Lajmet

​Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse po shihet si mesazh se njohja e Kosovës është larg

Published

on

Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thanë se vendimi është marrë për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe “zvogëlimit të buxhetit”.

“Sipas vendimit të qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bratisllava.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Jashtme e Kosovës tha se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me shtetin sllovak.

Sllovakia është një nga pesë shtetet e bllokut që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

Sllovakia e konsideron Serbinë partner kyç në Ballkanin Perëndimor.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci nuk përjashton mundësinë që vendimi për mbyllje të zyrës të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën e Beogradin.

“Pushteti i kryeministrit Robert Fico, kryeministrit të Sllovakisë, është i orientuar komplet pro Moskës. Këtë, kohëve të fundit nuk e fsheh pavarësisht që janë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky regjim i tij është komplet i dirigjuar nga Moska dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që vendimi të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën dhe gjithsesi me Beogradin. Kjo nuk duhet të shqetësojë Kosovën, nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse ka të bëjë me relacione të tjera që kanë të bëjnë me implikimet ndërkombëtare dhe është problem më i madh për Bashkimin Evropian dhe NATO-n që brenda radhëve të veta ka kalin e Trojës siç është Sllovakia, siç është Hungaria dhe të tjera. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë edhe një vend tjetër, të bëjë lëvizje të tillë”, deklaron Koci.

Mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, Koci e konsideron hap prapa drejt njohjes nga shteti sllovak.

“Është largim, dërgojnë mesazhin që jo vetëm që nuk do të mbajmë zyrën por njohja është shumë larg, gati e pamundur. Por edhe kjo mendoj që nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse është evidente që Kosova si rast sui-generis do të duhej të gjejë rrugë të tjera për afirmim ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me ata që janë aleatë të vërtetë të Kosovës. Është evidente që brenda Bashkimit Evropian ka shumë zëra që nuk janë në favorin e Kosovës dhe kjo ndoshta nuk është keq edhe për të dalluar kush janë aleatët tanë të vërtetë dhe e dyta mendoj se është sinjal për udhëheqësit e Kosovës dhe për të gjithë klasën politike që të bashkëpunojnë më shumë me ata që janë aleatët tanë të vërtetë”, shton ai.

Edhe Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron se vendimi i shtetit sllovak ka të bëjë me politikën e përgjithshme anti-kosovare.

“Kjo [vendimi për mbyllje të zyrës në Kosovë] ndërlidhet me politikën e përgjithshme të qeverisë sllovake, të kryeministrit Robert Fico që ka qenë dukshëm anti-kosovare. Duhet të kujtojmë që ai ka qenë kryeministër edhe në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë dhe ai ka qenë vendimtar në mos-njohjen e pavarësisë. Dhe në ditët e fundit kemi pasur shumë lëvizje në aksin Beograd-Bratislavë. Fillimisht ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanar vizitoi Beogradin ku kishte takime me ministrin serb dhe sipas të gjitha gjasave edhe kjo çështje u diskutua aty dhe po ashtu dje dhe pardje me vizitë në Bratislavë ka qenë presidenti serb Vuçiq së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban ku me sa shihet këto dy takime të shpejta kanë pasur ndikim që Sllovakia të marrë këtë qëndrim pak më radikal, pak më antagonist kundër Kosovës”, shprehet ai.

Për më tepër, ai thotë se mund të ketë regres me marrëdhëniet sllovake dhe shkëputje të marrëdhënieve zyrtare me Qeverinë e Kosovës.

“Kjo [vendimi] pa dyshim që ka një mesazh politik që bart në vete dhe që është se shteti sllovak nuk dëshiron të ketë marrëdhënie zyrtare me Qeverinë e Kosovës… Pa dyshim do të ketë ndikime negative, sepse nuk është që kanë qenë marrëdhënie shumë të zhvilluara, kanë qenë në fazat më të hershme. Kemi pasur disa takime në nivele të drejtuesish teknik të ministrive të vendit tonë dhe Sllovakisë. Dhe me këtë vendim politik nga ana e Bratisllavës do të ketë një regres në marrëdhëniet sllovake dhe me gjasë do të na duhet të presim që të vije një qeveri e ardhshme që të jetë më pro-perëndimore se kjo e tanishmja”, përfundon Gërgi.

Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Jashtme e Kosovës tha më herët të mërkurën se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes “Zyrës ndërlidhëse por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara