Lajmet

Vendoset gurthemeli i Qendrës Multifunksionale në Podujevë

Kurti tha se kjo qendër do t’i ndihmojë të rinjtë që të kenë hapësira të përshtatshme për aktivitetet e tyre.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku dhe i mirëpritur nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi morën sot pjesë në vënien e gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.

Kryeministri Kurti tha se kjo qendër do t’i ndihmojë të rinjtë që të kenë hapësira të përshtatshme për aktivitetet e tyre dhe se Qeveria e ka nisur një reformë për rininë në Kosovë e cila shprehet jo vetëm pra në ligj të ri dhe në strategji shtetërore të re për rininë, por gjithashtu edhe me këto infrastrukturat fizike sikurse kjo sot.

Përkushtimi për rininë sipas kryeministrit, duhet të shprehet vazhdimisht anë e mbanë Kosovës dhe se tashmë janë disa qendra të këtilla nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, Pjetërshanin e me radhë.

Të njëjtën, kryeministri tha se po e bëjnë edhe në Podujevë, e cila ka një rini të shkëlqyeshme dhe e cila meriton më shumë.

“Andaj edhe ne do të bëjmë çmos që t’i dalim borxh asaj në mënyrë që përfitimi edhe për vetë rininë por edhe për shtetin dhe të ardhmen të jenë sa më të mëdha’’, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, siç u bë e ditur në komunikatë, pasi falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun, për vizitën dhe këtë investim, tha se vlera e projektit është rreth 1 milion euro dhe është bashkëfinancim i komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Kjo qendër multifunksionale e cila në total kap një sipërfaqe diku rreth 1450 m2, dhe e cila tani e tutje do t’ju shërbejë rinisë tonë, për arsye se deri tash aktivitetet e tyre i kanë zhvilluar në një sallë, palestër sportive në kushte improvizimi dhe besoj që me ndërtimin e këtij objekti këtyre të rinjve, sigurisht që do t’ju krijohen kushte shumë më të mira, më të përshtatshme për punë, pa i abstrahuar edhe OJQ-të e ndryshme, të cilat funksionojnë brenda komunës tonë, ku kanë me pas qasjen dhe mundësinë që bashkërisht t’i kryejnë aktivitetet e veta”, tha Bulliqi.

Qendra multifunksionale e Podujevës kap shumën afër një milion euro dhe do t’i ketë katër salla multifunksionale, amfiteatrin, hapësirën për ngjarje publike, sallën e mbledhjeve, administratën dhe depot. Kohëzgjatja e punimeve për realizimin e këtij projekti parashihet të jetë 26 muaj.

Një nga veçantitë e këtij investimi me rëndësi të madhe është projektimi konform nevojave për qasje dhe mobilitet adekuat për persona me aftësi të kufizuar, për t’u siguruar që askush nuk privohet nga shërbimet dhe mundësitë që do t’i ofrojë kjo qendër.

Continue Reading

Lajmet

Irani kërkon zhbllokimin e 12 miliardë dollarëve para marrëveshjes me SHBA-në

Published

on

Irani po kërkon lirimin e menjëhershëm të 12 miliardë dollarëve në fonde të ngrira sapo të arrihet një marrëveshje e përkohshme me Shtetet e Bashkuara, raportojnë mediat iraniane.

Sipas agjencisë Fars, Teherani e konsideron qasjen në këto fonde si garanci për zbatimin e marrëveshjes dhe për ruajtjen e interesave të tij në rast të tensioneve të reja.

Nga shuma totale, 6 miliardë dollarë janë fonde të ngrira më herët, ndërsa 6 miliardë dollarë të tjerë pritet të lirohen në këtë fazë të negociatave.

Ndërkohë, agjencia Tasnim ka raportuar se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, mund të zhbllokohen gjithsej 24 miliardë dollarë në asete iraniane, me gjysmën e shumës që do të lirohej menjëherë pas shpalljes së saj.

Sipas raportimeve, Katari pritet të luajë rolin e garantuesit për këto fonde, megjithëse autoritetet e Dohas kanë mohuar pretendimet se kanë ofruar 12 miliardë dollarë për të lehtësuar marrëveshjen mes Iranit dhe SHBA-së.

Continue Reading

Lajmet

KQZ akrediton mbi 15 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar grupin e dytë të vëzhguesve për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke miratuar gjithsej 15,782 vëzhgues.

