Lajmet

Venecia pritet të votojë për vënien e taksës 5-euroshe për turistët

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare do të duhen të paguajnë këtë shumë dhe ta rezervojnë paraprakisht hyrjen në qytet.

Published

on

Qyteti italian Venecia pritet të miratojë një vendim për vendosje të taksës prej 5 eurosh për vizitorët, me qëllim të kontrollimit të turizmit.

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare do të duhen të paguajnë këtë shumë dhe ta rezervojnë paraprakisht hyrjen në qytet.

Anëtari i Këshillit të qytetit për Turizëm, Simone Venturini, ka thënë se pagesa do të vlejë gjatë pikut të sezonit turistik, vitin e ardhshëm.

“Venecia është ndër qytetet më të vizituara evropiane, dhe vuan më së shumti nga turizmi i tepërt”, ka thënë ai.

Shkalla e lartë e turizmit konsiderohet çështje urgjente për qytetin.

Venecia shtrihet vetëm në 7.6 kilometra katrorë, mirëpo atë e kanë vizituar gati 13 milionë turistë më 2019, sipas Institutit Kombëtar italian për Statistika.

Numri i vizitorëve pritet t’i tejkalojë shifrat e para-pandemisë në vjetët në vijim.

“Synimi ynë është që të kemi turistë që zgjedhin ditët për vizitë jashtë pikut të sezonit”, ka thënë Venturini.

“Dëshirojmë ta testojmë taksën, dhe nëse ka nevojë, ta përmirësojmë. Ne nuk mund të diskutojmë edhe 40 vjet për të mësuar mënyrën më të mirë”.

Më herët gjatë vitit, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNESCO) ka thënë se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, pasi ndryshimet klimatike dhe turizmi masiv kërcënojnë dëmtim të pariparueshëm.

Sipas shifrave të autoriteteve, në Venecia aktualisht janë 49 mijë e 693 shtretër për turistë dhe 49 mijë e 308 shtretër për banorë – që nënkupton se shtretërit për turistë i tejkalojnë ata për vendasit./REL

Lajmet

Policia sqaron ndalimin e hyrje-daljeve në parkingjet e Kuvendit dhe Presidencës

Published

on

Policia e Kosovës ka sqaruar se ndalimi i hyrje-daljeve dhe parkimit të automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës, më 8 shtator, është bërë me kërkesë zyrtare të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kuvendit.

Sipas Policisë, kërkesa ka paraparë që, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes, të mos lejohej hyrja, dalja dhe parkimi i automjeteve në këto hapësira.

Ndalimi është bërë për shkak të pastrimit të oborrit dhe parkingjeve me mekanizëm adekuat. Policia ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e personave të autorizuar.

PK-ja ka theksuar se veprimet e saj i ndërmerr në përputhje me autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë në vlerë 1.5 milionë euro

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.

Arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë.

Më pas, dyshohet se M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.

Prokuroria dyshon se gjatë këtij procesi janë përdorur edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

3 milionë euro për efiçiencë të energjisë, mbi 1,400 qytetarë do të përfitojnë

Published

on

Rreth 3 milionë euro do të investohen në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Në mesin e përfituesve është edhe familja Dragidella në Prishtinë.

Para renovimit, kjo familje konsumonte mbi 85 MWh energji në vit, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet të kursejë rreth 74 për qind të energjisë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përkrahen 192 familje përmes renovimit të shtëpive të tyre, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280, në të gjithë Kosovën.

Përfituese do të jenë familjet që marrin asistencë sociale, me përparësi të veçantë për familjet me pensionistë, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit vetushqyes.

Projekti po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Danimarkës, UNDP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara