Kronikë e zezë

Dyshohet se vrasësi i kosovarit në Francë është i biri i tij 13 vjeçar

Ai dyshohet të ketë vrarë babanë e tij me një plumb në kokë.

Published

on

Në natën mes të mërkurës dhe të enjtes së javës së kaluar, gjegjësisht rreth orës 3:00 të mëngjesit, në qytetin Nancy të Francës, një person u qëllua për vdekje nga një armë e zjarrit.

Viktima në këtë rast ishte një 33-vjeçar me prejardhje nga Kosova.

Mediat në Francë raportuan për këtë rast, duke e shpallur si të dyshuarën kryesore për këtë vrasje partneren e tij, e cila para organeve të drejtësisë kishte dhënë deklarata të paqarta për ngjarjen.

Megjithatë, Prokuroria e Republikës së Nancyt të shtunën njoftoi se për këtë vrasje është ndaluar djali 13-vjeçar i tashmë viktimës, raporton “France Bleu”.

Ai dyshohet të ketë vrarë babanë e tij me një plumb në kokë.

Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur si pasojë e problemeve martesore të çiftit. I pandehuri, vëllai i tij dhe nëna e tyre i thanë policisë se 33-vjeçari kishte konsumuar shumë alkool atë natë dhe më pas e kishte goditur bashkëshorten e tij.

“Pikërisht në këtë moment djali 13 vjeç, më i madhi nga pesë fëmijët e çiftit, kishte shkuar për të marrë armën e babait të tij. Ka hyrë në kuzhinë ku ishte babai i tij dhe ka shtënë me armë, duke e goditur babanë e tij në kokë”, ka sqaruar François Perain, prokuror i qytetit të Nancyt, transmeton Zeri.info.

Viktima, që nuk ka pasur precedent të mëhershëm për dhunë, tha prokurori, vdiq po atë ditë në spitalin e Nancyt.

Djali 13 vjeç më pas kishte ikur bashkë me vëllain e tij dhe ishte shëtitur nëpër qytetin Nancy për një kohë në tentim për ta fshehur armën e vrasjes, para se të dorëzoheshin të nesërmen në polici. Edhe nëna e tyre, që po ashtu gjendej nën masën e ndalimit, ka rrëfyer se djali i saj ishte autori i vrasjes, version ky i konfirmuar edhe nga vajza e tyre 7-vjeçare, e cila kishte qenë po ashtu dëshmitare e ngjarjes.

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara