Lajmet

Vdes ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger

Ai vdiq në shtëpinë e tij në Konektikat.

Published

on

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, njoftoi kompania konsulente e tij të mërkurën. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Konektikat.

Kissinger kishte dominuar politikën e jashtme përderisa Shtetet e Bashkuara u larguan nga lufta në Vietnam dhe larguan barrierat me Kinën.

Kissinger kishte ndikim të madh në çështjet globale gjatë shërbimit të tij në mandatet presidenciale të Richard Nixonit dhe Gerald Fordit, duke fituar edhe Çmimin Nobel për paqe.

Fuqia e Kissingerit u rrit gjatë trazirave të shkaktuara nga afera Watergate, kur ai mori një rol të ngjashëm me të bashkëpresidentit, në kohën kur fuqia e Nixonit ishte dobësuar për shkak të aferës.

Një hebre që u largua nga Gjermania Naziste së bashku me familjen e tij, Kissinger në vitet e mëvonshme fitoi reputacionin e një burrështetasi të respektuar, duke ofruar këshilla si për republikanët, ashtu edhe demokratët. Në shumë raste, ai u pa edhe në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur Donald Trump ishte president.

Për tetë vjet – fillimisht si këshilltar për siguri kombëtare, e më vonë si sekretar i Shtetit dhe për një periudhë duke mbajtur të dy këto poste – Kissinger kishte trajtuar çështjet kryesore të politikës së jashtme. Ai kreu “diplomacinë e parë fluturuese” në kërkim të paqes në Lindjen e Mesme. Ai përdori kanale sekrete për të krijuar lidhje midis SHBA-së dhe Kinës, duke i dhënë fund dekadave të izolimit dhe armiqësisë së ndërsjellë.

Kissinger po ashtu kishte nisur negociatat e Parisit për të nxjerrë SHBA-në nga një luftë e kushtueshme në Vietnam.

Ai po ashtu ndoqi një politikë për të ulur tensionet me Bashkimin Sovjetik që çoi në marrëveshje për kontrollin e armëve dhe hapi mundësitë që tensionet e Luftës së Ftohtë dhe kërcënimeve bërthamore të mos zgjasnin përgjithmonë.

Gjatë një interviste dhënë në korrik të vitit 2022 për ABC ai u pyet nëse do të dëshironte të ndryshonte ndonjë nga vendimet e ndërmarra gjatë karrierës së tij.

“Kam menduar për këto probleme gjatë gjithë jetës sime. Është hobi im, por edhe profesioni im. Prandaj, rekomandimet që bëra ishin më të mirat për të cilat atëherë isha i aftë t’i bëja”, kishte deklaruar Kissinger.

Deri në muajt e fundit të jetës së tij, Kissinger u përfshi në çështje globale. Në korrik, ai u takua me liderin kinez, Xi Jinping, në Pekin. Dhe 50 vjet pasi diplomacia fluturuese e tij ndihmoi në dhënin fund të Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, kur Izraeli zmbrapsi sulmet e befasishme nga Egjipti dhe Siria, Kissinger kishte paralajmëruar se konflikti mund të përsëritej, pasi Izraeli u përball me sulm të befasishëm nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.

Kissinger fitoi Çmimin Nobel për Paqe për shkak të marrëveshjes së armëpushimit arritur më 1973.

Kissinger ka lënë pas dy fëmijë, Elizabeth dhe David./REL

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara