Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën, por kërkon një zgjidhje kompromisi tha presidenti serb në kuvendin e Serbisë. Për Prishtinën e vetmja zgjidhje në dialogun me Serbinë është njohja reciproke.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha para deputetëve të parlamentit në Serbi, se vendi i tij nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Sipas tij, serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen me Kosovën në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen, por nuk ishte në gjendje të thotë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Këto deklarata presidenti i Serbisë i bëri gjatë një raportimi në parlamentin serb për dialogun me Kosovën.
“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them, nuk e di. Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe ato do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Pra, ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.
Vuçiq: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë
Presidenti i Serbisë tha, se dialogu me Kosovën është transparent. “Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, “situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të parlamentit të Serbisë.
Por kompromisin në dialog me Kosovën, për të cilin flet presidenti i Serbisë, Prishtina zyrtare e kundërshton në mënyrë të prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Austri ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se “dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktualë”. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e ripërsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, se “Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”.
Takimi i fundit për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi, 15.06.2021
BE: Bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut
Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë pritet të zhvillohet në fund të muajit korrik nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit dy ditë më parë në një takim me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së tha, se “së fundi, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.
“Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel, duke bërë të ditur se edhe pas takimit të dytë mes Kurtit dhe Vuҫiqit do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, temë debati vazhdon të jetë çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është e përkufizuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas një deklarimi të ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën (17.06) se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një vizite që javën e shkuar në veri të Kosovës tha se “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ish-kongresmenin amerikan dhe themeluesin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Joseph J. DioGuardi, këshilltaren për çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe juristin britanik Steven Powles KC, specialist i së drejtës penale ndërkombëtare, krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut.
Sipas Bibliotekës Kombëtare, takimi ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të tyre në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.
Joseph dhe Shirley DioGuardi, që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, kanë luajtur rol në sensibilizimin e institucioneve amerikane dhe opinionit publik për çështjen e shqiptarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Steven Powles KC kishte punuar në Kosovë në vitin 1999 me International Crisis Group, në kuadër të angazhimeve për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.
Përmes angazhimit të tyre me Kongresin e Shteteve të Bashkuara, institucione të ndryshme dhe figura politike, ata kanë kontribuar në forcimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një moment kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje për personalitetet që, sipas saj, i kanë qëndruar pranë Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë./A.K/
Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.
Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.
Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.
Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.
Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.
Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.
Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.
Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.
Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.
Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.
Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.
Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/