

Kulturë
Violina e parë e Albert Ajnshtajnit shitet për mbi 1 milion paund
Published
2 hours agoon
By
UBT NewsNjë violinë që dikur i përkiste njërës prej mendjeve më të mëdha në historinë e shkencës, Albert Ajnshtajnit, është shitur në ankand për 860 mijë paund.
Instrumenti, një violinë Zunterer e vitit 1894, besohet të ketë qenë violina e parë e Ajnshtajnit. Fillimisht ajo ishte vlerësuar me çmim rreth 300 mijë paund, por arriti të shitej për gati trefishin e shumës në ankandin e Dominic Winter Auctioneers në South Cerney, Gloucestershire.
Në të njëjtin ankand u shit edhe një libër filozofie, të cilin Ajnshtajni ia kishte dhuruar një miku, për 2.200 paund.
Të gjitha çmimet përfshijnë edhe një komision prej 26.4%, që do të thotë se çmimi përfundimtar i violinës i kalon 1 milion paundët.
Sipas ekspertëve, kjo shitje mund të vendosë një rekord të ri për një violinë që nuk i ka përkitur një muzikanti profesionist dhe që nuk është e prodhuar nga Stradivarius. Deri tani, rekordi mbahej nga një instrument që mendohet se ishte përdorur në anijen Titanik.
Specialisti Chris Albury e përshkroi ankandin, që zgjati vetëm 10 minuta, si një “moment të veçantë”.
“Kishim tre ofertues në telefon që garuan deri në fund,” – tha ai për BBC.
Ai shtoi se shumë njerëz nuk e dinin që Ajnshtajni ishte një adhurues i madh i muzikës.
“Ai shpesh thoshte se, nëse nuk do të ishte bërë shkencëtar, do të donte të ishte muzikant. Nisi të mësonte violinën në moshën katërvjeçare dhe luante çdo ditë,” – përfundoi Albury. /A.Z/UBT News/
Lifestyle
Bimët që nuk i frikësohen dimrit, gjelbërim edhe pranë radiatorëve
Published
40 minutes agoon
October 13, 2025By
UBT News
Kur temperaturat bien dhe shtëpia mbushet me nxehtësinë e thatë që vjen nga radiatorët, hapësira jonë e përditshme shndërrohet në një strehë të ngrohtë kundër të ftohtit.
Perdet ulen, qirinjtë ndizen, aroma e kafesë përhapet në ajër – por shpesh diçka mungon. Në atë qetësi të ngrohtë, ajri i thatë dhe mungesa e dritës fillojnë të ndihen, duke ndikuar në energjinë e shtëpisë.
Bimët e shtëpisë, këta “rojtarë” të vegjël të natyrës, janë të parat që e ndiejnë këtë ndryshim. Gjethet vyshken, toka thahet, ajri i ngrohtë bëhet sfidues për to.
Disa bimë jo vetëm që përballojnë këtë periudhë, por edhe lulëzojnë në të – duke sjellë jetë dhe harmoni në çdo cep të shtëpisë.
Ato duan ngrohtësinë e radiatorëve dhe pastrojnë ajrin, gjallërojnë atmosferën, sipas feng shui-t, nxisin energji pozitive, qetësi e mirëqenie. Nëse doni që shtëpia të mbetet e gjallë, e gjelbër e plot jetë gjatë dimrit, njihuni me pesë bimë që janë aleatët idealë të sezonit të ftohtë.
Lulja e fierit – zonja klasike e gjelbërimit
Një ndër bimët më të vjetra në botë, është simbol i qëndrueshmërisë së natyrës. Me gjethe të buta e të harlisura, sjell në shtëpi ndjesinë e një pylli. Edhe pse pëlqen lagështinë, përshtatet me ngrohjen qendrore, mjafton t’i spërkatni gjethet herë pas here dhe ta mbani larg burimeve të drejtpërdrejta të nxehtësisë. Fierët sjellin freski, qetësi dhe ekuilibër energjik, prandaj janë idealë për dhomën e ndenjes apo korridorin.
Orkideja – mbretëresha elegante që dashuron ngrohtësinë
Delikate në pamje, por e fortë në natyrë. Orkideja lulëzon edhe kur shumica e bimëve ndalojnë së rrituri. Kërkon temperaturë të qëndrueshme dhe dritë të moderuar, por jo diell të drejtpërdrejtë. Me kujdes minimal e pak spërkatje, sjell elegancë dhe qetësi në çdo ambient. Në ditët gri të dimrit, lulet e saj janë kujtesë se bukuria kurrë nuk shuhet – thjesht merr forma të reja.
