Lajmet

​Vendimi i BE-së për vizat me pasaporta ilegale serbe, PDK: Qeveria dështoi të mbrojë interesin e shtetit

Published

on

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga institucionet ilegale serbe, respektivisht nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Ahmetaj tha se ky vendim që e vendos në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe nxit vetëm veprimin e strukturave paralele ilegale serbe, është rezultat i paaftësisë së Qeverisë Kurti.

“PDK ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës he të jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë në vend. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë. Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë”, tha ajo.

Ahmetaj theksoi se Qeveria Kurti nuk ka reaguar në kohë dhe nuk ka insistuar sa duhet që të respektohet marrëveshja e arritur në Dialog për lëvizjen e lirë.

“Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive dhe asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtet ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria jonë, fatkeqësisht, nuk e ka kuptuar akoma se komentet e saj të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë, janë zë i shurdhër në Institucionet e Bashkimit Evropian”, shtoi Ahmetaj.

PDK vlerëson se ky vendim i BE-së dhe kjo qasje e Qeverisë ri konfirmojnë se Qeveria Kurti është strukturë në Prishtinë që ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Këto vendime nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, e cenojnë integritetin territorial dhe institucional të Kosovës dhe dërgojnë mesazhe tjera, të cilat, në vend të promovimit të stabilitetit nxisin edhe me tutje politikat cenuese të Serbisë ndaj Kosovës në gjithë ballkanin. Para 14 vitesh, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e gjithë bota demokratike ishte me Kosovën dhe të drejtën e saj për shtet. Sot, 14 vite më vonë, nën udhëheqjen e papërgjegjshme dhe pa vizion të kësaj Qeverie, bota është larguar nga ne dhe Kosova po shkon drejt humbjes së momentumeve të rëndësishme në integrimin e zhvillimin e saj”, tha Ahmetaj.

Po ashtu, nënkryetarja Ahmetaj ka dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme që po u bëhen nga ky pushtet mediave të lira dhe gazetarëve.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara