Lajmet

Von der Leyen në Ballkan: Premtime të bukura, por asnjë mesazh të qartë

Bisedime konkrete anëtarësimi ende nuk po duken në horizont.

Published

on

Gjashtë vende në tri ditë: Me turin e vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, që duan të gjithë të anëtarësohen në BE, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen përgatiti samitin e BE-së me vendet e Ballkanit. Më 6.10.2021 nën presidencën sllovene samiti zhvillohet në Brdo të Ljubljanës. Mesazhi i BE-së në këtë tur vizitash në të gjitha stacionet ishte i njëjti: merruni vesh me njeri-tjetrin, përpiquni edhe më tej, kini durim. Ursula von der Leyen i siguroi të gjithë presidentët dhe kryeministrat, që takoi se: Ne ju duam juve në BE. Unë angazhohem personalisht për këtë.”

Albanien Tirana | Ursula von der Leyen und Edi Rama

Ju lutem durim

Fjalët inkurajuese janë të nevojshme, sepse procesi i anëtarësimit po shtyhet prej vitesh, ndonëse p.sh. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndërkohë kanë marrë premtimin që në vitin 2019. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhgënjimin e shprehu përmbledhtas në mënyrë figurative: “Ne ndihemi si në një dasmë, ku nusja është zbukuruar, por dasmorët nuk janë ftuar.” Shqipëria ndihet si „peng” i grindjes mes vendit anëtar të BE-së Bullgarisë dhe vendit kandidat Maqedonisë së Veriut. Bullgaria bllokon bisedimet e anëtarësimit, sepse Maqedonia e Veriut rrezikon identitetin bullgar dhe gjuhën. Për këtë grindje shumica e vendeve të BE-së nuk kanë mirëkuptim. Qeveria gjermane në qershor zyrtarisht i kërkoi Bullgarisë, që të tërheqë veton kundër hapjes së negociatave me Shkupin.

Nord-Mazedonien Skopje | Ursula von der Leyen und Zoran Zaev

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, sërish vuri në dukje qendrimin e formuluar qartazi nga Komisioni për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë: “Ju i keni përmbushur kushtet dhe e keni bërë punën tuaj”, tha ajo si në Shkup edhe në Tiranë. Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, theksoi atë që e përsërisin prej vitesh shumë politikanë të BE-së, se kemi të bëjmë me besueshmërinë e Unionit Europian. BE më në fund duhet t’u përmbahet premtimeve. Ursula von der Leyen i kaloi me buzëqeshje kritikat gjatë një konference të përbashkët shtypi në një qendër rinore të rinovuar me financimin e BE-së. Një recetë konkrete, se si mund të ndryshojë qendrim Bullgaria, ajo nuk mundi të ofrojë. Në të gjitha stacionet e turit të saj ajo preferoi të theksojë ndihmat financiare, që BE-ja ka vënë në dispozicion për Ballkanin për ripërtëritjen pas pandemisë së koronavirusit. Krahas ndihmave afatshkurtra për fushatat e vaksinimit në vitet e ardhshme do të lëvrohen gati 30 miliardë Euro për investime strategjike në rajon.

Zgjidhet grindja për targat në Kosovë

Vizitat e von der Leyen në Serbi dhe Kosovë u zhvilluan nën hijen e shkallëzimit të konfliktit ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës për çështjen e targave. Por gjatë kohës që presidentja e Komisionit ndodhej në Prishitnë dhe në Nish,

Kosovo EU Ursula von der Leyen Vjosa Osmani

delegacionet e të dyja palëve zhvillonin bisedime në Bruksel, ku arritën të gjejnë një zgjidhje.Të enjten (30.09) erdhi lajmi nga Brukseli se është arritur një marrëveshje për çështjen e targave. Të paktën përkohësisht, sepse bisedimet duhet të vazhdojnë. “Eshtë me rëndësi jetike që Serbia dhe Kosova të normalizojnë raportet. Jam shumë e shqetësuar për shkak të konfliktit aktual. Eshtë e nevojshme që patjetër situata të çtensionohet”, i tha von der Leyen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata parimisht e miratuan këtë, por nuk lanë të kuptohet, nëse dhe kur do të bëjnë lëshime. Problemi thelbësor nuk është zgjidhur: mosnjohja e Kosovës si shtet nga Serbia, por edhe nga pesë vende anëtare të BE-së. Një zgjidhje për këtë problem ende nuk ka.

E pyetur nga reporterët në konferencë shtypi në Prishtinë presidentja e Komisionit të BE-së tha, se duhet ndjekur edhe më tej si „ëndërr” anëtarësimi i Kosovës në BE. „Eshtë e arsyeshme, e nevojshme dhe bukur të kesh ëndrra”, u shpreh me zbukurime Ursula von der Leyen. Në samitin e Brdos javën e ardhëshme duhet të bëhen përpjekjet për të krijuar një bazë të besimit dhe miqësisë. “Ballkani është në anën tonë. Kjo është një ëndërr, për të cilën ia vlen të punosh”, tha von der Leyen me fjalë të bukura por pa përmendur hapat konrektë.

Më shumë bashkëpunim

Serbien Belgrad | Ursula von der Leyen und Aleksandar Vucic

Në Serbi ajo vlerësoi përparimet e bëra. Bashkë me presidentin Aleksandar Vuçiq ajo nënshkroi një marrëveshje të re për zgjerimin e lidhjeve hekurudhore në rajon, linja që një ditë do të çojnë nga Selaniku në Salcburg. BE-ja financon një pjesë të mirë të ndërtimit të hekurudhave me dy drejtime si dhe të elektrifikimit të këtyre linjave. Vuçiq shprehu mirënjohje për këtë mbështetje. Von der Leyen theksonte vazhdimisht, se Serbia duhet të jetë në BE. Vuçiq shprehimisht e mbështet ndërtimin e së ashtuquajturës „autostrada e paqes” mes Nishit dhe Prishtinës. Ai tha se është i nevojshëm çtensionimi në konfliktin me Kosovën. Presidentja e Komisionit e ritheksoi apelin e saj në adresë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të bashkëpunojnë më shumë mes tyre e madje përpara se të hyjnë në BE apo të nisin bisedimet e anëtarësimit. Bashkëpunimi ekonomik, heqja e doganave dhe heqja e vizave janë të mundshme. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkuar në nismën „Open Balkan” – ku duhej të përfshihen edhe tre vendet e tjera Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Probleme brenda BE-së

Presidentja e Komisionit të BE-së nuk përmendi – të paktën jo në publik – rezervat që ka jo vetëm Bullgaria, por edhe shtete të tjera të BE-së kundër hapjes së negociatave të antarësimit. Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë kritike ndaj kandidaturës së Shqipërisë. Parlamenti i Holandës i ka shmangur pengesat, por qeveria në detyrë në Hagë ende ngurron.

Disa vende anëtare, ndër to edhe Gjermania, në bisedime të brendshme kanë vënë në pikëpyetje lëvizjen pa viza nga vendet e Ballkanit për në BE. Kjo sepse shumë azilkërkues nga këto vende aplikojnë për qendrim në Euorpën Perëndimore. Vendet e origjinës nuk janë të gatshëm t’i pranojnë azilkërkuesit e refuzuar. Gjermania i ka kërkuar Komisionit të BE-së, që të mendojë për një klauzolë, që do të mundësonte shfuqizimin përkohësisht të qarkullimit pa viza. Lidhur me të tilla dokumente të brendshme informon platforma e internetit në Bruksel “EU Observer”. Edhe për këto çështje do të diskutohet në samitin e Brdos të mërkurën (6.10).

Continue Reading

Lajmet

Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar zyrtarisht të konstituuar Legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

Gjatë seancës plenare, Haxhiu bëri të ditur se, përkundër thirrjeve të përsëritura drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetët e këtij subjekti nuk ishin të pranishëm në sallë për të tretën herë me radhë, duke mos e ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar.

Ajo nënvizoi se, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, asnjë subjekt politik nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Përmes një reagimi pasues në rrjetet sociale, Haxhiu sqaroi se pozita e nënkryetarit mbetet e rezervuar për PDK-në dhe se Kuvendi do të kalojë menjëherë në votim sapo kjo parti ta paraqesë propozimin e saj.

Me përmbylljen e këtij procesi u hapet rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re. Kryetarja e Kuvendit uroi nënkryetarët e zgjedhur dhe falënderoi deputetët pjesëmarrës për ushtrimin e përgjegjësisë institucionale, duke bërë thirrje që funksionalizimi i plotë i shtetit të vazhdojë pa vonesa të panevojshme./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

13 shtator 1993

 

U dogjën disa lokale në Qendrën zejtare në Skënderaj

 

Dje herët në mëngjes, rreth orës 01 pas mesnate, në Qendrën zejtare të Skënderajt shpërtheu një zjarr i fuqishëm. Zjarri përfshiu në tërësi Qendrën zejtare dhe me këtë rast u dogjën në tërësi ose pjesërisht lokalet e Aziz Lushtakut nga Prekazi dhe Halil Zenunit nga Llausha, çajtorja e Sejdi Sejdiut nga Klina e Ulët, lokali i “Zhitoprometit” dhe çajtorja e Xhemë Kodrës nga Prekazi i Ulët. Po ashtu u dogj edhe ëmbëltorja e një pronari nga Tetova, kurse u dëmtua çajtorja e Ukshin Lushtakut nga Prekazi i Ulët.

Burimet e LDK-së në Skënderaj njoftojnë se zjarrfikësit mbërrinë me kohë, por megjithatë intervenimi i tyre nuk ishte efikas.

Shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri nuk dihen, por dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar me qëllim.

Merret vesh se Qendra zejtare në Skënderaj ka qenë e ndërtuar me material të fortë nga një punëmarrës serb.

 

 

 

13 shtator 1994

 

 

Pas krimit të policisë serbe në Deçan gjendje e tensionuar edhe në Junik

 

Pas vrasjes së Violetë Dervishajt para pak ditësh në Deçan dhe keqtrajtimit të shumë qytetarëve shqiptarë, bëhet me dije se nga dita në ditë gjendja po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese edhe në Junik, Njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Junik.

Kështu më 9 shtator, policia thirri që të paraqitet për herë të pestë në polici, Gani H.Shehun, ish-polic dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të SPB-së.

Gjatë tërë kohës sa u mbajt Gani H.Shehu në stacionin e policisë në Deçan, ai u keqtrajtua fizikisht, si dhe u kërcënua që të heqë dorë nga aktiviteti i mëtejmë sindikal.

Ndërsa më 10 shtator, policia mori Muhamet Zukajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Beleg. Të njëjtën ditë, dy orë më vonë (14:30 minuta), policia ishte në shtëpinë e tij dhe keqtrajtoi rëndë babain e tij, Rrustem Zukaj 80-të vjeçar dhe axhën e tij, Adem Zukaj (65).

Bëhet me dije se Muhamet Zukaj është dërguar në spitalin e Pejës, ngase gjendja e tij shëndetësore nga torturat e njëpasnjëshme të policisë serbe është e rëndë.

 

 

13 shtator 1995

 

 

Reagim i Institutit të Historisë për vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit

 

Punëtorët e Institutit të Historisë në Prishtinë, përmes një komunikate për opinion, reagojnë ashpër lidhur me vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në reagim thuhet:

“Ky akt ka prapavijë dhe qëllime të caktura politike kundër trashëgimisë kulturore e historike të popullit shqiptar. Me këtë akt anticivilizues, kulturocid e antishqiptar, regjimi aktual serb mundohet të shlyej nga kujtesa gjurmët e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj.

Qëllimet e politikës antishqiptare të pushtetit serb, në vazhdimësi vërtetojnë përpjekjet për shlyerjen e kujtesës historike, si dhe për kolonizimin e trojeve etnike shqiptare. Këto veprime anticivilizuese dhe provokative të pushtetit serb, çojnë kah thellimi i tendosjes së gjendjes jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare e posaçërisht nga UNESCO-ja që të ndërmarrë hapa konkret, mbëshetur në aktet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike”, thuhet midis tjerash në reagimin e punëtorëve të Institutit të Historisë në Prishtinë.

 

 

13 shtator 1997

 

U varros Nëna Tereze

 

Sot, në Kalkutë të Indisë, me nderimet shtetërore dhe me praninë e qindra mijëra njerëzve e përfaqësuesve shtetërorë të shumë vendeve, u varros Nëna Tereze.

Në varrimin e Nënë Tereze morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe delegacioni i Shqipërisë, me në krye presidentin Rexhep Mejdani.