Aloe Vera – minimalizëm dhe fuqi në një vazo të vetme
E njohur si “bima që shëron”, Aloe Vera ruan ujë e energji në gjethet e trasha, duke e bërë të përsosur për ajrin e that. Ajo kërkon pak ujë e shumë dritë. Në feng shui simbolizon pastrim, mbrojtje dhe forcë të brendshme. Vendoseni pranë kompjuterit ose në dhomën e gjumit për të balancuar energjinë dhe për të lehtësuar stresin.
Pahira – pema e fatit dhe begatisë
E quajtur ndryshe “druri i parave”, Pachira aquatica është simbol i harmonisë familjare dhe stabilitetit financiar. Edhe pse tropikale, është e lehtë për t’u mbajtur: i pëlqen drita e shpërndarë dhe lagështia e moderuar. Vendoseni në një qoshe të ndriçuar të dhomës së ndenjes dhe do të ndjeni se sjell energji të mirë dhe lehtësi në hapësirë.
Monstera – hijeshi tropikale që e do ngrohtësinë
Një ndër bimët më trend të viteve të fundit, Monstera është simbol i rritjes dhe vitalitetit. Ajo duron ajrin e thatë, mjafton t’i fshihen gjethet dhe të spërkatet herë pas here. Në feng shui përfaqëson vetëbesim dhe zhvillim. Edhe kur jashtë bie borë, gjethet e saj të mëdha mbeten kujtesë se ngrohtësia e vërtetë buron nga brenda nesh.
Si t’i ndihmoni bimët gjatë sezonit të ngrohjes?
Kujdesuni për to duke:
Fshirë gjethet me një leckë të butë e pak të lagur.
Spërkatur me ujë të qëndruar në temperaturë dhome.
Shmangur vendosjen e saksive mbi radiatorë.
Vendosur një enë me ujë pranë radiatorit për të shtuar lagështinë.
Duke i dhënë kujdes bimëve, ushqeni edhe energjinë e shtëpisë suaj. Ato nuk janë vetëm dekor – janë terapeutë të heshtur, që sjellin qetësi, frymëmarrje dhe jetë në çdo stinë.
Në një dimër pa gjelbërim jashtë, mbeten kujtesa më e bukur se jeta e rritja vazhdojnë edhe brenda katër mureve. /A.Z/UBT News/
Lifestyle
Pse çdo vit duhet të vizitosh një vend të ri?
Published
3 days agoon
October 10, 2025By
UBT News
Thuhet se të paktën një herë në vit duhet të vizitosh një vend ku nuk ke qenë më parë.
Çdo udhëtim ka potencialin të jetë unik dhe të ndryshëm nga i tjetri. Ja disa nga mësimet jetësore që mund të nxirren nga udhëtimet:
Zgjerimi i dijes dhe kuriozitetit
Udhëtimet na mësojnë gjëra të reja dhe zgjojnë brenda nesh shpirtin kërkues. Studimet tregojnë se të rinjtë që studiojnë jashtë vendit janë më të informuar dhe më të hapur ndaj ideve të reja sesa ata që mbeten në vendin e tyre.
Rritja e besimit tek njerëzit
Eksperimentet dhe kërkimet kanë treguar se udhëtimet shtojnë besimin tek njerëzimi. Të takosh njerëz nga kultura të ndryshme dhe të dëgjosh historitë e tyre, shpesh të ndryshme nga të tuat, të bind se çdo njeri ka një anë të mirë që mund të ndikojë pozitivisht tek të tjerët.
Nxitja e kreativitetit
Njohja me kultura të reja dhe përballja me mënyra të ndryshme jetese stimulon imagjinatën dhe kreativitetin. Studimet e “Academy of Management Journal” tregojnë se ata që punojnë ose studiojnë jashtë vendit kanë një kreativitet më të zhvilluar, duke krahasuar dhe përzgjedhur më të mirën nga kultura e tyre dhe ajo që vizitojnë.
Rritja e lumturisë dhe empatisë
Psikologët kanë zbuluar se njerëzit që udhëtojnë janë më të lumtur dhe më të hapur ndaj të tjerëve. Ato mësojnë të dëgjojnë me durim dhe të kuptojnë perspektiva të ndryshme, duke u bërë më empatikë dhe të ndjeshëm ndaj botës që i rrethon.
Udhëtimet fillimisht të lënë pa fjalë, por me kalimin e kohës ato të transformojnë në rrëfyes, duke të dhënë histori, mësime dhe përvoja që mbeten përjetësisht. /A.Z/UBT News/
Kulturë
Giuseppe Gibboni mahnit Tiranën me violinën e tij Stradivari
Published
3 days agoon
October 10, 2025By
UBT News
Violinisti i njohur ndërkombëtarisht, Giuseppe Gibboni, fitues i çmimit Paganini, performoi mbrëmjen e së enjtes në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke përdorur violinën e tij të vitit 1734, një Stradivari të rrallë.
Gibboni magjepsi publikun duke interpretuar krijime të Rimskij Korsakov, Paganini, Rachmaninov dhe Stravinskij, duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme muzikore në skenën e TKOB.
Ky koncert në Tiranë erdhi pak pas pjesëmarrjes së tij në dy koncerte me Orkestrën Filarmonike të Teatrit “La Scala” të Milanos.
Në kryeqytet, ai interpretoi nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, të udhëhequr nga dirigjenti i njohur Sergio Alapont.
Giuseppe Gibboni konsiderohet një nga violinistët më të jashtëzakonshëm të brezit të tij, i njohur për teknikën brilante, ndjeshmërinë interpretuese dhe pjekurinë artistike, karakteristika të rralla për moshën e tij. /A.Z/UBT News/
Kulturë
Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakë përkujtimore në zemër të qytetit
Published
3 days agoon
October 10, 2025By
UBT News
Një nderim i veçantë i është bërë shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare në zemër të Parisit.
Këshilli Bashkiak ka votuar unanimisht për vendosjen e një pllaka përkujtimore me emrin e tij në adresën “63 boulevard Saint-Michel”, vendi ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite, dhe ku autori krijoi disa prej faqeve më të rëndësishme të letërsisë moderne shqipe.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Shqipërisë në Francë, e cila e ka cilësuar këtë vendim si një homazh të gjallë dhe prekës ndaj kolosit të letrave shqipe dhe, nëpërmjet tij, ndaj Shqipërisë dhe kulturës shqiptare.
“Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, – është shprehur Ministria, duke e vlerësuar këtë si një gjest mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e Kadaresë në letërsinë botërore.
Parisi, qyteti ku Kadare zgjodhi të jetonte për dekada, ka qenë gjithmonë një hapësirë frymëzimi për krijimtarinë e tij – një vend ku fjala shqipe u bë universale përmes artit të tij.
Ky homazh i ri e vendos përjetësisht emrin e Ismail Kadaresë në rrugët e kryeqytetit francez, si simbol i miqësisë kulturore franko-shqiptare dhe i trashëgimisë së përbashkët letrare që ai la pas. /A.Z/UBT News/

Twingo elektrik shënon rekord të zhvillimit te Renault

Arrestohet në Graçanicë për fotografim të fletës së votimit

Bimët që nuk i frikësohen dimrit, gjelbërim edhe pranë radiatorëve

Angelina Jolie në krizë financiare? Zbulohen detajet e reja nga beteja me Brad Pitt

Kosova sfidon sot Suedinë

Presidenti Trump mbërrin në Izrael

Mbahet Asambleja Parlamentare e NATO-s, e ftuar presidentja Osmani

Violina e parë e Albert Ajnshtajnit shitet për mbi 1 milion paund

Ursula von der Leyen viziton sot Tiranën
Të kërkuara
-
Vendi2 months ago
Profesori i UBT-së, Bahri Gashi, pjesë e rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të recensimit shkencor në Taylor & Francis
-
Lajmet3 months ago
BSc në Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore në UBT – Investim për të ardhmen e shëndetit të popullatës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
Votoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
-
Rajoni3 weeks ago
Policia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT