte respekt të madh për Vatikanin. Në atë takim nuk u përmendën në asnjë rast mijëra hebrenjve që u dërguan në kampet e vdekjes në Aushvic.

Si mendoni se do të pritet libri juaj në Vatikan?

Unë pres polemika të forta, sidomos nga ata që vazhdojnë ta cilësojnë Pacelin si Papën efundit të vërtetë, përpara revolucionit të Këshillit të Dytë të Vatikanit. Por është e vështirë të përballesh me dokumentet. Unë kam në duar dhjetëra mijëra faqe me burime të dixhitalizuaranga arkivat e Vatikanit, por edhe ato atyre të vendeve të përfshira në luftë. Shpresoj që debati që do të pasojë, të marrë parasysh këto burime të reja. / La Repubblica – Bota.al

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara