Lajmet
Vuçiq në Samitin e të Painkuadruarve: Dialogu me Kosovën nuk ka alternativë
Vuçiq tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiNë Beograd të Serbisë po mbahet samiti dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.
Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA).
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalën e tij hyrëse tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit.
“Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes”, tha Vuçiq duke shtuar se Serbia është “një promovuese e idesë së multilateralizmit”.
Vuçiq gjatë fjalimit të tij foli edhe për çështjen e Kosovës. Ai tha se Serbia “lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara” dhe se është “e angazhuar për dialog” me Kosovën.
“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternativë”, tha Vuçiq.
Dodik: Bosnja, nën protektoratin e perëndimit
Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, akuzoi vendet perëndimore për ndërhyje në vendin e tij duke thënë se ato po impononin zgjidhje duke emëruar një “përfaqësues të lartë të paligjshëm”.
Ai tha se Bosnja është nën “protektoratin” e këtyre vendeve.
Dodik tha se po fliste në samit “në emër të Republika Sërpskës”.
Posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar. E njëjta u nënshkrua më 14 dhjetor, 1995 në Paris të Francës.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit.
Ish-Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Pas atij vendimi Dodik pati thënë se Republika Sërpska “duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”.
Nga 1 gushti, postin e Përfaqësuesit të Lartë e mban gjermani, Christian Schmidt.
Dodik pati thënë se Republika Sërpska nuk e pranon emërimin e tij dhe as ndonjë nga kompetencat e tij.
Rusia merr pjesë në samit
Delegacionet u mirëpriten nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq dhe homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, vendi i të cilit mban udhëheqjen e Lëvizjes deri në vitin 2021.
Në samit po merr pjesë edhe Rusia pasi në korrik të këtij viti fitoi statusin e shtetit vëzhgues.
Lëvizja e të Painkuadruarve është grupi më i madh i shteteve pas Kombeve të Bashkuara.
Ideja për këtë lëvizje, siç nënkuptohet edhe në bazë të emrit, ishte të luajë rolin e një alternative politike për vendet që duan të shmangin zgjedhjen që t’i përkasin një blloku ushtarak-politik. Këto vende synonin të artikulojnë një qasje të pavarur të politikës së jashtme.
Themelimi i saj u bë më 1961 kur zyrtarë nga 25 vende u mblodhën në Konferencën e parë të Lëvizjes së Painkuadruarve në Beograd (atëbotë: Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë).
Në atë samit patën folur udhëheqës të atëhershëm, përfshirë kryeministrin e Indisë, Jawaharlal Nehru, presidentin e Egjiptit, Gamal Abdel Nasser dhe presidentin jugosllav Josip Broz Tito, me iniciativën e të cilëve u mbajt konferenca e parë gjashtë dekada më parë.
Masat e sigurisë në Beograd janë shtuar dhe mbi 3.000 policë janë angazhuar për të mbajtur rendin gjatë samitit që mbahet të hënën dhe të martën.
Kush (nuk) shkoi në Beograd?
Shteti i Ganës përfaqësohet nga presidenti Nana Akufo-Addo ndërsa Algjeria nga kryeministri Aymen Benabderrahmane ndërsa delegacionet nga vendet e tjera pjesëmarrëse udhëhiqen në nivel të ministrave.
Rusia ka dërguar ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov. Një ditë para samitit ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më 6 tetor, ministri i Jashtëm serb, Nikolla Selakoviq tha se qëllimi strategjik dhe thelbësor i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), por shtoi se Beogradi zyrtar nuk heq dorë nga miqtë tradicionalë që sipas tij “nuk janë vetëm Rusia dhe Kina, por edhe anëtarë tjerë të të painkuadruarve”.
Selakoviq gjithashtu vuri në dukje se tubimi me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Lëvizjes nuk ka një dimension kryesisht politik, sepse nuk do të merren vendime apo deklarata, por është “një mënyrë që të gjithë të tregojnë se ata mbajnë në mend me krenari Konferencën e Beogradit të vitit 1961”.
Anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq anuluan pjesëmarrjen, pasi policia serbe arrestoi Edin Vranjën, ish-kreun e Departamentit të Krimit të Organizuar të Bosnjës, më 12 shtator, nën akuzat për krime lufte.
Në kuadër të samitit do të mbahet edhe një forum i biznesit i vendeve pjesëmarrëse.
Si lindi Lëvizja e të Painkuadruarve?
Ideja e themelimit të Lëvizjes së të Painkuadruarve u shfaq gjatë rënies së sistemit kolonial dhe pasi lufta për pavarësi mori hov mes popujve të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine dhe rajoneve të tjera të botës, në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.
Termi “Të Painkuadruarit” u shpall për herë të parë nga kryeministri indian, Jawaharlal Nehru gjatë fjalimit të tij në 1954 në Shri Lankë. Pesë parimet e Lëvizjes u thanë se janë: respekti i ndërsjellë për integritetin dhe sovranitetin territorial, mosagresioni ndaj njëri-tjetrit, barazia dhe përfitimi reciprok si dhe bashkëjetesa paqësore.
Ish-udhëheqësi jugosllav, Josip Broz Tito, konsiderohet si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Vendi i udhëhequr nga Tito ishte anëtar i Lëvizjes së Painkuadruarve deri në fillim të viteve 1990, kur u shpërbë për shkak të luftërave jugosllave. Më 1992 Jugosllavia u tërhoq zyrtarisht nga anëtarësia./REL
Lajmet
Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it
Published
18 minutes agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.
Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.
Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës
Lajmet
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Published
1 hour agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.
Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.
Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.
Lajmet
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Published
2 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Programi i Gjuhës Angleze në UBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.
Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.
Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.
Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.
Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.
Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.
Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.
Lajmet
Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës
Published
2 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Sytë e botës sonte janë në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku Kosova luan një ndeshje historike kundër Turqisë për një biletë në Botëror, një sukses që ka zgjuar vëmendjen e mediave më prestigjioze globale.
Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka botuar një artikull tejet prekës ku përshkruan rritjen e jashtëzakonshme të kombëtares sonë, duke e titulluar: “Besojmë te njëri-tjetri: Rruga e vështirë e Kosovës nga lufta drejt shpresës për Kupën e Botës”.
Gazeta sjell rrëfimin e Samir Ujkanit, i cili kujton kohën kur lojtarët nuk ia dinin as emrat njëri-tjetrit në ndeshjen e parë kundër Haitit dhe stërviteshin në fusha të rënduara nën tymin e termocentraleve të Obiliqit.
Artikulli vë në pah se për një shtet që dikur e kishte të ndaluar futbollin nga autoritetet serbe, ky moment përfaqëson kulmin e një diplomacie të gjatë sportive të nisur nga i ndjeri Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu.
Sipas “The Guardian”, ajo që dikur dukej e pamendueshme – kualifikimi i Kosovës në finalet e një Botërori – sonte është vetëm një fitore larg, duke e shndërruar sportin në projektimin më të bukur të një shteti modern dhe të suksesshëm në skenën ndërkombëtare.
Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Alumni i UBT-së udhëheq punëtorinë mbi psikologjinë klinike dhe formulimin e rasteve me studentët e nivelit master
Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës
Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit
27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