Ky vendim u mor në mbledhjen e 60-të të KQZ-së dhe përbën një nga grupet më të mëdha të vëzhguesve të akredituar në procesin zgjedhor.

Vëzhguesit do të angazhohen në monitorimin e procesit zgjedhor në qendrat e votimit, numërimin e votave dhe fazat e tjera të administrimit të zgjedhjeve, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit të procesit demokratik. Akreditimi i tyre vjen pas miratimit të grupit të parë të vëzhguesve nga KQZ, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme.

KQZ ka theksuar se vëzhgimi i pavarur nga subjektet politike, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, mediat dhe institucionet e tjera përbën një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Ky numër i madh i vëzhguesve pritet të sigurojë mbulim të gjerë të procesit zgjedhor në të gjithë territorin e Kosovës, duke kontribuar në monitorim më efektiv dhe raportim të rregullt të mbarëvajtjes së zgjedhjeve.

Continue Reading

Lajmet

UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universidad Nacional de Colombia, duke zgjeruar rrjetin global të partneriteteve akademike në Amerikën Latine

Published

on

By

Një tjetër universitet prestigjioz ndërkombëtar i është bashkuar rrjetit global të partnerëve të UBT-së. Përmes marrëveshjes së bashkëpunimit me Universidad Nacional de Colombia, një institucion me traditë të gjatë në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion në Amerikën Latine, UBT po zgjeron mundësitë për shkëmbim të njohurive, përvoja ndërkombëtare dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta akademike.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të UBT-së, duke krijuar mundësi të reja për studentët, profesorët dhe hulumtuesit e të dy institucioneve.

Marrëveshja synon të avancojë bashkëpunimin në disa fusha kyçe, duke përfshirë: Shkëmbimin e studentëve në nivelin bachelor, master dhe doktoratë; Shkëmbimin e stafit akademik dhe hulumtuesve; Zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore; Hartimin e publikimeve të përbashkëta akademike dhe shkencore; Organizimin e konferencave, seminareve, punëtorive dhe aktiviteteve të tjera akademike; Shkëmbimin e përvojave dhe metodologjive të mësimdhënies; Krijimin e programeve të përbashkëta studimore dhe mundësive për diploma të dyfishta.

Një nga elementet më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është programi i mobilitetit akademik, i cili do t’u mundësojë studentëve të të dy institucioneve të zhvillojnë një pjesë të studimeve në universitetin partner, duke përfituar nga përvoja ndërkombëtare, shkëmbimi kulturor dhe qasja në kapacitete të avancuara akademike dhe kërkimore.

Universidad Nacional de Colombia është një nga universitetet më të njohura dhe me ndikim në Amerikën Latine, me një traditë të gjatë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e inovacionit. Partneriteti me këtë institucion krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërkontinental dhe përfshirje më të gjerë të komunitetit akademik të UBT-së në rrjete globale të dijes, kërkimit dhe inovacionit.

Përmes zgjerimit të vazhdueshëm të partneriteteve ndërkombëtare, UBT mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të reja akademike dhe profesionale për studentët dhe stafin e saj, duke forcuar pozicionin si një institucion lider në arsimin e lartë dhe bashkëpunimin global.

 

Continue Reading

Lajmet

Aksident i rëndë me tramvaj në Berlin, të paktën 20 persona të lënduar

Published

on

By

Të paktën 20 persona janë lënduar, tre prej tyre rëndë, pas një aksidenti të rëndë me tramvaj në kryeqytetin gjerman, Berlin. Ngjarja ndodhi në lagjen Lichtenberg, kur një pjesë e tramvajit doli nga shinat dhe u përplas me një shtyllë të linjës elektrike, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në mjet, raporton e përditshmja gjermna Bild.

Sipas shërbimeve të emergjencës, përplasja ka bërë që ana e djathtë e tramvajit të çahet, ndërsa vagoni i fundit të dalë nga shinat. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar rreth 60 pjesëtarë të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit.

Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se 12 nga të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë ndihmë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.

Pas aksidentit, trafiku në linjat e tramvajit M5 dhe M17 është ndërprerë përkohësisht, ndërsa autoritetet e transportit publik kanë paralajmëruar organizimin e transportit alternativ për udhëtarët.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të konsiderueshme në tramvaj, i cili është çarë në pjesën anësore pas përplasjes, duke shkaktuar panik te pasagjerët dhe një operacion të gjerë shpëtimi nga ekipet emergjente./BILD/

Continue Reading

Të kërkuara