Shëndet

Vitamina D për muskujt, rreziqet shëndetësore pas moshës 50-vjeçare

Ju duhet të siguroheni që po merrni vitaminat e duhura nëpërmjet ushqimit ose suplementeve.

Published

on

Humbja e masës muskulare me kalimin e moshës mund të jetë diçka e rrezikshme për shëndetin. Shto këtu edhe faktin se mund t’jua bëjë më të vështirë kryerjen e aktiviteteve të përditshme, dhe të rrisë mundësinë që të pësoni dëmtime fizike.

Për të parandaluar këtë problem të mundshëm, ju duhet të siguroheni që po merrni vitaminat e duhura nëpërmjet ushqimit ose suplementeve. Sepse siç ka zbuluar një studim i ri, të cilit AgroWeb.org i referohet, mungesa e vitaminës D mund të çojë në humbje të muskujve me kalimin e moshës.

AgroWeb.org iu njeh me gjetjet e këtij studimi më poshtë në artikull.

Mungesa e vitaminës D dhe humbja e masës muskulare

Në fillim të studimit, pjesëmarrësit nuk i kishin humbur ende muskujt për shkak të plakjes. Megjithatë, pas katër vitesh, ata që kishin mungesë të vitaminës D, kishin 70% më shumë mundësi të vuanin nga humbja e masës muskulare.

Për më tepër, kur u morën në konsideratë faktorë të tillë si marrja e suplementeve të vitaminës D dhe osteoporoza, rreziku për ata me mungesë të vitaminës D u rrit në 78% krahasuar me ata që merrnin mjaftueshëm nga kjo vitaminë.

Studiuesit thonë se është e nevojshme që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për këtë, në mënyrë që të parandalojnë çdo rrezik në të ardhmen. Ekspozimi në diell, konsumi i ushqimeve të pasura me vitaminë D, marrja e një suplementi dhe kryerja e ushtrimeve të rezistencës për të ruajtur forcën e muskujve, janë disa nga gjërat që mund të bëni.

Të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje niveleve të vitaminës D ndërsa mosha kalon pasi ajo ndihmon në ruajtjen e kockave dhe muskujve. Kur humbasim forcën ose masën muskulare, ne mund të biem më lehtë, të lëndohemi më lehtë dhe më rëndë, por edhe të shërohemi më ngadalë se më parë.

Kur bëhet fjalë për sasinë e vitaminës D, ju mund të keni nevoja unike, një mjek ose nutricionist mund të japë udhëzime më specifike. Është e rëndësishme të mos kaloni sasinë për të cilën keni nevojë, pasi në të kundërt kjo mund të shkaktojë të përziera ose të vjella.  Dhe kur merret në mënyrë të rregullt për periudha të gjata mund të shkaktojë gurë në veshka, dëmtim të zemrës dhe kancer. Megjithatë kjo është relativisht e rrallë.

Shëndet

Epoka e re e mjekësisë, shpresa për kurën e tullacisë

Published

on

Shkencëtarët amerikanë kanë bërë përparime të rëndësishme drejt zhvillimit të trajtimeve të reja kundër tullacisë dhe alopecisë, duke tejkaluar opsionet aktuale që vetëm ngadalësojnë humbjen e flokëve.

Në Universitetin e Kalifornisë, Irvine (UCI), është zbuluar një molekulë e quajtur SCUBE3, e cila arrin të aktivizojë qelizat staminale të folikulave të flokëve, duke nxitur rritjen e tyre.

Testimet e para janë kryer si tek minjtë, ashtu edhe në lëkurë njerëzore të transplantuar, duke dhënë rezultate premtuese.

Një vit më vonë, studiues nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) prezantuan një tjetër molekulë inovatore, të quajtur PP405.

Kjo substancë ka treguar aftësinë për të “zgjuar” folikulat e flokëve brenda vetëm një jave, përmes aplikimit topik në lëkurë njerëzore.

Sipas “News-Medical”, risia e këtyre zbulimeve qëndron në faktin se ato nuk kufizohen vetëm në ngadalësimin e rënies së flokëve, por riaktivizojnë ciklin biologjik të rritjes së tyre – një qasje krejtësisht e re në këtë fushë.

Ekspertët paralajmërojnë se trajtimet duhet të kalojnë përmes provave të gjera klinike përpara se të bëhen të disponueshme për publikun.

Nëse këto teste rezultojnë të suksesshme, mjekësia mund të jetë pranë një epoke të re në luftën kundër tullacisë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Ja arsyet e pazakonta pse rritet rreziku për kancer të lëkurës

Published

on

Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, që lind nga melanocitet, qelizat që prodhojnë pigmentin e lëkurës sonë.

Shumë njerëz nuk e dinë se disa faktorë që duken të padëmshëm mund të ndikojnë në shfaqjen e këtij kanceri. Disa prej tyre janë:

Vera e bardhë

Një studim i publikuar në Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention tregon se konsumimi i një gote vere të bardhë në ditë e rrit me 13% rrezikun për zhvillimin e melanomës. Shkaku lidhet me enzimen acetaldehyde, e cila dëmton ADN-në. Kjo substancë gjendet në pijet alkoolike, por në sasi më të lartë tek vera. Autori i studimit, Eunyoung Cho, sugjeron që personat me faktorë të tjerë risku për melanomë të kufizojnë përdorimin. Një alternativë më e sigurt është ajo e kuqe, e pasur me antioksidues që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave.

HPV (Papillomavirusi i njeriut)

Sipas një hulumtimi, infeksioni me HPV është i lidhur me përhapjen e karcinomës skuamoqelizore, një tjetër lloj kanceri i lëkurës, i ndryshëm nga melanoma.

Trashëgimia gjenetike dhe flokët e kuq

Individët me flokë të kuq mbartin një gjen që e shton rrezikun për kancer të lëkurës, sidomos të lidhur me ekspozimin ndaj diellit. Ky gjen ka efekt të krahasueshëm me 20 vite qëndrimi nën rrezet e diellit. Një studim i botuar në Nature Communications tregon se edhe nëse ju vetë nuk keni flokë të kuq, por dikush në familjen tuaj i ka, rreziku juaj për dëmtime gjenetike nga dielli rritet me 42%.

Lëngjet e qitros (citrus)

Konsumimi i më shumë se një gote (rreth 1.6 herë në ditë) me lëng portokalli ose grejpfruti lidhet me rritje prej 36% të rrezikut për melanomë. Kjo lidhet me përbërësit psoralen e furocoumarin, që e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Studim: Dieta Keto redukton depresionin te studentët deri në 70%

Published

on

Një studim i Universitetit të Ohios ka treguar se dieta Keto, e ndjekur për të paktën 10 javë, mund të ulë deri në 70% simptomat e depresionit te studentët universitarë.

Studimi, i botuar në Translational Psychiatry, raportoi gjithashtu përmirësime në mirëqenien e përgjithshme dhe aftësitë njohëse.

Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Drew D. Decker, synuan të ofronin trajtim për studentë me çrregullim depresiv të madh, duke kombinuar dietën me vlerësime javore dhe intervista klinike.

Nga 24 studentë të përfshirë, 16 përfunduan programin 10–12 javor, dhe rezultatet ishin mbresëlënëse:

69% ulje në simptomat e vetë-raportuara të depresionit

71% ulje në vlerësimin klinik të depresionit

Askush nuk plotësonte më kriteret për depresion të moderuar ose të rëndë.

Përveç shëndetit mendor, pati edhe përfitime fizike:

15 nga 16 studentë humbën mesatarisht 5 kg

Niveli i faktorit neurotrofik të trurit (BDNF) u rrit 32%

Hormoni leptin ra 52%

Përmirësim në kujtesë, shpejtësi përpunimi dhe funksione ekzekutive

Ekspertët theksojnë se nga Keto mund të ndikojë në depresion përmes mekanizmave metabolikë të lidhur me biologjinë e sëmundjes.

Studimi kishte kufizime, ishte i vogël dhe pa grup krahasues, ndaj nuk mund të thuhet se efektet vinin vetëm nga dieta.

Autorët e shohin këtë si një hap premtues dhe alternativë për të ndihmuar studentët që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

E vërteta e fshehur pas infarkteve tek të rinjtë

Published

on

Një studim i ri nga Klinika Mayo ka hedhur dritë mbi sulmet në zemër tek të rriturit më të rinj, veçanërisht tek gratë, duke ofruar të dhëna që mund të ndryshojnë mënyrën se si kuptohen dhe trajtohen këto ngjarje serioze shëndetësore.

Kërkimi, i botuar në Journal of the American College of Cardiology, analizoi mbi 15 vite të dhëna nga Projekti i Epidemiologjisë së Rochester dhe zbuloi disa modele të pazakonta mbi shkaqet e infarkteve tek të rinjtë.

Rezultatet treguan se ateroskleroza, bllokimi i arterieve nga pllaka – mbetet shkaku kryesor i atakeve në zemër. Dallimi ishte i theksuar mes gjinive: tek burrat nën 65 vjeç shkaktonte 75% të rasteve, ndërsa tek gratë vetëm 47%.

Kjo tregon se më shumë se gjysma e infarkteve tek gratë vijnë nga shkaqe të tjera, më pak të njohura.

Një prej tyre është diseksioni spontan i arteries koronare, një gjendje kur krijohe çarje e papritur në një arterie koronare, duke bllokuar qarkullimin e gjakut pa praninë e pllakave. SCAD është më e shpeshtë tek gratë e reja dhe shpesh ngatërrohet me infarktet tipike.

Trajtimi me stenta ose ndërhyrje tjera sjellë më shumë rrezik sesa përfitim. Studimi theksoi se SCAD është gjashtë herë më e zakonshme tek gratë krahasuar me burrat. Një tjetër shkak janë infarktet e lidhura me stresin, të provokuara nga gjendje si anemia ose infeksionet e rënda.

Këto përbënin shkakun e dytë më të zakonshëm dhe shoqëroheshin me shkallën më të lartë të vdekshmërisë pesëvjeçare – rreth 33%.

Pra, pacientët me këto forma të infarkteve shpesh kishin prognozë më të rëndë sesa ata me sëmundje klasike të arterieve koronare.

Lajmi i mirë është se infarktet “të pashpjegueshme” rezultuan të rralla më pak se 3% e rasteve, duke nënkuptuar se në shumicën e situatave mjekët mund të identifikojnë një shkak të qartë dhe të përshtatin trajtimin.

Ky studim nënvizon rëndësinë e përcaktimit të saktë të shkakut rrënjësor të një sulmi në zemër. Vetëm duke ditur arsyen e vërtetë, mjekët mund të ofrojnë trajtime efektive dhe të shmangin ndërhyrjet që në disa raste mund të jenë të rrezikshme. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara