Ministria e Mbrojtjes e Turqisë kishte deklaruar se një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s mbi Mesdheun Lindor.
Forcat e Armatosura të Iranit kanë mohuar lëshimin e ndonjë rakete drejt territorit turk, duke këmbëngulur se Irani respekton sovranitetin e Turqisë, thuhet në një deklaratë të përcjellë nga mediat shtetërore.
Deklarata iraniane e të enjtes vjen pasi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë tha të mërkurën se një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke, pasi kaloi përmes Sirisë dhe Irakut, u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s mbi Mesdheun Lindor. Nuk ishte e qartë se cili ishte synimi i saktë i raketës.
“Një mjet balistik i lëshuar nga Irani, i cili u diktua duke kaluar nëpër hapësirën ajrore irakiane dhe siriane me drejtim drejt hapësirës ajrore turke, u godit në kohë nga asetet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s të stacionuara në Mesdheun Lindor dhe u bë jofunksional,” tha ministria në një deklaratë të mërkurën.
Aty thuhej se nuk pati viktima apo të lënduar, duke shtuar se Ankara rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor kundër saj, ndërsa paralajmëroi palët që të abstenojnë nga përshkallëzimi i konfliktit.
Në një adresim mbrëmjen e kaluar drejtuar kombit, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi po “merr të gjitha masat e nevojshme” në konsultim me aleatët e tij të NATO-s dhe po lëshon “paralajmërime në termat më të qartë për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme”.
“Nëse ne, si komb, duam të jetojmë në paqe dhe qetësi… duhet të rrisim vazhdimisht aftësitë tona parandaluese. Në këto kohë të vështira… nuk po i lemë absolutisht asgjë rastësisë sa i përket sigurisë së kufijve dhe hapësirës sonë ajrore,” tha ai.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, të mërkurën i përcolli homologut të tij iranian protestën e Ankarasë përmes një telefonate, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
NATO dënoi shënjestrimin e Turqisë nga Irani, tha zëdhënësja Allison Hart, duke shtuar se organizata “qëndron e palëkundur pranë të gjithë aleatëve, përfshirë Turqinë”.
“Qëndrimi ynë parandalues dhe mbrojtës mbetet i fortë në të gjitha domenet, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore,” tha Hart.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha se “nuk ka asnjë shenjë” që shkatërrimi i raketës balistike do të aktivizonte Nenin 5 të NATO-s, i cili përcakton se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Baza ajrore Incirlik në Turqi përdoret nga forcat ushtarake të huaja, kryesisht nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të NATO-s. Baza është nën kontrollin e forcave ajrore turke, por operon si një bazë e përbashkët turko-amerikane.
Incirlik ishte një lokacion kritik logjistik dhe i mbështetjes ajrore për operacionet e udhëhequra nga SHBA në Irak gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991, dhe më vonë si një qendër ngarkesash për operacionet në Irak dhe Afganistan.
Turqia ia mohoi SHBA-së lejen për ta përdorur atë gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, por ajo u përdor gjerësisht për sulmet kundër ISIL (ISIS) që nga viti 2014. /AlJazeera/