Kulturë

Xhubleta në pullat postare të Kosovës

Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë iliriane.

Published

on

Filatelia e Postës së Kosovës, sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare të titulluar “Nga Trashëgimia – Xhubleta”, e cila u përfshi në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO në vitin 2022.

Filatelia e Postës së Kosovës, kësaj radhe nga thesari i etnologjisë sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave, siç u potencua, do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale të pafundme që ka Kosova.

Xhubleta, veshja tradicionale me origjinë të lashtë, tipike për gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, është një fund popullor i valëzuar, në formë zileje që përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Ajo mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII xhubleta ishte bërë me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme.

Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malësorët tanë e kanë përcjellur deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Çekia diskutojnë bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore

Published

on

By

Ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Republikës Çeke, Naděžda Goryczková, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore.

Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në konservimin, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve.

Përvoja e gjatë e Republikës Çeke në ruajtjen e trashëgimisë kulturore u vlerësua si mundësi e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e standardeve të institucioneve të Kosovës në këtë sektor. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara