Lajmet

Vuçiq për kompromis me Kosovën – Prishtina kërkon vetëm njohje nga Serbia

Vuçiq: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë.

Published

on

Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën, por kërkon një zgjidhje kompromisi tha presidenti serb në kuvendin e Serbisë. Për Prishtinën e vetmja zgjidhje në dialogun me Serbinë është njohja reciproke.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha para deputetëve të parlamentit në Serbi, se vendi i tij nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Sipas tij, serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen me Kosovën në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen, por nuk ishte në gjendje të thotë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Këto deklarata presidenti i Serbisë i bëri gjatë një raportimi në parlamentin serb për dialogun me Kosovën.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them, nuk e di. Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe ato do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Pra, ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.

Vuçiq: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë

Presidenti i Serbisë tha, se dialogu me Kosovën është transparent. “Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, “situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të parlamentit të Serbisë.

Por kompromisin në dialog me Kosovën, për të cilin flet presidenti i Serbisë, Prishtina zyrtare e kundërshton në mënyrë të prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Austri  ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se “dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktualë”. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e ripërsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, se “Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

Takimi i fundit për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi, 15.06.2021

BE: Bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë pritet të zhvillohet në fund të muajit korrik nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit dy ditë më parë në një takim me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së tha, se “së fundi, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.

“Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel, duke bërë të ditur se edhe pas takimit të dytë mes Kurtit dhe Vuҫiqit do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, temë debati vazhdon të jetë çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është e përkufizuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Kosovo Premierminister Albin Kurti

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas një deklarimi të ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën (17.06) se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një vizite që javën e shkuar në veri të Kosovës tha se “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett.

Lajmet

Humb Vuqici, shqiptaret fitojn dy mandate ne Kuvendin e Serbise

Published

on

By

Lista Studentore ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke siguruar shumicën në parlament dhe duke mposhtur listën “Serbia e Bashkuar” të Aleksandar Vuçiqit, i cili tashmë e ka pranuar publikisht humbjen.
Në këtë proces zgjedhor, sukses të rëndësishëm kanë shënuar edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Lista e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” ka arritur të sigurojë dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ku si listë e pakicës kombëtare nuk i nënshtrohet pragut zgjedhor prej 3 për qind.
Bazuar në renditjen e kandidatëve, dy vendet në parlamentin e ri do t’u takojnë bartësit të listës Shaip Kamberi (PVD) dhe Visar Mehmetit (APN).

Continue Reading

Lajmet

Viktima në Pejë kishte paralajmëruar institucionet tri ditë para ngjarjes

Published

on

By

Tri ditë para se të vritej në fshatin Vitomiricë të Pejës, e ndjera Arlinda Zekaj u kishte dërguar një letër paralajmëruese me karakter urgjent institucioneve të drejtësisë, ku kërkonte mbrojtjen e jetës së saj dhe ekzekutimin e urdhrave gjyqësorë. Së fundmi, ky rast ka nxitur reagime të ashpra nga krerët e partive politike në vend, të cilët kërkojnë hetim të pavarur, llogaridhënie dhe dorëheqje nga zyrtarët përgjegjës.

Kronologjia e ngjarjes dhe paralajmërimi i viktimës

  • Më 22 tetor: Viktima Arlinda Zekaj. i dërgoi një parashtresë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave dhe po e ekspozonin ndaj rrezikut për jetën. Në letrën e cilësuar si “shpresa e saj e fundit”, ajo shkruante: “Urime që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri.”
  • Të dielën, ora 19:00: Viktima raportoi një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë. Pas intervistimit, bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
  • Kthimi në shtëpi: Sipas Policisë së Kosovës, viktima u dërgua në shtëpinë e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj të lirë.
  • Ora 21:10: Policia pranoi njoftimin se e njëjta u gjet pa shenja jete. Sipas të dhënave fillestare, ajo ndërroi jetë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, ndërsa i dyshuar kryesor është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.

Sqarimi i Prokurorisë Themelore në Pejë

Pas publikimit të letrës në media, Prokuroria Themelore në Pejë bëri me dije se parashtresa e datës 22 tetor u regjistrua për trajtim mbi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Dokumenti iu përcjell urgjentisht Policisë, Gjykatës Themelore dhe Qendrës për Punë Sociale për verifikimin e lëshimeve të mundshme. Sa i përket vendimit gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria deklaroi se ai ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Njoftimi për detajet e rastit ka nxitur reagime nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, të cilat kanë kërkuar llogaridhënie institucionale:

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se vrasjet e përsëritura kanë tejkaluar çdo limit njerëzor dhe se drejtësia duhet të ashpërsohet. Haradinaj nësuroi se është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur për çdo veprim apo mosveprim të institucioneve. Ai theksoi se përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër individual, duke shtuar se secili zyrtar që ka trajtuar kërkesën e viktimës duhet të japë llogari për detyrimet e papërmbushura.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po ashtu reagoi lidhur me rastin, duke kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje të menjëhershme nga personat përgjegjës që kishin detyrë ligjore dhe institucionale ta mbronin jetën e viktimës.

 

Continue Reading

Lajmet

Katy Perry feston 42-vjetorin e lindjes, nga hitet botërore te koncerti në Kosovë

Published

on

Këngëtarja amerikane Katy Perry festoi dje, më 25 tetor, 42-vjetorin e lindjes, duke shënuar një tjetër vit në jetën e një prej emrave më të njohur të muzikës pop bashkëkohore. Me këngë që kanë shoqëruar breza të tërë, videoklipe plot ngjyra dhe një identitet artistik të veçantë, Perry ka ndërtuar një karrierë që e ka vendosur ndër figurat më të spikatura të skenës ndërkombëtare.

E lindur si Katheryn Elizabeth Hudson në Santa Barbara të Kalifornisë, ajo e nisi rrugëtimin muzikor me muzikën gospel, përpara se të gjente identitetin e saj artistik në muzikën pop. Albumi One of the Boys, i publikuar në vitin 2008, shënoi kthesën e madhe në karrierën e saj, ndërsa kënga I Kissed a Girl e solli në vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Suksesi i saj vazhdoi edhe në vitet pasuese, veçanërisht me albumin Teenage Dream, të publikuar në vitin 2010. Ky album solli disa nga hitet më të njohura të këngëtares, përfshirë California Gurls, Firework, E.T. dhe Last Friday Night (T.G.I.F.).

Albumi shënoi një moment historik në karrierën e saj, pasi Katy Perry u bë artistja e parë femër që arriti të kishte pesë këngë nga i njëjti album në vendin e parë të listës amerikane Billboard Hot 100. Ky sukses e forcoi edhe më shumë pozitën e saj në industrinë muzikore dhe e shndërroi në një prej emrave dominues të muzikës pop të asaj periudhe.

Në vitin 2013, me albumin Prism, Perry vazhdoi suksesin ndërkombëtar, duke sjellë këngë si Roar dhe Dark Horse, të cilat u kthyen në hite të njohura në shumë vende të botës. Në veçanti, Roar u bë një nga këngët më përfaqësuese të repertorit të saj, duke u lidhur me mesazhe të fuqizimit personal dhe vetëbesimit.

Përtej muzikës, Katy Perry është dalluar edhe për paraqitjet e saj skenike, kostumet shumëngjyrëshe, videoklipet kreative dhe spektaklet që ndërthurin muzikën me elemente vizuale. Stili i saj i veçantë ka ndihmuar në krijimin e një identiteti artistik lehtësisht të dallueshëm në skenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj, këngëtarja ka publikuar edhe albumet Witness në vitin 2017, Smile në vitin 2020 dhe 143 në vitin 2024, duke vazhduar të eksperimentojë me tinguj dhe koncepte të ndryshme muzikore. Ajo gjithashtu u bë e njohur për publikun televiziv përmes angazhimit si anëtare e jurisë në spektaklin amerikan American Idol, ku qëndroi për disa sezone.

Një kapitull i veçantë në karrierën e saj u shkrua edhe në Kosovë. Më 31 korrik 2026, Katy Perry performoi për herë të parë në Prishtinë, si një nga emrat kryesorë të Sunny Hill Festival, duke tërhequr mijëra adhurues të muzikës së saj.

Gjatë koncertit, artistja interpretoi disa nga hitet që kanë shënuar karrierën e saj, ndërsa skenografia me tematikë hapësinore i dha performancës një dimension të veçantë vizual. Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ngritja e flamurit të Kosovës gjatë paraqitjes së saj.

Një tjetër moment emocionues i mbrëmjes ishte takimi me një vajzë të vogël që po festonte ditëlindjen. Perry u afrua pranë saj dhe këndoi së bashku këngën Roar, duke krijuar një kujtim të veçantë për vogëlushen dhe për të pranishmit në festival.

Pas performancës, këngëtarja e përshkroi paraqitjen e saj të parë në Kosovë si një përvojë magjike, duke falënderuar Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për ftesën.

Në 42-vjetorin e lindjes, karriera e Katy Perry-t mbetet dëshmi e ndikimit që muzika pop mund të ketë në kulturën bashkëkohore. Me hite që vazhdojnë të dëgjohen edhe vite pas publikimit, performanca të paharrueshme dhe një identitet artistik të veçantë, ajo ka lënë gjurmë në muzikën ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit.

Nga Firework te Roar, këngët e saj vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të dashur për miliona dëgjues në mbarë botën, ndërsa koncerti në Prishtinë shënoi një moment të rëndësishëm për fansat e saj në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vritet një grua në Pejë: I dyshuar kunati, ngjarjes i parapriu arrestimi i bashkëshortit

Published

on

By

Mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës u vra një grua, ndërsa i dyshuar kryesor për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet se e ka qëlluar për vdekje me sëpatë.

Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë u njoftua për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacion dhe u intervistua, ndërsa bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.

Pas intervistimit, sipas Policisë, viktima me vullnetin e saj kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj në Vitomiricë dhe u dërgua atje.

Rreth orës 21:10, Policia mori informatën se e njëjta u gjet pa shenja jete, e vrarë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, përkatësisht me sëpatë, nga kunati i saj i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes. Prokurori i Shtetit doli në vendin e ngjarjes dhe autoritetet nisën hetimet për kapjen e të dyshuarit.

Në aspektin e veprimeve të mëparshme institucionale, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se më 22 tetor kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., e cila pretendonte se zyrtarët e institucioneve përgjegjëse kishin dështuar në detyrat e tyre lidhur me rastin e saj dhe moszbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.

Kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e parashtresës për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe e kishte përcjellë për trajtim urgjent në Polici, Gjykatë dhe Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vendimi gjyqësor për shtëpinë ishte ekzekutuar paraprakisht nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Lidhur me rastin ka pasur edhe reagime publike, ku avokatja Adelina Hoxha ka akuzuar publikisht institucionet për dështim në mbrojtjen e viktimës, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se të gjitha rrethanat dhe veprimet e ndërmarra do të hetohen me seriozitet të plotë profesional e ligjor. /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara