Lajmet

Von der Leyen: Ukraina tashmë ka një perspektivë të qartë evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit.

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një “perspektivë shumë të qartë evropiane” pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.

“Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë,” tha von der Leyen gjatë një fjalimi të mbajtur virtualisht në parlamentin ukrainas.

“Pra, sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan,” shtoi ajo.

Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit.

“Ju keni krijuar një sistem mbresëlënës kundër korrupsionit”, u tha ajo deputetëve ukrainas. “Por tani këto institucione kanë nevojë për shtysë dhe për njerëzit e duhur në postet e larta.”

Fjalimi i Von der Leyen solli duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE.

Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj pushtimit rus dhe në përpjekjet për “tu ribashkuar me familjen evropiane.”

Von der Leyen i bëri thirrje parlamentit ukrainas që të votojë ligjet në përputhshmëri me normat e promovuara nga Këshilli i Evropës për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes të gjykatësve të pavarur të Gjykatës Kushtetuese.

“Institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e njerëzve”, deklaroi ajo.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit.

Por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite dhe kandidaturat e Turqisë dhe disa vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë ngecur ndërsa vendet perëndimore këmbëngulin për kritere të ashpra ekonomike dhe ligjore.

Von der Leyen vlerësoi Ukrainën që u bë partneri i vetëm i BE-së në Evropën Lindore “që ka miratuar një ligj për të luftuar kontrollin e oligarkëve në jetën ekonomike dhe politike të vendit”.

Javën e ardhshme, von der Leyen do të bashkohet me udhëheqësit ndërkombëtarë dhe ato ukrainas në Lugano, Zvicër në një konferencë për të mbledhur fonde dhe për të bërë plane për rindërtimin e pasluftës në Ukrainë.

“Rruga juaj evropiane dhe rindërtimi i vendit do të ecin paralelisht”, tha ajo.

“Ukraina do të jetë në qendër të kësaj konference. Investimet do të duhet të vijnë, por për të maksimizuar ndikimin e tyre dhe për të nxitur besimin e biznesit, investimet do të duhet të shoqërohen me një valë të re reformash.” përfundoi Von der Leyen./REL

Aktualitet

Pas aksidentit, arrin një person pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës

Published

on

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se sot ka pranuar një person pa shenja të aksidentuar në Emergjencën e Spitalit.

Sipas njoftimit zyrtar end nuk dihet për detaje tjera rreth aksidentit.

“Sot, në mëngjes, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është sjellë një person i aksidentuar pa shenja jete. Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e të ndjerit”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Aktualitet

6 vjet nga shpërndarja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës

Published

on

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 22 gusht 2019, me 89 vota për, një kundër dhe dy abstenime, kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi ai mori ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, në emër të 98 deputetëve që kanë kërkuar seancë, tha se mocioni për shpërndarjen e legjislaturës së Kuvendit është në pajtim me të gjitha grupet parlamentare.

“Në bazë të nenit 82, paragrafi 1, pika 2, Kushtetutës së Republikës së Kosovës propozojmë për shqyrtim në këtë seancë mocionin për shpërndarje të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Ky mocion është në pajtim me qëndrimet e shprehura nga të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e Kryesisë, me kryetarë të grupeve parlamentare të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli”, tha Krasniqi.

Deputeti i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh pozitë-opozitë për të ruajtur ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës, e jo debat për avancimin e politikave në interes të qytetarëve.

“Si opozitë, kemi pasur përballë një koalicion prej 24 partive, por që përfaqësonin vetëm 1/3 e elektoratit, një koalicion pa legjitimitet, jo profesional, me vendimmarrje ad-hoc të bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit. Si rezultat, është realizuar vetëm 30 për qind e agjendës legjislative, dhe atë nga vullneti i opozitës për të mbështetur disa ligje specifike”, theksoi Hoti.

Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Continue Reading

Aktualitet

11 vjet nga vendimi i Kushtetueses rreth krizës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Published

on

Janë mbushur njëmbëdhjetë vjet që kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin për kontestin ndërmjet PDK-së dhe LAN-it. Vendimi final i Kushtetueses nuk dalloi nga njoftimi i datës 22 gusht 2014 ku zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës u cilësua antikushtetuese.

Kushtetuesja vendosi në favor të PDK-së, duke publikuar të plotë vendimin e saj në ueb-faqen e saj përkitazi me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.

Në vendimin final Gjykata Kushtetuese nuk jep sqarime nëse në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit nga një grup parlamentar, e drejta t’i kalohet grupit tjetër, që rrjedhimisht askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me rregulloren relevante të Kuvendit dhe ta bëjnë Kuvendin funksional”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë për media, blloku i partive në koalicion LDK-AAK-Nisma, vlerësoi se me aktgjykimin e Kushtetueses, të publikuar më datën 26 gusht 2014, hapej rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

“Aktgjykimi, në veçanti në pikat 126 dhe 127, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave. Koalicioni LDK-AAK-Nisma, bashkë me partnerët, do të vijojë punë për të finalizuar ndërtimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Koalicioni dhe partnerët janë të përkushtuar që institucionet të ndërtohen sa më parë, me qëllim që të jenë në funksion të interesave të qytetarëve te Kosovës”, thuhej në reagim.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka konstatuar se seanca konstituive e filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë aktgjykim.

Continue Reading

Aktualitet

​Vdes një person në vetëaksident në Jabllanicë të Gjakovës

Published

on

Një person ka humbur jetën tragjikisht në një vetëaksident të ndodhur në Jabllanicë të Gjakovës.

Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë rajonale për Gjakovë, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 15:50.

“Policia i është përgjigjur rastit, ku ngasësi i një automjeti dyshohet të ketë humbur kontrollin mbi automjetin dhe është vetaksidentuar. Për pasojë ngasësi, mashkull i moshës madhore, ka humbur jetën, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Elezaj.

Rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Continue Reading

Të kërkuara