Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë personat që ofrojnë shërbime si “freelancer”, “influencer”, “out-source” dhe aktivitete të ngjashme se janë të detyruar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale në përputhje me legjislacionin tatimor të Kosovës.
ATK ka njoftuar se aktivitetet e saj do të përqendrohen te personat që nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk paguajnë tatimet dhe kontributet përkatëse. Të gjithë ata që krijojnë të ardhura, si nga Kosova ashtu edhe jashtë saj, nga aktivitetet si freelancer, influencer, dhe out-source, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet sipas rregullave tatimore të Kosovës.
Në rast se shërbimi ofrohet si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor. Ndërkohë, nëse punonjësi punon për një punëdhënës jashtë Kosovës, ai është i detyruar të paguajë vetë tatimin dhe kontributin pensional.

Personat që ofrojnë këto shërbime mund të deklarojnë dhe paguajnë tatimin përmes Sistemit Elektronik EDI. Ata mund të zgjedhin që ta bëjnë deklarimin dhe pagesën në periudhë mujore ose vjetore. Në rastin e deklaratës vjetore, periudha për deklarim dhe pagesë është nga 01.01 deri më 31.03 të vitit pasues, për vitin paraprak. Për deklarimin dhe pagesën mujore, afati është nga 01 deri më 15 të muajit pasues për muajin paraprak.
Kur shërbimet e ofruara nga këto kategori konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura, është e detyrueshme regjistrimi i këtyre aktiviteteve përmes Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Të ardhurat nga këto aktivitete duhet të deklarohen sipas normës 9% për shërbimet, ose sipas rregullave ligjore për të ardhura reale. Po ashtu, të ardhurat duhet të trajtohen edhe për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), nëse është e nevojshme.
ATK ka njoftuar se do të ndërmarrë masa ndëshkuese për ata që nuk përmbushin detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Administrata ka inkurajuar të gjitha kategoritë përkatëse që të deklarojnë dhe paguajnë tatimet siç kërkohet, për të shmangur sanksionet e mundshme.
ATK ka kërkuar që të gjithë freelancer, influencer dhe individë që punojnë në mënyrë të pavarur të respektojnë detyrimet tatimore, duke deklaruar dhe paguar tatimet për të shmangur pasojat ligjore./UBTNews/