Për të marrë pjesë në varrimin e Nënës Tereze në Kalkutë shkuan edhe përfaqësuesi i Papa Gjon Palit II, presidenti i Rumanisë, Konstantinesku, presidenti italian Skalfaro, kryeministri i Kandasë, presidenti i Afrikës Jugore, Nelson Mendela, bashkëshortja e presidentit Klinton, Hilari, bashkëshortja e Zhak Shirakut, mbretëresha Nur e Jordanit, ministri Narajan, mandej Indar Kumar Gujaram, kryeminstër i Bangladeshit, presidenti i Rumanisë, Sonja Gandi me të bijën.

Për të marrë pjesë në varrim janë ftuar gjithsejt 3 mijë personalitete shtetërore, fetare, përfaqësues të organizatave bamirëse, ndërkaq, në vetë cermonialin e varrimit në stadiumin e qytetit morën pjesë 15. 000 veta.

Ceremonia e varrimit u transmetua nga të gjitha stacionet e rëndësishme televizive botërore, duke filluar nga kanali amerikan CNN që transmetoi drejtpërdrejtë tërë ceremoninë e varrimit, pastaj kanalet italiane, spanjolle e tjerë.

 

 

13 shtator 1998

 

U vra deputeti dhe lideri i lëvizjes demokratike në Shqipëri Azem Hajdari

 

Mbrëmë në orën 21.10 para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë u vra në një atentat kriminal deputeti i kësaj partie Azem Hajdari, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes të parlamentit shqiptar.

Ky është atentati i katërt kriminal i armatosur i ndërmarrë kundër liderit të dhjetorit dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike të Shqiperisë, në një hark kohor prej një viti qysh nga ardhja e qeverisë socialiste në pushtet.

Sipas dëshmitarëve atentati është kryer nga oficerë policie, të cilët si gjithmonë, nuk janë kapur.

Gazeta “Albania”, në një njoftim me titull “Fatos Nano vret Azem Hajdarin” shkruan sot se deputeti Hajdari u vra duke dalë nga selia qendrore e PD-së në Tiranë. persona që dolën nga makina policie, rreth 30 metra larg selisë, kanë qëlluar me kalashnikov në drejtim të Azem Hajdarit, i cili ishte qëlluar me katër plumba. Me plagë vdekjeprurëse, Azem Hajdarit i rrahu pulsi deri në spitalin ushtarak.

Në vend është vrarë edhe truproja e tij Besim Çerja dhe është plagosur rëndë Zenel Neza (29).

Pasi u dha lajmi për atentatin, qindra qytetarë të Tiranës shkuan te selia e Partisë Demokratike. Gratë qanin me kuje, ndërsa burrat bërtisnin të zemëruar ndaj kriminelëve që vranë heroin e demokracisë shqiptare, shkruan sot “Albania”.

Partia Demokratike vlerëson se ky akt kriminal është vazhdimësi e qërimit të hesapeve ndërmjet administratës së Nanos dhe Partisë Demokratike, e cila shënon krahun më të fortë opozitar në Shqipëri. Partia Demokratike njofton se vrasës i deputetit Hajdari është Jaho Salihi, shef i rendit në policinë e Tropojës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, shpalli mbrëmë një deklaratë lidhur me vrasjen e deputetit Hajdari.

Qeveria shqiptare i shpreh ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve për atentatin e bashkëshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik, i cili i mori jetën deputetit Hajdari dhe shoqëruesit të tij në mbrëmjen e ditës së shtunë 12 shtator.

Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.

Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.

Ajo i lutet të afërmve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. Qeveria i kërkon të gjithë personave apo dëshmimtarëve të ngjarjes që të bashkëpunojnë dhe t’i ofrojnë informacionin që kanë organeve shtetërore.

Gjendja gjatë natës dhe sot në Tiranë dhe në Shqipëri është e tensonuar.

 

Continue Reading

Lajmet

Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës

Published

on

By

Sot në kryeqytetin e Kosovës po mbahet një nga tubimet më të mëdha qytetare të periudhës së fundit, “Marshi për Liri”, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”. Ky mobilizim masiv po zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — vetëm katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës me sedër në Hagë të shpallin aktgjykimin e tyre përfundimtar.

Skena kryesore e ngjarjes, ku po zhvillohen fjalime politike, mesazhe sensibilizuese dhe performanca artistike, është ngritur në sheshin “Skënderbeu”.

Ky shesh, së bashku me arteriet kryesore që çojnë drejt tij, si sheshi “Nëna Terezë” dhe ai “Zahir Pajaziti”, po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish. Në turmën e mbledhur bien në sy përfaqësues të lartë të partive politike, veteranë e invalidë të luftës, si dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit.

Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara mijëra pjesëmarrësve, përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta dhe udhëheqësit politikë përçuan mesazhe të qarta për drejtësi dhe paanësi. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, potencoi se kërkesa e vetme e veteranëve dhe e familjeve të tyre është për një proces të drejtë.

Ai paralajmëroi se një “proces i padrejtë” nuk do t’i shërbente asgjëje tjetër përveçse interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar me vendosmëri: “Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”.

Në të njëjtën frymë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se opinioni publik nuk do ta pranojë vendimin e caktuar për datën 16 shtator nëse ai do të analizohet si i padrejtë. Ai iu drejtua drejtpërdrejt trupit gjykues: “Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”. Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përkujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kishin vënë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës dhe se sot ishte momenti që populli t’u shprehte mirënjohjen e thellë, duke deklaruar: “Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”.

Kjo protestë masive nuk është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë kundër mënyrës se si po zhvillohen proceset në Gjykatën Speciale. Në prill të vitit 2023, sërish në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan një ditë para nisjes zyrtare të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, duke e cilësuar procesin që po niste si një goditje të padrejtë ndaj luftës çlirimtare. Blloqe të ngjashme mbështetjeje u përsëritën edhe më 17 shkurt 2026, gjatë shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku marshi me moton “Drejtësi, jo politikë” mblodhi mijëra njerëz në kohën kur procesi gjyqësor në Hagë po hynte në fazën e tij përfundimtare.

Procesi maratonë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka zgjatur më shumë se tre vjet prej hapjes së tij më 3 prill 2023. Prokuroria e Përshtatur kishte përfunduar paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në prill të vitit 2025, derisa mbrojtja e mbylli rastin e saj në dhjetor të po atij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shkurt të vitit 2026, shpallja e aktgjykimit përfundimtar ishte paraparë të bëhej më herët gjatë vitit, mirëpo në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan zyrtarisht shtyrjen e verdiktit për më 16 shtator, me arsyetimin e kompleksitetit ekstrem të çështjes dhe vëllimit masiv të provave të dorëzuara.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan nga Policia e EULEX-it në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan menjëharë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, të cilat prokuroria pretendon se janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërkohë që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi që do të merret më 16 shtator pritet të jetë verdikti më përcaktues dhe më domethënës i Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

 

Foto: Koha

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

12 shtator 1994

 

Në Nekoc e Kishnarekë vazhdon represioni i policisë serbe

 

Tash disa ditë, policia serbe vazhdon t’i keqtrajtoi banorët e fshatrave Nekoc e Kishnarekë të Gllogovcit, nën pretekst të vrasjes së paradoditshme të rojes së pyllit, Milaim Gashi në rrethana ende të panjohura, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.

Më 9 shtator, prej orës 11:00 deri në mbrëmje rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe defiloi tërë ditën nëpër fshatrat e lartëshënuara. Policia ishte e pajisur me një llandrover dhe dy vetura.

Njoftohet se gjatë tërë ditës mbi fshatrat Nekoc e Kishnarekë fluturoi edhe një helikopter i policisë serbe.

Në fshatin Nekoc, policia kërkoi Bajram A.Rukiqin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Bajram A.Rukiqi gjendet i shtrirë në spital, pasi ai ditë më parë është keqtrajtur brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast mori plagë të rënda trupore.

Ndërkaq, në fshatin Kishnarekë, policia serbe i provokoi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “7 Marsi” duke i “përshëndetur” me dy gishtat lart.

E njëjta ekspeditë e policisë serbe, vazhdoi rrugën për në fshatin Llapushnik, me ç’rast morën Ferat Sopin dhe djalin e tij (emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë, si dhe veturën e tyre të markës “Reno 4”).

Pardje, në fshatin Kishnarekë, policia kërkoi Rexhep A.Hykollin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas, policia legjitimoi çdo kalimtar të rastit, i cili kalonte nëpër fshatin Kishnarekë.

 

 

12 shtator 1995

 

 

Tragjedi e rëndë e pasagjerëve në një barkë shqiptare

 

Në një barkë që transportonte refugjatë nga Shqipëria për në Itali, ndodhi një tragjedi e rëndë në të cilën humbën jetën së paku 3 udhëtarë, ndërsa 12 konsiderohen të humbur.

Barka u përmbys për shkak të valëve të larta të shkaktuara nga një trajekt që kaloi fare pranë barkës.

Korrespondenti i BBC-së nga Roma, Ilir Gurakuqi, tha se edhe 10 pasagjerë të tjerë janë të lënduar.

Kjo ngjarje do të ishte edhe më tragjike sikur mos të ndërhynte një anije amerikane që patrullon në ujërat e Adriatikut, në kuadër të embargos ndaj ish-Jugosllavisë.

 

 

12 shtator 1997

 

Vatikani: Nënë Tereza mund të shpallet e shenjtë në kohë rekorde

 

Sekretari i Shtetit i Vatikanit Angjelo Sodano deklaroi sot se Papa Gjon Pali e donte shumë Nënën Tereze dhe se të gjithë në Kishën Katolike shpresojnë se ajo mund të kanonizohet shumë shpejt. “Procesi i shndërrimit të nënës Tereze në shenjtore mund të realizohet brenda një kohe rekorde – deklaroi ai.

Me rastin e mëparshme të shenjtërimit, zakonisht afati ka qenë i gjatë deri në 30 vjet. Sipas praktikës së deritashme së pari të caktohet një komision nga Vatikani i cili e vlerëson deri në hollësi veprën dhe shëmbëlltyrën e kandidatit për të shenjtë, e pastaj ai vlerësim i dorëzohet Papës. Pikërisht pse shëmbëlltyra dhe vepra e Nënës Tereze është tejet humane, dhe e pastër, mund të pritet që ajo të shpallet e shenjtë në kohë rekorde, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.

 

12 shtator 1998

 

Gjatë sulmeve të djeshme në fshatrat e Skënderajt janë vrarë 3 dhe janë plagosur 16 shqiptarë

 

Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj i madh i forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe i përbërë nga 58 tanksa, 38 kamionë dhe automjete të tjera të motorizuara nga Mitrovica arritën në Llaushë, ndërsa menjëherë nga këto forca filluan të granatohen fshatrat Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Likoc e Makërmal, i tha sot QIK-ut Fadil Ymeri, përgjegjës i Këshillit për Informim në fshatin Qirez të Skënderajt.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj ofensive, janë zhvendosur shumë banorë, të cilët e kaluan natën nën qiellin e hapur dhe gjendja e tyre është shumë e rëndë.

Edhe sot, që në orët e hershme të mëngjesit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, filluan t’i granatojnë fshatrat e lartpërmendura dhe fshatrat tjerë si Vërbovcin, Abrinë, Açarevën, Polluzhën e Kryshecin. Këto fshatra po sulmohen me artileri të rëndë, duke filluar nga minahedhësit deri te raketat e tipit tokë-tokë.

Gjatë këtrye dy ditëve, forcat e UÇK-së kanë bërë një rezistencë të fuqishme dhe me heroizëm po u kundërvihen forcave armike.

Si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri tash janë vrarë tre shqiptarë, në mesin e të cilëve dy fëmijë dhe kanë plagosur 16 civilë të tjerë.

Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë, Leutrim Ahmetin (9), Xufë Ahmetin (8) dhe Ramë Ahmetin (42), ndërsa kanë plagosur Fatmire Malush Ahmetin (18), Gjyle Racin (30), Brahim Ahmetin (29), Makfirete Ahmetin (14), Bajram Ahmetin (11), Shpresa Ahmetin (9), Naser Gashin (15), Feti Musliun (22), Nuredin Bacajn (39), Xheladin Behramin (53), Rifat Smakiqin (34), Fatmire Ahmetin (35), Arben Makollin (24), Tahir Lladrovcin (22), Jahir Dërgutin (44) dhe Skënder Ahmetin (39).

Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri në Bëhet e ditur se nga pasojat e bombardimeve serbe deri tash janë shkatërruar e djegur qindra shtëpi shqiptare dhe objekte të tjera ndihmëse.

 

Continue Reading

Të kërkuara