Franca po planifikon të forcojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme, duke vendosur që nxënësit e moshës 11 deri 15 vjeç t’i mbyllin pajisjet në dollapë ose çanta në fillim të ditës mësimore dhe t’i përdorin pas përfundim të saj.
Ministrja e Arsimit deklaroi në senat se synimi është që fëmijët të shkëputen nga celularët gjatë ditës shkollore, duke filluar nga shtatori në shkollat e mesme të Francës, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Elisabeth Borne u shpreh: “Në një kohë kur përdorimi i telefonave është gjithnjë në diskutim për shkak të pasojave të shumta negative, ky hap është i domosdoshëm për mirëqenien e arritjet e nxënësve tanë.”
Që nga 2018, Franca ka ndaluar përdorimin e celularëve në shkollat e mesme, të quajtura colleges. Ky ndalim ka përfshirë mbajtjen e telefonave të fikur në çanta dhe ndalimin e përdorimit në ambientet shkollore, madje edhe gjatë pushimeve.
Ky rregull ka dhënë rezultate pozitive: fëmijët janë më aktivë fizikisht, kanë më shumë ndërveprime shoqërore, më pak raste ngacmimi dhe përqendrim më të mirë në mësime, por janë hasur raste ku disa nxënës janë përpjekur të përdorin telefonin fshehurazi në tualete për të parë video gjatë pushimeve.
Qeveria franceze synon të shkojë më tej me një shkëputje të plotë nga teknologjia gjatë ditës. E ashtuquajtura “pauzë dixhitale” e detyrueshme është testuar në një program pilot në rreth 100 shkolla për gjashtë muaj. Telefonat dorëzohen në hyrje dhe vendosen në një dollap, kuti të veçantë, ose në çanta që çelen përmes mekanizmit elektronik kur nxënësit largohen për në shtëpi./The Guardian/