Lajmet

Vendimi i ZRRE-së: Bizneset po mbyllen, disa po ikin nga Kosova e humbjet janë milionëshe

Published

on

Nga 16 Gushti, një numër i madh i bizneseve në Kosovë janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e tyre në tregun e lirë. Për këtë kanë reaguar nga AKB, Oda e Afarizmit dhe ekspertë të ekonomisë duke paralajmëruar pasoja.

Kjo situatë ka shkaktuar reagime të shumta nga përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë të cilët paralajmërojnë për pasoja serioze në aktivitetin ekonomik, humbje milionëshe, mbyllje të fabrikave dhe rrezik për vendet e punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve AKB, Agim Shahini, është shprehur ndaj situatës së krijuar pas daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke thënë se humbjet janë shumë milionëshe. Sipas tij, disa fabrika tashmë janë mbyllur, disa të tjera janë në proces të bartjes së kapaciteteve jashtë Kosovës.

“Humbjet e bizneseve nga dalja me dhunë në tregun e lirë janë shumë milionëshe dhe ka fabrika të cilat janë mbyllë disa janë në proces për të bartë kapacitetin e tyre jashtë Kosove e disa janë duke punuar edhe me humbje pas një kohe dihet saktë sa janë humbjet e bizneseve”, ka deklaruar Shahini.

Drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, gjithashtu ka ngritur shqetësime lidhur me humbjet që po pësojnë bizneset pas daljes në tregun e lirë të energjisë. Ai tha ende nuk ka të dhëna të sakta për shkallën e humbjeve, pasi çdo biznes ka specifikat e veta.

“Ende nuk dihet saktë se sa janë humbjet se secili biznes është ndryshe nga tjetri të shtunën ju kanë shkuar me polici në mënyrë të dhunshme thuajse po e këputin një hajn të rrymës e jo një biznes që e ka paguar vazhdimisht”, tha Ahmeti.

Edhe eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, ka paralajmëruar për pasoja serioze ekonomike si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve. Sipas tij, disa prej bizneseve po përballen me humbje të konsiderueshme, që variojnë nga mijëra deri në qindra mijëra euro në ditë.

“Bizneset që kanë mbetur pa rrymë tash e tri ditë, sidomos në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, janë duke pësuar humbje të konsiderueshme. Varësisht nga madhësia e biznesit, këto humbje mund të jenë nga mijëra deri në qindra mijëra euro në ditë. Disa biznese janë detyruar të ndalojnë tërësisht prodhimin ose operimin, duke sjellë dëme direkte në të ardhurat e tyre dhe të punonjësve”, u shpreh ai.

“Ekonomia humb miliona euro në produktivitet të pashfrytëzuar. Ka humbje të të hyrave nga tatimet dhe kontributet, nëse bizneset nuk operojnë. Rritet pasiguria për investitorët aktualë dhe të ardhshëm, duke dëmtuar imazhin e vendit”, përfundoi ai.

Continue Reading

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara